Anila Godo: Mjekësia falas? Një lojë fjalësh

Denisa Canameti

“Ndërmjet meje dhe politikës nuk pati ndonjë dashuri  aq  të madhe, mua nuk më pëlqeu dhe aq politika e unë nuk i pëlqeva asaj”. Kështu shprehet Anila Godo kur i kujtojmë ditët e saj në politikë. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur flasim për Anilën si mjeke. Duket se mjekësia e ka dashur atë dhe ajo e ka dashur mjekësinë pasi, siç e thotë edhe vetë, është ndjerë gjithnjë mirë në “rrobën e mjekut, aq sa dukej sikur kishte lindur për t’u bërë mjeke”.

Anila Godo (5)Në një intervistë e gjatë, sigurisht të pamjaftueshme për të përmbledhur gjithë ekspericën e saj në QSUT apo në poste të tjera drejtuese, Anila na tregon për marrëdhënien e saj me familjen, me miqtë, me kolegët etj.

Shumë vite në fushën e mjekësisë, jeni penduar ndonjëherë për këtë zgjedhje?

E kam bërë këtë zgjedhje me ngulm e pasion  40 vjet më parë. Jam ndjerë gjithnjë mirë në rrobën e mjekut,  aq sa të më dukej se kisha lindur për t’u bërë mjeke. Jam ndjerë vërtet e realizuar në profesionin tim e jam e sigurt që do të ribëja edhe sot të njëjtën zgjedhje. Duket si  e tepruar e pa mend të thuash se dikujt “i shkon profesioni”, por sidoqoftë ndodh që të ndjesh këtë gjë e atëherë e konsideron veten me fat në këtë drejtim.

Cilat janë sfidat e një mjeku në Shqipëri, çfarë ka qenë sfidë për ju?

Një mjek në Shqipëri  apo në çdo vend tjetër të botës, gjatë tërë jetës së tij do jetë i përballur me sfida të shumta, të ndryshme. Asnjëherë nuk të mjafton koha, pa dashur gjendesh e përkushtuar kokë e këmbë, ndërsa ke edhe një familje që do kohën e vet. E ndodh të ndihesh në vështirësi të vendosësh ekuilibrat e duhur. Unë kam qenë shumë e favorizuar në këtë drejtim, familja më ka mbështetur pafundësisht, deri edhe më ka nxitur  të bëj mirë punën në spital edhe pse duke i “hyrë në hak” jo rrallë detyrimeve në familje. Sidoqoftë, të bësh mirë në të njëjtën kohë mjeken, nënën, bashkëshorten, vajzën etj, është një sfidë e mprehtë.

Për më tej një mjek, më shumë se çdo profesionist tjetër, është gjithnjë me vëmendjen ngrehur ndaj arritjeve shkencore të kohës, me dëshirën e pafund të jetë pjesë e gjallë e tyre; nuk di si ndjehet një mjek në SHBA apo në një vend të Evropës me standard të lartë, por një mjek në Shqipëri përballet me dëshirën për të punuar në një ambient e me një teknologji më të përparuar. Ndoshta kjo përbën sfidë për çdo mjek, kudo që të jetë, pasi është normale që të kërkohet me shumë jetë, e jetë më e shëndetshme.

qsutJam pediatre, onkohematologe, ndjek fëmijë edhe me patologji të rënda. Ndodh që dikush largohet nga jeta,  sfidë që të ther në shpirt.  Ndodh që ndërsa i thua një prindi që fëmija i tij mund edhe të mos jetojë e ndërkohë i kërkon medikamente apo ekzaminime me kosto financiare për familjen, sfidë që të shkakton djersë të ftohta.

Nëse do t’ju duhej të shkruanit 5 fjali për historinë e mjekësisë përgjatë këtyre viteve që ju keni qenë pjesë e saj, cilat do të ishin ato pesë fjali që do t’i vinin më shumë për shtat?

Standard dukshëm më i lartë (diagnozë e terapi) në shumë degë të mjekësisë (onkologji, kardiologji invasive, kardiokirurgji, neurokirurgji etj etj), por i centralizuar kryesisht në Tiranë.

Standard mjaft i mirë në strategjitë parandaluese (politika vaksinale) me impakt të dukshëm pozitiv (zhdukje e disa patologjive, rënie e morbozitetit e mortalitetit për disa të tjera).

Zhvillimi i sektorit privat me benefitet komplementare e kompetitive për shërbimet mjekësore të munguara apo të mangëta në atë publik.

A keni ndonjë peng përgjatë gjithë këtyre viteve karrierë? A janë treguar shqiptarët mjaftueshëm mirënjohës me ju, për punën tuaj?

