Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Uji është shumë i rëndësishëm për shëndetin. Ai rregullon temperaturën në trup, ndihmon me tretjen dhe heq toksinat e dëmshme nga trupi. Nëse nuk konsumoni mjaftueshëm ujë, ju mund të rrezikoheni nga sëmundje të ndryshme, si alergjitë, astma, lodhje, infeksione të traktit urinar, rritje të nivelit të kolesterolit, plakje të parakohshme, sëmundje me veshkat dhe fshikëzën e urinës etj.
Këta janë 5 shenjat që tregojnë se nuk po pini mjaftueshëm ujë
Keni lëkurë të thatë – Nëse lëkura është e thatë, edhe pasi keni përdorur kremra hidratimi, tregon se trupi ka nevojë për ujë. Uji është thelbësor për të pasur një lëkurë të shëndetshme. Kur lëkura është e hidratuar, ajo është e butë dhe e shndritshme. Për të qenë të hidratuar dhe mbajtur lëkurën të shëndetshme, duhet të pini ujë çdo një orë. Mos harroni të pini vetëm ujë mineral, dhe jo pije që shkaktojnë dehidratim dhe dëmtojnë lëkurën, si alkooli, kafja dhe pijet energjike.
Ju është tharë goja – Nëse keni gojë të thatë, do të thotë se nuk keni konsumuar mjaftueshëm ujë. Duke mos konsumuar mjaftueshëm ujë, ju thahet pështyma, e cila është shumë e rëndësishme për shëndetin e gojës. Mungesa e pështymës në gojë çon edhe në shkatërrimin e dhëmbëve.
Jeni të uritur – Uria ndonjëherë mund të vijë edhe për shkak të mos konsumimit të ujit. Trupi shpesh ngatërron urinë me etjen, prandaj duhet të pini një gotë ujë para çdo vakti.
Keni dhimbje koke – Një ndër shkaqet kryesore të dhimbjes së kokës është edhe dehidratimi. Ju mund të kuptoni nëse dhimbja e kokës vjen si pasojë e mungesës së ujit, nëse dhimbja fillon të përkeqësohet kur jeni duke lëvizur shpejt ose kur përkuleni poshtë.
Nuk urinoni aq sa duhet – Nëse e mbani trupin të hidratuar, ju duhet të urinoni të paktën 6 herë në ditë. Nëse urinoni më pak se 3 herë, do të thotë se nuk po pini mjaftueshëm ujë. Ngjyra e urinës gjithashtu tregon nëse po pini ujë mjaftueshëm. Nëse urina është e pastër, trupi është i hidratuar. Nëse urina ka ngjyrë më të errët, tregon se trupi ka nevojë për më shumë ujë.
Burimi: http://awesomema.com/ / https://shendeti.com.al/


