Infertiliteti prek rreth 2 në 10 çifte në Shqipëri pasi sipas mjekëve 15-20% e nuk arrijnë të sjellin në jetë një fëmijë.
Për t’u ardhur në ndihmë këtyre çifteve, në maternitetin “Koço Gliozheni” është ngritur qendra e riprodhimit mjekësor të asistuar, teksa drejtori i maternitetit, Genci Hyska shpjegon mënyrën për të përfituar nga kjo procedurë me kosto të lartë.
“Asnjë paciente nuk kalon në konsultë drejtpërsëdrejti me institucionin tonë. Çdo paciente do kalojë përmes sistemit të referimit dhe pasi plotëson dokumentacionin tek mjeku i familjes, tek gjinekologu obstetër, gjinekologu i qendrës shëndetësore apo të qytetit ku banon, drejtohet tek ne dhe gjithë dokumentacionin që e ka plotësuar, ekipi i mjekëve që merren me procedurën, bën triazhimin e pacienteve që plotësojnë ose jo kërkesat”, tha Hyska.
Një nga kriteret përfitues është mosha e nënës.
“Ka një kriter moshe, që është deri në 42 vjeç. Gjithsej kemi 69 paciente që janë plotësuar për të bërë procedurën, nga këto 27 kemi mbyllur dhe i janë nënshtruar. Kemi 19 raste me transfertë dhe nga këto kemi 8 me sukses”.
Një fond prej 25 milionë lekësh është parashikur në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për periudhën 2025-2027, për të mbështetur falas rreth 150 pacientë, që dëshirojnë të jenë prindër.
Në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’ është ngritur qendra e parë kombëtare publike e teknikave të riprodhimit të asistuar.
Me buxhetin e vitit 2025, ky shërbim do të ofrohet edhe në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, duke e shtrirë më tej mbështetjen për familjet që dëshirojnë të sjellin në jetë një fëmijë.