Nuk më duket të kem pasur ndonjë peng të rëndësishëm për t’u përmendur. Kam ndjerë  e gëzuar mirënjohjen e pacientëve të vegjël, familjeve të tyre. Jam ndjerë e vlerësuar nga stafet drejtuese të institucioneve ku kam punuar. Nëse nuk kapem pas vogëlsirave, situatave apo personave të veçantë që diku më kanë zhgënjyer e mërzitur. Nëse shoh qetë e gjerë, them se në përgjithësi jam ndjerë mirë në jetën time në spital, fakultet etj.

Karrierë do të thotë punë, përkushtim, kohë, a ju kanë penguar këto të tria në jetën tuaj si grua, si nënë…

E thashë edhe më lart, është e vështirë t’i bësh mirë të tëra. Kam pasur fatin e një familjeje që më ka kuptuar, justifikuar, ndihmuar, mbështetur, nxitur e kështu ia kam arritur. Për shembull, kam  bërë një specializim 9-mujor në Belgjikë në vitin ’95, kur djemtë ishin vetëm 10 vjeç dhe 7 vjeç. Sakrificë e madhe për tërë familjen, e sa të tjera e sa të tjera.

A ka pasur ndonjë moment gjatë karrrierës suaj ku familja nuk ju ka mbështetur?

Absolutisht jo, përkundrazi. Në fakt çdo lloj vendimi në karrierën time e kam marrë pasi e kam diskutuar e kam kërkuar mendimin e tërë familjes. Nuk kam vendosur kurrë vetëm me kokën time, jo se nuk më lejohej, por se kisha nevojë për mendimin, mirëkuptimin  e aprovimin e familjes. Lidhja që kemi në familje, besoj se vazhdon të jetë pasuria më e madhe  që kemi.

A do t’u këshillonit fëmijëve tuaj të studionin mjekësi, të ecin në hapat tuaj?

Jam vonë për këshilla, pasi djemtë e mi e kanë gjetur rrugën e tyre jashtë mjekësisë. Nuk i kam nxitur të bëheshin mjekë, nuk do t’i kundërshtoja nëse ndonjëri prej tyre do ta kishte pasion mjekësinë. Ndoshta po ju dukem konfuze e disi oportuniste, edhe unë nuk jam shumë e kthjellët nëse nuk doja për ta një jetë të vështirë ku “harxhohesh” shumë shpirtërisht e fizikisht apo thjesht nuk doja t’i influencoja. E vërteta është që herë pas here kam një keqardhje që asnjë nga djemtë e mi nuk u bë mjek. Të shpresojmë për nipërit a mbesat.

A ia keni besuar profesorëve tanë edukimin e fëmijëve tuaj apo më mirë të shkollohen diku jashtë vendit?

Djali i madh ka kryer në Itali një pjesë të edukimit,  po ashtu i dyti po përfundon edukimin në Romë. Kisha dëshirë për ta një diplomë që t’u ofronte akces më të mirë për punësim, por më duket se më shumë kisha dëshirë të kalonin një pjesë të rëndësishme të formimit të jetës së tyre në një nga vendet që do t’u transmetonte një kulturë, qytetari e shumë vlera të tjera të qytetërimeve të zhvilluara.

Çfarë do të thotë kënaqësi për një mjek?

Një diagnozë e saktë dhe e shpejtë, një pacient i rëndë që del nga gjendja. Jam ndjerë e lumtur kur kam vallëzuar në dasmën e  ish-pacientes time, kur vizitoj fëmijën e ish-pacientit; kur vjen ndonjë djalë a vajzë e rritur, më hidhet në qafë e më thotë “doktoresha nuk po më njeh , jam…”. Të shohësh ish-pacientët e tu të rrisin ëndrrat e tyre, është vërtet gëzim i madh.

Njiheni për qetësinë dhe dashamirësinë, ndërkohë që shumë thonë se të qëndrosh shumë vite në shëndetësi edhe nervat “konsumohen”. Si arrini të qëndroni kaq e qetë në një kohë kur “presioni” i punës është shumë i madh?

Them se në përgjithësi çdo njeri me kalimin e viteve bëhet “më i mirë”, në kuptimin më i qetë, më zemërgjerë, më tolerant, më i përmbajtur. Për sa i takon punës në spital, nuk jam e të njëjtit mendim me ju. “Konsumimi”, që është më se real, paradoksalisht të bën më të ndjeshëm, më të duruar, më të përgjegjshëm, më të ndërgjegjshëm e shpirtërisht më të përkushtuar. Me sa duket janë ligjet e natyrës, diku humbet, po diku tjetër fiton.

