Përshtati në shqip: Blertina Koka
Nëse po përballeni me stresin në punë, probleme personale, ose thjesht jeni mërzitur nga lajmet e fundit, sigurisht që do të keni luhatje humori dhe mund ta keni të vështirë të rimerrni veten.
Studimet kanë treguar se ka disa teknika të thjeshta dhe të shpejta që mund t’i bëni për t’u ndierë më mirë, në kohë afatshkurtër apo edhe afatgjate. Nëse keni pak kohë të lirë dhe po kërkoni për një mënyrë për të luftuar stresin, ja çfarë sugjerojnë ekspertët të bëni.
Bëni ushtrime fizike
Ushtrimet fizike rrisin prodhimin e endorfinës në tru, dhe studime të shumta kanë treguar se të ndierit mirë pas stërvitjes mund të zgjasë të paktën për disa orë. Një studim i ri i publikuar në Revistën Amerikane të Psikiatrisë sugjeron se më pak se një orë stërvitje në javë mund të parandalojë zhvillimin e disa rasteve të depresionit. Gjatë këtij studimi u ndoqën më shumë se 22 mijë norvegjezë për gati 11 vite, ku u zbulua se njerëzit të cilët nuk bënin stërvitje fare ishin 44% më të rrezikuar që të vuanin nga depresioni, krahasuar me ata që stërviteshin të paktën një orë në javë.
Në këtë rast çdo lloj stërvitje (nga ecja e lehtë deri tek sportet e rënda) mund të ndihmojnë për të luftuar stresin e javës.
Takoni një mik të vjetër
Edhe nëse do të telefononi një mik të fëmijërisë që nuk e keni parë prej kohësh ose të takoheni me ndonjë fqinj për të pirë kafe, duke shpenzuar një orë nga dita juaj në një bisedë të këndshme mes miqsh mund të ketë përfitime të shumta për shëndetin mendor. Duke biseduar me një mik apo mikeshë gazmore do të mund të përfitoni edhe ju nga humori i tij/saj i mirë.
Kalojmë shumë pak kohë me miqtë dhe familjarët, një gjë kjo shumë e rëndësishme për lumturinë dhe mirëqenien tonë. Për të rritur sa më shumë humorin, përpiquni të kombinoni stërvitjen me ndërveprimin social, duke marrë edhe një shok/shoqe, apo edhe qen me vete, teksa bëni një shëtitje në park.
Shkruani (dhe reflektoni) për atë që jeni falënderues
Ekspertët rekomandojnë të shkruani tri gjëra në ditë për të cilat jeni falënderues. Në fund të javës, muajit dhe vitit i lexoni për të parë gjërat e mira që ju kanë ndodhur. Kështu do të mund të riktheni në memorie kujtimet e bukura dhe të mbani gjithçka në perspektivë.
Burimi: Health / Shendeti.com.al


