Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Numri i pacientëve të diagnostikuar me diabet po rritet frikshëm. Sipas specialistëve të shëndetësisë, mjekëve, problematikë mbetet ai komunitet që nuk është diagnostikuar ende. Në fakt, 1 në 2 njerëz nuk e dinë që janë me diabet. Kjo është edhe pankarta e vendosur kudo nëpër insitucione shëndetësore për t’u kujtuar njerëzve rëndësinë e matjes së një glicemie që, me shumë gjasa, mund t’u ndryshojë jetën. Dhe, të dish nëse je apo jo me diabet, nuk kushton shumë. Matja e glicemisë në një farmaci kushton vetëm 50 lekë. Sot, në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit, shoqatat e diabetit si dhe komunitetet mjekësore të mbështetur organizuan një fushatë depistimi falas të popullatës. Të dhënat e marra në orët e para të paradites janë vërtet të rënda. Në 30 matjet e para, 5 prej qytetarëve rezultuan me shifra të larta të sheqerit në gjak dhe këta ishin persona që nuk e dinin se mund të kishin probleme me diabetin.
Sulejman Budo, mjek endokrinolog dhe themelues i Shoqatës së Diabetikëve: “Njerëzit janë më të njohur me këtë sëmundje, por ka ende mosdije. Rreth 50% e popullatës nuk e njohin diabetin. Pra, ka ende për të bërë në këtë drejtim. Kjo edhe për shkak të neglizhencës së vetë njerëzve. Diabeti po përhapet jashtëzakonisht shumë.
“Ne kemi një faktor të brendshëm të trashëguar nga një paraardhës, i cili shpërthen nga faktorët e jashtëm. Ndër faktorët e jashtëm përmendim mungesën e aktivitetit fizik dhe ushqyerjen jo të shëndetshme. Çdo diabetik duhet të jetë njeri normal. Duke mbajtur sheqerin normal në gjak, jemi të mbrojtur nga komplikacionet e diabetit. Ka një rritje të diabetit në moshat e reja, siç ka një rritje të dhjamërisë te moshat e reja”.
Paralelisht me aktivitetet në terren, profesionistët e shëndetësisë u mblodhën në një konferencë në Tiranë.
Klodian Rjepaj, zv.ministër i Shëndetësisë: “Në programet madhore të Ministrisë së Shëndetësisë, së fundmi me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është hartuar një strategji e sëmundjeve joinfektive. Strategji që financon sëmundjet kronike në Shqipëri, me gjithë planin e zbatimit.
“Besoj që është një dimension i ri që po merr sistemi shëndetësor në adresimin e problematikave të cilat tashmë janë bërë shumë të mprehta për shoqërinë tonë, sepse tranzicioni epidemologjik ka kaluar Shqipërinë nga një vend ku peshën më të madhe e zinin sëmundjet infektive, në një vend ku peshën më të madhe e zënë sëmundjet joinfektive të lidhura me stilin e jetesës.
“Falënderoj mjekët e familjes që janë të pranishëm. I ftoj që t’i marrin dhe kolegët e tyre në këto evente sepse janë shumë të rëndësishme për edukimin në vazhdim”.
Nëndrejtoresha e Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Alketa Hila: “Parandalimi është një pjesë shumë e rëndësishme për të qëndruar sa më larg diabetit dhe për të zvogëluar sa më shumë komunitetin e pacientëve e për rrjedhojë rritjen e numrit të qytetarëve të shëndetshëm. Kjo sjell rritje të cilësisë së jetesës së qytetarëve nga njëra anë por edhe ulje të shpenzimeve për kurimin e diabetit nga tjetër. Këto element nuk mund të rrija pa e përmendur dhe si drejtuese e një institucioni financiar.
“Vendosëm që me vetëm 1.2% të shpezimeve për shëndetësinë, të inicionim një projekt siç ishte kontrolli mjekësor bazë, në të cilin zë një vend të rëndësishëm diagnostikimi dhe i diabetit.
“Ka rënë shumë numri i pacientëve që i blejnë vetë medikamentet. Sot mund të mburremi se mbi 90% e tyre marrin falas ose me bashkëpagesë medikamente të listës së barnave të ribursueshme që janë të firmave më prestigjioze të Evropës”.
Florian Toti, kreu i shoqatës së diabetit e njëkohësisht organizator i kësaj konference: “Përhapja e frikshme e kësaj sëmundjeje po rrezikon frikshëm popullatën në mbarë botën.
“Ato që po e dëmtojnë njerëzimin me tepër sesa lufta, me tepër sesa aksidentet automobilistike janë tre elemente shumë të rëndësishme, që cilët kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës: duhanpirja, ushqimi jo i shëndetshëm dhe sedentariteti.
“Jetojmë në një urbanizim toksik. Pra, qytetet janë gjithmonë e më të përmbledhura, gjithmonë e më pak të ofrojnë apo të nxisin aktivitetin fizik, njerëzit janë gjithmonë e më të prirur të lëvizin me mjete të ndryshme, pa ecur apo pa përdorur biçikletat, jetojmë në një ambjent ushqimi toksik, pra kemi një bombardim që nga televizionet, që nga mediat, që nga supermarketet në drejtim të ushqimit dhe jo gjithmonë janë ushqimet më të shëndetshme.
“Dhe mbi të gjitha vende pune toksike, një mundësi shumë e vogël e njerëzve për të lëvizur dhe një strres I vazhdueshëm. Kjo bën që edhe diabeti në gjithë botën të shtohet. Sepse çdo 24 orë, në botë zbulohen 3600 raste të reja me diabet”.
Agron Ylli, shefi i shërbimit të endokrinologjisë në QSUT: “Diabeti sot është një epidemi që po rritet nga viti në vit. Problemi qëndron te ata persona që kanë diabet dhe nuk janë të diagnostikuar, që përbëjnë 46% të popullatës dhe fatkeqësisht diagnostikohen kur fillojnë komplikacionet. Shqipëria paraqet shifra alarmante dhe duhet të përpiqemi bashkë që kjo epidemi të mos rritet dhe të hartojmë strategji se si të përballojmë këto sëmundje”.
Njohja e popullatës me sëmundjen është një sfidë e vazhdueshme për shëndetësinë. Vetëm 50 lekë të vjetra kushton matja e nivelit të sheqerit në gjak, në të gjitha farmacitë. Një shifër e vogël, për të parandaluar një kalvar të madh vuajtjesh dhe komplikacionesh që sjell sëmundja e diabetit.