Sa larg e shikoni mjekësinë tonë në raport me mjekësinë jashtë vendit?

Jo, nuk e shoh larg. Kemi mjekë mjaft të përgatitur, që në ballafaqime me kolegët e tyre të botës e tregojnë nivelin krejt të krahasueshëm. Jemi të gatshëm të shfytëzojmë teknologjitë e reja. Duhet të paktën dyfishuar buxheti për shëndetësinë; duhet investuar në përgatitjen e menaxherëve në fushën e mjekësisë; detyrimisht vazhdimësi në reforma (ndërrimi i më duket 7 ministrave në 10 vjet bashkë  me ndërrimet e drejtorëve, shefave  etj. mendoj se ka qenë një dëm i madh për shëndetësinë); strategji e reflektuar në buxhet për edukimin në vazhdim. Po të vazhdoj kështu, dukemi larg, por me një politikë shëndetësore që drejton vëmendjen në të gjitha drejtimet, mund të ecim shpejt.

E keni pasur ndonjëherë mendimin për të ikur diku tjetër, me pagë më të mirë?

Nuk e kam pasur kurrë mendimin të largohem nga vendi.  Arsyet duket se ishin disa. Kur u hapën udhët   nuk isha aq e re në moshë për “të nisur nga fillimi”, kisha familjen dhe dy fëmijë të vegjël, nënën, babanë, motrën, nga të cilët nuk imagjinoja të ndahesha. Ndoshta frika a do isha njëlloj e vlerësuar dhe e “rëndë” në vend të huaj . Ndoshta dëshira për të jetuar ndryshimet që ëndërronim që kur kishim lindur, shpresa që vendi do të ndryshonte shpejt e do të na ofronte Evropën e ëndërruar. Nuk e di, por në familjet tona nuk është diskutuar kurrë largimi nga vendi, as në ditët e vështira të ’97-s.

Sa e vështirë është për një femër të qëndrojë në krye? Ju keni qenë edhe ministre…

Nuk jam ndjerë e paragjykuar si femër në poste të larta drejtuese, asnjëherë. Pra nuk kam asnjë akuzë për askënd.

Si e keni pritur këtë post? Çfarë përgjigje u dhatë skeptikëve që këtë post e panë si dhuratë?

Kam hezituar mjaft për të pranuar postin e ministres. Nuk ishte çështje frike, isha mësuar me sfidën e të qenit lider, por isha e përgjegjshme mbi rëndësinë e përgjegjësisë që po pranoja, pra ishte e paevitueshme njëfarë pasigurie nëse do arrija të bëja plotësisht atë që dëshiroja për shëndetësinë. Sidoqoftë sfidat tërheqin fort e unë doja vërtet  të isha në krye e promotore e ndryshimeve për të cilat diskutonim e debatonim vazhdimisht me kolegët. Kështu pranova e iu vura punës fort, me një përkushtim të pazakonshëm deri në sakrificë.

Nuk më mbetej kohë të merresha me dashakeqësit. Ndjesë nëse shprehem pak egër. Duke lënë mënjanë modestinë, u kujtoj skeptikëve se vija në atë post me një background mjaft të pasur si drejtuese në shëndetësi, në fushën akademike e në botën shkencore , të bazuar në profesionalizmin tim si mjeke e në mësimdhënie. Të më falni, por besoj se nuk kanë qenë të shumtë ministrat me CV-në time. Dhurate për kë? Për mua? M’u deshën të paktën 3 javë të merrja vendimin për të pranuar. Për babanë tim? Është për të qeshur  se pyetjes sime “Ç’të bëj, të pranoj apo jo?” ai iu përgjigj me shumë “jo” se “po”. Ndoshta dikush e ka të vështirë ta besojë, por kjo nuk më jep asnjë ndjesi.

Thonë që duhet të kesh karakter të fortë që të “mbijetoni”në politikë…

Në fakt mbijetova, por jo gjatë. Ndërmjet meje dhe politikës nuk pati ndonjë dashuri aq  të madhe, mua nuk më pëlqeu dhe aq politika e unë nuk i pëlqeva asaj.

Nuk është edhe aq e hijshme të flasësh për veten. Si drejtuese përgjithësisht jam e paanshme, tolerante, dashamirëse e zemërgjerë, por me një vullnet të fortë për të arritur një synim. Më pëlqen të shpreh hapur atë që mendoj. Shfaqem karakter mjaft i fortë ndaj pazarllëqeve të çdo fushe e niveli e ndaj çdo lloj afere korruptive. Në këto raste i humbas cilësitë që shkrova më lart.

U largova nga posti i ministres me kokën më lart se ditën kur fillova.

