Ministrja Sala: Do të ngrihet Instituti Kombëtar i Tumoreve! Dializa dhe check up i kalojnë shtetit

Qeveria miratoi ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve, i pari i këtij lloji në vend, i cili do të ndërthurë trajtimin klinik, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirqenies Sociale, Evis Sala, tha pas mbledhjes së qeverisë se institucioni do të ndërtohet sipas modeleve europiane, duke marrë si referencë Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano.

“Shqipëria, për herë të parë, do të ketë një Institut Kombëtar të Tumoreve sipas modeleve europiane. Kemi marrë si shembull modelin e Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano,” tha Sala.

Instituti do të ketë tri fusha kryesore veprimi. E para do të jetë klinike dhe do të përfshijë kirurgjinë, kimioterapinë dhe radioterapinë. Dy fushat e tjera do të jenë mësimdhënia dhe kërkimi shkencor, ky i fundit i pari i këtij lloji në vend.

Brenda strukturës kërkimore do të ngrihet një njësi për studimet klinike, e cila do t’u krijojë mundësi pacientëve të përfshihen në studime ndërkombëtare.

“Njësia e studimeve klinike ka rëndësi të veçantë, sepse u mundëson pacientëve të bëhen pjesë e studimeve klinike ndërkombëtare,” tha ministrja.

Sipas Salës, përfshirja e institutit në rrjetin europian të qendrave shkencore do të krijojë gjithashtu mundësi për përfitimin e fondeve europiane për barna dhe teknologji.

“Duke qenë pjesë e rrjetit europian të qendrave shkencore, do të kemi mundësi të përfitojmë fonde europiane si për barna, ashtu edhe për teknologji,” tha ajo.

Instituti do të shërbejë edhe si qendër koordinuese për rrjetin e pikave të trajtimit. Aktualisht funksionojnë tetë pika, ndërsa një e nëntë pritet të hapet në Fier.

Hiqet kufiri i moshës për check up, dializa dhe check up i kalojnë shtetit

Qeveria miratoi gjithashtu heqjen e kufirit të sipërm të moshës për programin e kontrollit bazë shëndetësor. Çdo qytetar nga mosha 35 vjeç e lart do të ketë të drejtë ta përfitojë shërbimin falas.

“Për herë të parë hiqet tavani moshor për shërbimin e check-up-it. Çdo qytetari të moshës 35 vjeç e sipër do t’i ofrohet kontrolli falas,” tha Sala.

Sipas saj, duke nisur nga shtatori, shërbimi do të përfshijë edhe qytetarët mbi 70 vjeç.

Një tjetër vendim lidhet me kalimin e shërbimeve të check-up-it dhe dializës nën administrimin e shtetit. Kontratat aktuale, të ofruara nga koncesionarët, përfundojnë përkatësisht në shtator dhe nëntor.

“Shërbimi i check-up-it dhe ai i dializës do të merren në dorëzim dhe do të ofrohen nga shteti,” tha ministrja.

Postime të ngjashme

Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Rreth 16 milionë kg mish derri nga Brazili, BE e ndaloi, Shqipëria vazhdon të importojë me shumicë
Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën