Kryefaqja Mjekësi Alternative 8 arsye pse panxhari i kuq është shumë i shëndetshëm

8 arsye pse panxhari i kuq është shumë i shëndetshëm

0
Shpërndaje

Panxhari i kuq përmban shumë lëndë ushqyese dhe vitamina të shëndetshme. Është gjithashtu i mirë për gjakun, ul presionin e lartë të gjakut dhe ndihmon tretjen.

Zbuloni pse panxhari duhet patjetër të jetë më shpesh pjesë e menusë tuaj.

Panxhari i kuq është i mirë për sistemin kardiovaskular

Panxhari i kuq përmban vitamina të rëndësishme B, acid folik dhe një gamë të tërë mineralesh, duke përfshirë hekurin dhe betainën. Ngrënia e panxharit ka efekte anti-inflamatore, prodhon gjak, rrit performancën tonë mendore dhe fizike dhe është e mirë për sistemin tonë kardiovaskular. Përveç kësaj, panxhari është ushqimi ideal për të patur linja të holla, sepse 100 gramë përmbajnë vetëm 41 kcal dhe 0,1 gramë yndyrë.

Panxhari i kuq ul tensionin e gjakut

Panxhari ka një efekt pozitiv në presionin e gjakut. Arsyeja për këtë është përmbajtja e lartë e nitrateve në panxhar. Ajo bën që enët e gjakut të zgjerohen. Rezultati: oksigjeni dhe lëndët ushqyese mund të transportohen më mirë dhe tensioni i gjakut bie.

Ky efekt tashmë është konfirmuar në studime të ndryshme, siç është edhe studimi i vitit 2012 i publikuar në Nutrition Journal. Rezultatet treguan se vetëm 1-2 gota lëng panxhari ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e presionit të lartë të gjakut. Në pacientët që vuanin nga tensioni i lartë, një rënie e dukshme e presionit të gjakut ndodhi pas vetëm 3 orësh, duke arritur kulmin pas 6 orësh dhe zgjati deri në 24 orë.

Duhet të theksohet se foshnjat dhe njerëzit që janë të prirur ndaj gurëve në veshka nuk duhet të konsumojnë panxhar. Për pjesën tjetër vlen sa vijon: mos ngurroni ta konsumoni atë!

Ndihmon lidhur me aneminë dhe ka një efekt gjak-formues

Për shekuj me radhë, panxhari i kuq është përdorur si një ilaç për aneminë. Kjo, sepse folati dhe përmbajtja e lartë e hekurit në panxhar ndikojnë ndjeshëm në formimin e rruazave të kuqe të gjakut. Prandaj, konsumimi i panxharit të kuq ka një efekt gjak-formues. 200 gram panxhar i kuq përmbajnë 166 mikrogramë acid folik dhe 1.8 miligramë hekur. Në varësi të moshës dhe gjinisë, kjo sasi mbulon gjysmën e kërkesës për acid folik të një të rrituri dhe 18% të marrjes së hekurit të rekomanduar.

Acidi folik është i nevojshëm për ndarjen e qelizave, formimin dhe rigjenerimin e qelizave, si edhe për formimin e gjakut. Në veçanti, gratë shtatzëna duhet të sigurohen që të marrin mjaftueshëm acid folik, sepse mungesa e acidit folik mund të çojë në abort dhe lindje të parakohshme, keqformime dhe rritje të vonuar të embrionit.

Panxhari i kuq ndihmon në mirëfunksionimin dhe pastrimin e mëlçisë

Substanca magjike betainë siguron gjithashtu një efekt tjetër fantastik të panxharit: ndihmon në funksionimin e mëlçisë dhe e mbështet atë në eliminimin e toksinave. Nga njëra anë, betaina stimulon funksionin e qelizave të mëlçisë dhe nga ana tjetër forcon tëmthin dhe mban kanalet të shëndetshme. Në një studim të Universitetit të Cambridge të vitit 2013, u tregua se lëngu i panxharit mbron nga dëmtimi i mëlçisë dhe rrit aktivitetin e disa enzimave përgjegjëse për metabolizmin. Kësaj i shtohet edhe efekti i uljes së kolesterolit, i cili gjithashtu çon në uljen e yndyrës së grumbulluar në mëlçi.

Antioksidantët që përmban panxhari parandalojnë sëmundjet kronike

Panxhari i kuq gjithashtu ka një densitet të lartë antioksidantësh, më së shumti betainë. Antioksidantët ndihmojnë qelizat tona të mbrohen nga stresi oksidativ. Kjo shkaktohet nga radikalet e lira dhe formon përbërje oksigjeni shumë reaktive që shoqërohen me zhvillimin e kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Stresi oksidativ shkaktohet ose përshpejtohet nga ndikime të tilla si rrezatimi UV, tymrat e shkarkimit ose mjekimi dhe çon në dëmtimin e qelizave. Nga ana tjetër, antioksidantët kanë një efekt anti-inflamator dhe mund të parandalojnë sëmundjet inflamatore si astma, artriti ose parandalojnë sëmundjet jo-inflamatore si arterioskleroza, Alzheimer ose Parkinson.

Është ushqimi ideal për atletët

Panxhari i kuq ka një efekt edhe në performancën tonë në sport. Këtu hyn sërish në lojë nitrati i përmendur tashmë: Për shkak të efektit të tij, transportohet më shumë oksigjen dhe ngarkesa në zemër zvogëlohet. Kjo tashmë është konfirmuar nga disa studime. Atletët me performancë të lartë ishin në gjendje të vraponin deri në 3% më shpejt dhe çiklistët me biçikletë deri në 4% më shpejt. Pra, nëse doni të mbështeteni në dopingun natyral për aktivitetin e ardhshëm sportiv, duhet të pini dy gota lëng panxhari disa orë më parë në mënyrë që të arrini përqendrimin më të lartë të mundshëm të nitratit në trup.

E mban trurin tonë në formë edhe në pleqëri

Nitrati jo vetëm që ndikon në forcën tonë të muskujve, por edhe në trurin tonë. Enët e gjakut të zmadhuara gjithashtu rrisin rrjedhjen e gjakut në tru. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në pleqëri, pasi përcakton metabolizmin e trurit tonë dhe aktivitetin nervor. Në Universitetin Wake Forest në Karolinën e Veriut (2016), personat e kampionuar mbi moshën 69 vjeç përfshinë në dietën e tyre ushqimore pirjen e një gote lëngu panxhari çdo ditë, për një javë. Rezultati i dietës me panxharin e kuq ishte një përqendrim më i mirë dhe aftësi organizative më të larta.

Fibrat e panxharit të kuq ndihmojnë sistemin tretës

Panxhari i kuq gjithashtu përmban shumë fibra. Kushdo që merret apo zbaton dieta të shëndetshme, nuk mund të shmangë temën e fibrave. Ato janë thelbësore për shëndetin tonë dhe na mbrojnë nga obeziteti, diabeti, tensioni i lartë i gjakut dhe sulmet në zemër. Ato sigurojnë një ndjenjë të ngopjes dhe ndihmojnë aktivitetin e zorrëve. Konsumimi i rregullt i panxharit të papërpunuar ose të zier mund të zvogëlojë rrezikun e kapsllëkut, hemorroideve ose divertikulitit. Panxhari i kuq jo vetëm që mbështet sistemin tonë tretës, por gjithashtu parandalon urinë.

Përshtati në Shqip: Marsida Bregasi / Burimi: https://www.eatbetter.de/8-gruende-warum-rote-bete-gesund-ist#rote-bete-senkt-den-blutdruck-19891

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here