Edhe pse në poste drejtuese asnjëherë emri juaj nuk është lakuar për jetë luksi, për çanta firmato etj…

Postet drejtuese kanë ndikuar fare pak në ekonominë time, pasi diferencat në paga janë të pakta. Çantat firmato me çmime “të çmendura” nuk më japin kënaqësi të veçantë, ndofta do më bënin të ndjehesha disi në siklet. Nuk di të bëj mirë llogaritë e mia, jam disi dorëlëshuar, por e respektoj paranë, punoj shumë në spital, fakultet e në kohën e lirë edhe në sektorin privat, për të fituar më mirë.

Ekonominë ma ka përmirësuar mjaft ndihma nga prindërit. Jetoj mesatarisht mirë, por larg çdo lloj luksi. Sidoqoftë, luksi i tepruar më habit, më duket një kotësi pa fund e më krijon një ndjesi  jo të mirë, ose edhe më keq.

Nga cili kostum shikohet dhe vlerësohet më mirë sistemi shëndetësor?

Do të ishte mirë t’i provoje tërë kostumet, atë të drejtuesit e atë të sanitares, nëse do doje një informacion të plotë e të vërtetë. Sidoqoftë e pranoj se të qenët 1 vit në krye të shëndetësisë ishte një përvojë informative e veçantë, shumë gjëra i shihja për herë të parë e nga këndvështrime më të drejta.

Ju jeni edhe pedagoge. Si e vlerësoni punën me studentët? Thuhet se shkolla po shkon drejt degradimit. I kujt është faji?

E bëj me pasion pedagogen. I dua studentët, përpiqem t’u transmetoj dijet, por shpesh edhe vlera të tjera. Nuk do të isha kaq pesimiste. Në fakt, jam e ndërgjegjshme që në fushën e arsimit të lartë ka shumë probleme, por kam besim në zgjidhjen e njëpasnjëshme të tyre. U hapën në mënyrë të tepërt dyert e arsimit privat, e u bë mirë të rritej niveli i shkollimit, por u cenua shumë cilësia e mësimdhënies. Duhen përcaktuar e zbatuar të gjitha rregullat e  licencimit, funksionimit, akreditimit në IAL, në përputhje të plotë me hapësirën evropiane të arsimit të lartë, në kuadër të procesit të Bolonjës.

Si ish-ministre e Shëndetësisë, sa larg realitetit mendoni se janë konceptet “mbulim universal”, “testim”, “chek-up falas”…

Mund të flitet për “mbulim universal”, “chek-up falas”, por  jo për mjekësi falas. Kjo më duket lojë fjalësh aq më shumë në një ekonomi ku buxheti për shëndetësinë përbën 3% të GDP-së. Rëndësi ka të menaxhosh mirë këtë buxhet të pamjaftueshëm, ta bësh sa më të efektshëm; paraja për shëndetësinë, të qarkullojë pa humbje të pajustifikuara e sa më shumë të jetë e mundur, 1 plus 1 të bëjnë 2. Me standardet që ofron sot shkenca mjekësore e me pretendimin e drejtë që ka çdokush për jetëgjatësinë e cilësinë e jetës, është e pamundur të “mbulosh” çdo gjë ose  në të kundërt do cenosh cilësinë dhe standardin e shërbimit të ofruar, por ne duhet të synojmë njëkohësisht gjerësinë e thellësinë.

Nëse do të ktheheshit dhe një herë në atë post, ç’do të bënit në 300 ditët e para për shëndetësinë?

Nuk është e thjeshtë ta parashihja, pasi normalisht duhet më parë të vlerësoja standardet që do të gjeja në momentin e kthimit, për të dizenjuar më pas prioritetet e strategjitë përkatëse. Mendoj se vazhdimësia ka vlerë, krahas reformave të reja.

A janë mjekët “ngërçi” i sistemit tonë shëndetësor?

Mjekët ngërçi? Absolutisht jo! Këto figura të mrekullueshme janë aktorë të bukur që do të humbisnin në një skenar të shkruar keq.

Postime të ngjashme

Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Dëshmi/ “Në laboratore të ndryshme, merrja përgjigje të ndryshme analizash, nuk dija cilin bakter të mjekoja?!”
I infektuar dhe vetë me Covid-19, burri nga Kamza çon gruan në spital: Se lija dot të vdiste
Foto/ Materniteti "Mbretëresha Geraldinë" në kushte skandaloze
Infermieria, profesioni që të zgjedh
Korçë/Prindërit e fëmijëve me autizëm kërkojnë kabinet dentar
Ashensorët jashtë funksionit, pacientët zvarriten shkallëve
Mungon ilaçi/ Pacienti: Më mbajnë me Morfinë