5 mitet për kancerin që nuk duhet t’i besoni

Blertina Koka / Shëndet+

Thuhet se sa më pak të dish më i lumtur je. Por kur bëhet fjalë për kancerin, ato çfarë dëgjojmë rreth sëmundjes na trembin më shumë sesa vetë sëmundja. Ka ardhur koha të korrigjojmë 5 mite të pavërteta në lidhje me kancerin.mitet_kancer

Mit: Njerëzit me lëkurë ngjyrë të errët nuk sëmuren nga kanceri i lëkurës

E vërteta: Ngjyra e lëkurës nuk luan rol në zhvillimin e llojeve të ndryshme të kancerit të lëkurës. Mjekët shpesh herë nuk arrijnë të dallojnë shenjat paralajmëruese të kancerit të lëkurës tek pacientët me lëkurë ngjyrë të errët, të cilat zakonisht gjenden në vende që neglizhohen, si për shembull poshtë thonjve, në pëllëmbë, në thembër, në mukozën e gojës, në qepallë dhe gjenitale. Për këtë arsye pacientët diagnostikohen me kancer shumë vonë, kur bëhet më i vështirë për t’u trajtuar.

Mit: Mbipesha ndikon në zemër, por nuk rrit rezikun për kancer

E vërteta: Sipas Shoqërisë Amerikane të Kancerit, 1 në 5 njerëz që vdesin nga kanceri janë mbipeshë. Duke qenë mbipeshë, rritet rreziku për t’u prekur nga kanceri i prostatës, tiroidet, veshkat, i pankreasit etj.

Mit: Kanceri nuk është sëmundje ngjitëse

E vërteta: Kancerin nuk e merr nga një person që vuan prej tij. Por disa viruse që e shkaktojnë kancerin cilësohen si ngjitëse. Në fakt, gjatë dekadës së fundit virusi i papilomës humane (HPV) ka ndryshuar rrënjësisht demografinë e njerëzve që vuajnë nga kanceri i gojës dhe fytit. Më parë njerëzit që vuanin nga këto lloje kanceri ishin njerëzit që konsumonin duhan dhe pije alkoolike për një kohë të gjatë. Sot 70 për qind e rasteve shkaktohen nga virusi i papilomës humane. Ky virus transmetohet nëpërmjet seksit oral dhe shkakton kancer vite më vonë.

Mit: Nxirja ju mbron nga kanceri i lëkurës

E vërteta: Lëkura e nxirë nga rrezet ultravjollcë nga dielli ose solari kontribuon në shfaqjen e kancerit. Pa harruar të përmendim dëmtimet e tjera, si rrudhat, lëkurë të ashpër, njollat e zeza dhe shenja të tjera të plakjes. Duhet të përdoret me patjetër krem kundër diellit, por më e rëndësishme duhet të mos qëndroni në diell nga ora 11:00 deri në 14:00, kur rrezet ultravjollcë janë tepër të fortë.

Mit: Celulari shkakton kancer

E vërteta: Edhe pse disa studime kanë treguar se celulari shkakton kancer në tru, disa të tjera kanë treguar të kundërtën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin tezën se celulari shkakton kancer. Gjithsesi këshillohet që gjatë ditës të mos flitet më shumë se 20 minuta në celular.

Burimi: Men’s Health

Postime të ngjashme

5 kura shtëpiake për pickimet e mushkonjave
5 arsye pse pjeshkët nuk duhet të mungojnë në dietën tuaj
Pse duhet të hani kikirikë në mëngjes
Si ta ruani avokadon të freskët për më gjatë? Truket e thjeshta që funksionojnë
Temperaturat e larta? Ja cilat ushqime duhet të shmangni dhe çfarë të konsumoni më shumë
Kripa në ushqim: 4 truke për ta reduktuar atë pa humbur shijen
Cila është koha më e mirë për të marrë vitaminën D? Ekspertët japin përgjigje
Tre perime që ndihmojnë lëkurën të shkëlqejë dhe të duket më e shëndetshme gjatë verës