20 mars, Dita Botërore e Shëndetit të Gojës

 

20 marsi shënon Ditën Botërore të Shëndetit të Gojës. Kjo ditë, e vendosur nga Federata Dentare Botërore (FDI), synon të rrisë ndërgjegjësimin si dhe të tregojë rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien.

Higjiena e mirë e gojës është shumë e rëndësishme pasi ajo favorizon një shëndet të mirë. Fillimisht Federata Dentare Botërore në Kongresin Botëror Dentar ( AWDC) të mbajtur në vitin 2007 në Dubai, vendosi datën, 12 shtator dhe deri në fund të vitit 2012 kjo datë njihej si Dita Botërore e Shëndetit të Gojës.

Më pas u vendos data 20 mars.

A e dini se…

Larja e dhëmbëve duhet të fillojë menjëherë pas daljes së dhëmbit të parë të qumështit.

Pastat e dhëmbëve kanë në përbërje disa substanca që kanë rolin e tyre specifik.

Numri i baktereve në gojë mund të jetë më i madh se popullsia e botës.

Era e keqe e gojës mund të jetë shenjë e disa sëmundjeve.

Higjiena e gojës është shumë e rëndësishme sidomos gjatë shtatzënisë.

Një person i rritur ka 32 dhëmbë që do të thotë 160 sipërfaqe për tu pastruar.

Kush është sëmundja kryesore që prek dhëmbët tanë?

Sëmundja kryesore që prek dhëmbët tanë është kariesi, i cili është një infeksion që shkaktohet nga mikrobet që gjenden në hapësirën e gojës.

Kariesi dentar është një sëmundje komplekse që shkaktohet nga bakterie, dhe mund të lidhet me faktorë të rëndësishëm si:

− Konsumimi i ushqimeve dhe pijeve.

− Larja e dhëmbëve dhe përdorimi i fillit dentar.

− Vullneti juaj për të mbajtur dhëmbët e shëndetshëm. Bakteri kryesor përgjegjës për prishjen e dhëmbëve është Streptokoku Mutans.

Faktorët kryesorë që ndikojnë në shumimin e këtij bakteri dhe përcaktojnë prishjen e dhëmbëve janë:

  1. Dieta juaj
  2. Sasia e fluorit në sipërfaqet e dhëmbëve

Cilët janë disa nga faktorët që ndikojnë në prishjen e dhëmbëve?

Sipas stomatologëve, disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve janë: mungesa e kujdesit, konsumimi i duhanit dhe ëmbëlsirave, kequshqyerja etj.

Për të pasur dhëmbë sa më të shëndetshëm, kujdes duhet bërë edhe me ato ushqimet të cilat përmbajnë një sasi të madhe sheqeri, duke favorizuar në këtë mënyrë prishjen e dhëmbëve.

Ëmbëlsirat nuk janë të vetme ushqime që nxisin formimin e acideve dhe kaviteteve. Shumë ushqime që njerëzit i konsiderojnë të shëndetshme, si lëngjet e frutave, pijeve energjike, frutat të thata, dhe patatinat e llojeve të ndryshme, përmbajnë sasi të lartë të sheqernave, që nxisin kariesin dentar.

Gjithashtu edhe pijet freskuese mund të dëmtojnë dhëmbët tuaj. Megjithëse pijet dietike përmbajnë sheqerna artificiale, ato mund të jenë të dëmshme për dhëmbët. Këto pije përmbajnë acide të cilat ndikojnë në tretjen e smaltit të dhëmbëve, duke nxitur hiperndjeshmërinë dhe krijimin e kaviteteve.

Çfarë problemesh mund të shkaktojnë dhëmbët e prishur?

Shumë njerëz mendojnë se dhëmbët e prishur janë normal dhe nuk krijojnë probleme shëndetësore. Ky fakt nuk është i vërtetë. Dhëmbët e prishur mund të shkaktojnë disa probleme si:

− Erë e keqe

− Ngjyrosje të dhëmbëve

− Mbindjeshmëri dhe dhimbje

− Vështirësi në ushqyerje

− Infeksione të dhëmbëve

Sipas stomatologëve, disa shenja të dhëmbëve të prishur janë: shije e keqe në gojë, mishra të dhëmbëve të ënjtur ose të skuqur, dalja gjak nga mishrat e dhëmbëve, dhëmbë që lëvizin, dhimbje gjatë përtypjes, gurëza në sipërfaqen e dhëmbëve.

Nëse keni ndonjë nga këto shenja, drejtohuni menjëherë te mjeku stomatolog. Federata Shqiptare e Stomatologëve rekomandon shtim të kujdesit ndaj higjienës së gojës për të evituar prekjen nga këto sëmundje.

Përse është e rëndësishme larja e dhëmbëve?

Gjatë natës, sasia e pështymës ulet, duke lënë dhëmbët tuaj më pak të mbrojtur nga acidet bakteriale. Për këtë arsye larja e dhëmbëve me furçë dhe përdorimi i fillit dentar në mbrëmje është shumë e rëndësishme. Larja e dhëmbëve duhet të zgjasë 2 −3 minuta, 2 herë në ditë. Përdorni një furçë me qime të buta dhe përdorni të paktën një herë në ditë fillin dentar. Përdorni shpëlarës goje të fluorizuar përpara periudhës së gjumit.

Pas kësaj proçedure, përdorni shpëlarës goje të fluorizuar (pyeteni dentistin tuaj). Nuk rekomandohet të ushqeheni pas kësaj procedure. Nëse ndiqni këshillat e mësipërme, ju do të zvogëloni në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e kaviteteve dentare.

Burimi: ISHP / https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm