Një gjendje hormonale që prek 1 në 8 gra në mbarë botën ka marrë një emër të ri, me shpresën për të përmirësuar diagnostikimin dhe trajtimin e saj. Tashmë ajo do të quhet sindroma poliendokrine metabolike ovariane (PMOS), në vend të sindromës së vezoreve policistike (PCOS).
Studiuesit dhe mbështetësit e këtij ndryshimi thonë se emri i mëparshëm ishte i pasaktë, pasi e reduktonte një çrregullim kompleks hormonal në një keqkuptim rreth “kisteve” dhe një fokus të ngushtë tek vezoret. Sipas Shoqatës Endokrinologjike, kjo ka ndikuar në diagnoza të humbura dhe trajtime të pamjaftueshme.
“Problemi është se në vezore nuk ka në të vërtetë kiste, gjë që krijon shumë konfuzion,” tha Dr. Melanie Cree, autore e artikullit të publikuar në revistën The Lancet dhe eksperte e endokrinologjisë pediatrike në Universitetin e Colorado Anschutz. “Shpresa jonë është që një emër më i saktë dhe gjithëpërfshirës të ndihmojë në përmirësimin e kujdesit ndaj pacienteve.”
Ndryshimi i emrit u publikua të martën në revistën mjekësore The Lancet, pas 14 vitesh bashkëpunimi mes ekspertëve dhe pacienteve.
PMOS karakterizohet nga çrregullime hormonale që mund të ndikojnë në peshë, metabolizëm, shëndetin mendor, sistemin riprodhues dhe lëkurën. Gjendja lidhet edhe me sindromën metabolike, e cila rrit rrezikun për diabet të tipit 2, sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.
Shkaktarët e saktë të PMOS ende nuk dihen, por ekspertët besojnë se faktorët gjenetikë dhe obeziteti luajnë rol të rëndësishëm.
Simptomat ndryshojnë nga personi në person, çka e bën diagnozën më të vështirë. Ato përfshijnë cikle menstruale të çrregullta dhe nivele të larta të hormoneve androgjene, të cilat mund të shkaktojnë akne, rritje të tepërt të qimeve ose rrallim të flokëve. Gjendja mund të shoqërohet edhe me folikula në vezore, por jo domosdoshmërisht me kiste.
Sipas ekspertëve të Cleveland Clinic, PMOS është shkaku më i zakonshëm i infertilitetit tek gratë, pasi mungesa e ovulacionit të rregullt mund të pengojë shtatzëninë. Gjithashtu, kjo gjendje mund të rrisë rrezikun për komplikacione gjatë shtatzënisë, si diabeti gestacional ose lindja e parakohshme, megjithëse shumica e grave mund të kenë shtatzëni të suksesshme.
Trajtimi kryesor mbetet ndryshimi i stilit të jetesës, duke përfshirë ushqimin më të shëndetshëm, aktivitetin fizik dhe gjumin cilësor. “Tek shumë gra me PMOS ka nivele të larta të insulinës, e cila ndikon që vezoret të prodhojnë më shumë testosteron. Pikërisht testosteroni i lartë shkakton shumicën e simptomave,” shpjegoi Dr. Cree.
Trajtime të tjera përfshijnë medikamente që ndihmojnë në kontrollin e insulinës, barna që bllokojnë androgjenet dhe kontraceptivë hormonalë. Mjekët theksojnë se trajtimi duhet të përshtatet sipas simptomave dhe nevojave të çdo pacienteje.
Ekspertët shpresojnë se emri i ri do të rrisë ndërgjegjësimin për natyrën reale të kësaj gjendjeje dhe do të ndihmojë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për gratë në të gjithë botën.


