“Denonconi abuzimet në zyrat e shtetit” është nisma më e fundit e kryeministrit Edi Rama, përmes së cilës u bëhet thirrje qytetarëve shqiptarë që të bëhen pjesë e bashkëqeverisjes. Rama është shprehur se për të bashkëqeverisur me sukses në katër vitet e ardhshme është shumë e rëndësishme që çdo njeri i zakonshëm të ngrejë zërin kur del i pakënaqur apo, edhe më keq, i fyer nga një zyrë shteti.
Thirrjes së kryeministrit i janë përgjigjur mijëra qytetarë, midis tyre edhe profesionistë të mjekësisë. Këta të fundit kanë “guxuar” të artikulojnë me emra e mbiemra konkret abuzimet në sistemin shëndetësor, duke folur për miliona të kërkuara për një vend pune e deri të presionet në zyrat e të besuarve të shëndetësisë. Të njëjtin qëndrim, të pakënaqur janë edhe qytetarët shqiptar, të cilët vazhdojnë të bëjnë thirrje për një “rilindje” reale të shëndetësisë, ku të mos flitet më për mungesa bazikë, duke nisur që nga medikamentet.
Pavarësisht bindjes se “shumë është bërë, por shumë mbetet për t’u bërë”, reformat në sistemin shëndetësor ndër vite duket se nuk kanë ndikuar aspak në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës për personelin shëndetësor. Shëndetësia vazhdon të mbetet shërbim “në tranzicion”, duke mos realizuar asnjë nga funksionet e saj.
Edhe pse në 26 vjet, Ministria e Shëndetësisë ka ndërruar plot 16 ministra, rrallë herë ka ditur të shkëlqejë. Nga pacientët e deri te vetë mjekët, si zemra e sistemit shëndetësor, vazhdojnë të derdhen një valë akuzash e pakënaqësish duke e konsideruar/ kryqëzuar këtë institucion si më të korruptuarin e më të (keq)përdorurin për afera korruptive e interesa personale.
Po në prehrin e kujt u hodh Ministria e Shëndetësisë pas ’90-s? Cilët janë emrat të cilët morën “timonin”e saj në 26 vite? Kardiologë të nderuar, kirurgë, reanimator, infesionistë por edhe jursitë, kimistë e informaticien kanë mundur të marrin tagrat e autoritetit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Gazeta Shendeti ka publikuar emrat (së bashku me një CV të shkurtër) të 16 ministrave që kanë drejtuar sektorin e shëndetësisë pas ’90-ës.
Sabit Brokaj
Profesor Sabit Brokaj ka një karrierë të pasur në fushën e arsimit mjekësor. Ai ka qenë afërsisht 40 vjet pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Fillimisht karriera e mjekut ka nisur në shërbim të formacioneve ushtarake si Shef i Shërbimit Shëndetësor në Brigadën e Shijakut në vitet 1969-1972. Prej aty është transferuar si Mjek Kardiolog në Spitalin Ushtarak të Tiranës, që ka punuar për 12 vjet, në vitet 1972-1984, ku është aktivizuar edhe si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1984-1991, ka punuar si pedagog efektiv në Fakultetin e Mjekësisë, ku për disa vite ka kryer edhe detyrën e Zv/dekanit dhe Dekanit të këtij Fakulteti. Në fillimet e demokracisë në muajt Shkurt-Dhjetor, ka kryer detyrën e Ministrit të Shëndetësisë.
Kristo Pano
Mbaroi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, ku u specializua në fushën e sëmundjeve infektive, në vitin 1975. Pano ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e Stabilitetit. Prej 22 vjetësh profesor Pano ka qenë shef i departamentit të sëmundjeve infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Tritan Shehu
Tritan Shehu ka qënë shefi i anestezi-reanimacionit shqiptar për një periudhë më shumë se 20 vjeçare deri në momentin që vendosi ti futej politikës. Tritan Shehu ka pasur postin Ministrit të Shëndetësisë të Shqipërisë dhe ishte iniciator i futjes se sistemit privat farmaceutik dhe stomatologjik. Ai ka qënë Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë gjatë periudhës 2005-2013. Shehu është Kryetar i Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit të Shqipërisë.
Maksim Cikuli
Në vitin 1974 mbaroi Fakultetin e Mjekesisë në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1974-’79 ka punuar si mjek i përgjithshëm në Minierën e Bakrit të Gjegjanit. Në 1979-’81 ka qenë pedagog i sëmundjeve të brendshme në Fakultetin e Mjekësisë. Nga viti 1984 e në vazhdim është pedagog në lëndën e Gjenetikës në Fakultetin e Mjekësisë. Gjatë periudhës 1992-’94 ka qenë shef shërbimi në Pediatrinë e Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në vitin 1993-’94 ka qenë drejtor i QSUT “Nënë Tereza”. Nga viti 2001 e në vazhdim Shef i Departamentit të Pediatrisë.
Në periudhën 1994-1997 ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit.
Astrit Kalenja, me profesion mjek. Gjithashtu ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë në vitin 1997.
Leonard Solis
Ministër i Shëndetësisë në dy mandate gjatë viteve 1997 – 2001 dhe 2003- 2005. Leonard Solis është diplomuar si mjek i përgjithshëm në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera gjatë periudhës pesëvjeçare 1982-1987.
Ka kryer kursin e plotë 3-vjeçar pasuniversitar për “Sëmundjet e Brendshme” pranë Fakultetit të Mjekësisë me rezultate maksimale në 1990-1993.
Gjergji Koja, ka mbajtur për një periudhë të shkurtër postin e Ministrit të Shëndetësisë.
Mustafa Xhani
Në vitin 1970 ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë dhe që nga ky vit ka punuar si kirurg- urolog në Spitalin numër 2. Për disa vite ka punuar si shef pavioni në këtë spital. Nga viti 1997 deri në vitin 2001 ka qenë drejtor i Qendrës Spitalore Universitare në kryeqytet. Në kabinetin e fundit qeveritar të Pandeli Majkos, Xhani ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë, post të cilin e ruajti edhe në qeverinë e re të krijuar nga Fatos Nano.
Nard Ndoka
Pas ’90-s është i pari Ministër Shëndetësie që nuk vinte nga rradhët e mjekësisë. Ai është jurist në formimin e tij profesional. Mori këtë pozicion pas një marrreveshje politike midis Sali Berishës dhe Partisë Demokristiane.
Anila Godo
Aktualisht, është shefja e pavijonit të onko-hematologjisë në Pediatri, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Emërimi i saj në postin e ministres së Shëndetësisë është pritur mirë edhe nga mjekët e këtij spitali.
Petrit Vasili
Është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë. Gjatë viteve 2001 – 2003 ka ushtruar detyrën e Zëvendës Ministrit të Shëndetësisë. Më pas në vitet 2009-2012 ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë.
Vangjel Tavo
Mjek obstertër gjinekolog. Ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë nga 2012- prill 2013.
Halim Kosova
Pasi përfundon arsimin e mesëm në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Petro Nini Luarasi” vazhdon studimet e larta për mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës nga ku u diplomua vitin 1977. Në vitin 1985 specializohet për obsetri-gjinekologji në Universitetin “La Sapienza” të Romës, Itali, ndërsa në vitin 1990 mbron gradën shkencore “ Doktor i Shkencave Mjeksore”, në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës. Kosova ka punuar për shumë vite si mjek obstetër-gjinekolog në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Nga prilli i 2013-s deri në shtator 2013-s Kosova ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë.
Ilir Beqaj
Në vitin akademik 1999 – 2000, ka kryer studimet pasuniversitare për Administrim Ndërmarrje, në Institutin Francez të Menaxhimit pranë Universitetit Politeknik Tiranë. Ka kryer studimet e larta universitare në Universitetin e Tiranës, në periudhën 1985 – 1990, ku është diplomuar për informatikë.
Në vitet 1990 – 1993 ka punuar në Bankën e Shqipërisë në detyrën e Specialistit të Informatikës e gjithashtu gjatë viteve 1993 – 1994 ka punuar në Njësinë e Informacionit Fiskal po në këtë Bankë. Gjatë periudhës 1994 – 2006, z. Beqaj ka punuar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në detyra të ndryshme. Gjatë viteve 2003-2006, ka punuar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit.
Ilir Beqaj në vitin 2013 zgjidhet Ministër i Shëndetësisë i Shqipërisë.
Ogerta Manastirliu
Mban titullin “Doktor i Shkencave”, në Kimi Analitike dhe Mjedis. Më herët, ajo ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, ku është diplomuar dhe ka marrë titullin “Master në Shkencë” në degën e Kimisë së Përgjithshme. Prej shtatorit 2013 deri në mars 2017, Manastirliu drejton Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Nga marsi 2017 deri në maj 2017 Manastirliu ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë.
Arben Beqiri
Është diplomuar si mjek i përgjithshëm në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 1988. Ai është specializuar si kirurg i përgjithshëm, në të njëjtin fakultet, në vitin 1993. Gjatë karrierës së tij profesionale ka bërë një sërë kualifikimesh në universitetet më të mira të botës, si në SHBA, Belgjikë etj. Mban titullin “Profesor” që prej 2016-s. Në vitin 2013 ka mbajtur postin e zëvendës/rektorit në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.
Që prej majit të 2017-s Beqiri mban postin e Ministrit të Shëndetësisë. Edhe pse është pritur mirë nga bluzat e bardha nuk dihet nëse Beqiri do të mundet të çojë përpara reformat në sistemin shëndetësor, pasi ai erdhi në krye të shëndetësisë pas një marrëveshje politike midis dy forcave PS-PD, duke mos patur të gjitha tagrat e një Ministri në detyrë./
Përgatiti: Shendeti.com.al