Denisa Canameti
Ngjarjet e ditëve të fundit në shëndetësi janë shoqëruar me një valë diskutimesh dhe polemikash. Një sistem shëndetësor i vënë në pikëpyetje, një sistem shëndetësor i trazuar, i qortuar, i kundërshtuar edhe nga institucionet që lidhen drejtpërdrejt me të.
Çështja e dinjitetit të mjekut ka marrë një kthesë të paparashikuar dhe të pamenduar ndonjëherë, ku vetëm brenda pak ditëve disa mjekë e infermierë dhunohen. Për të diskutuar të gjitha këto problematika, gazeta “Shëndet+” iu drejtua presidentit të Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi.
A po ndikojnë ngjarjet e fundit që po ndodhin në fushën e shëndetësisë, si për shembull, përplasja mjekë-ministri për testimin, në krisjen e marrëdhënies midis mjekëve dhe pacientëve?
Është e vërtetë. Duke përfituar nga dhuna mediatike dhe psikologjike që po zhvillohet ditët e fundit nga ana e ministrisë dhe nga media, duke i zmadhuar gjërat, duke hedhur baltë mbi bluzat e bardha, njerëzit e papërgjegjshëm e çuan këtë në dhunë fizike.
Kjo është problematika. Ne nuk jemi kundër kualifikimit të bluzave të bardha, nuk jemi kundër analizimit të pikave të dobëta dhe pikave të forta dhe për t’i ndryshuar ato në kah pozitiv, por nuk jemi pro atyre testimeve që kanë një prapavijë politike, që rrezikojnë punonjësit e shëndetësisë .
A keni pasur takim me ministrin e Shëndetësisë? A është marrë një mendim juaji lidhur me pezullimin nga puna të infermieres në fjalë?
Në fakt, ligji ia jep të drejtën urdhrave profesionalë, është Urdhri i Infermierit që e ka në kodin etik për ta ndëshkuar atë infermiere. Këtu tek ne tejkalohen kompetencat, këtu tek ne i ka marrë ekzekutivi. Drejtoresha pezullon menjëherë nga puna infermieren apo mjeken, pa dëgjuar mendimin e kolegëve të saj, pa dëgjuar mendimin e saj. Kemi një ekzekutim pa gjykim. Për mua, po ndodh ekzekutimi pa gjykim. Siç ndodhnin ekzekutimet në 45’. Kush është ky? Ka qenë ballist! Plumbin.
Pa e gjykuar se çfarë ka bërë, si e ka bërë, pse e ka bërë, sa meriton të gjykohet, sepse edhe masat ndëshkimore janë të ndara sipas shkallës së fajit, të gabimit. Gjykimin duhet t’ia bëjnë ata që janë të autorizuar për të bërë gjykimet e personelit shëndetësor dhe këtë e bëjnë urdhrat profesionalë. Por drejtoritë e institucioneve, me urdhra nga lart, nuk po presin që me këto probleme të merren ata që kanë të drejtën sipas ligjit, por e tejkalojnë ligjin.
Cilat ishin masat që duhet ishin marrë? Njerëzit do të shfaqnin pakënaqësi nëse infermierja do të lihej në punë…
Në bazë të ligjit urdhrat profesionalë mbrojnë pacientin nga kequshtrimi i profesionit . Denoncimet e familjarëve për kequshtrim të profesionit duhet të bëhen tek këto urdhra, dhe jo nëpërmjet formave të internetit. Tek këto këshille etike, tek këto komisione të edukimit profesional, mirëpo është tejkaluar. Po krijohet një kulturë e keqe në Shqipëri, që drejtohuni në media, sepse po u drejtove në media punonjësit e shëndetësisë ekzekutohen. Urdhri i Infermierit dhe Urdhri i Mjekut nuk ka asnjë lloj ankese nga familjarët. Po ku venë këto? Ankesat duhet të depozitohen ose tek mediat, që të bëhet shfaqje mediatike dhe nuk po shoh një shfaqje mediatike në të mirë, e shoh vetëm në të zezë. Sepse pardje u shpëtua jeta e një njeriu që erdhi me vdekje klinike.
Për të kalur pak tek testimi i infermierëve, si do e interpretoni ju si Urdhër Infermieri performancën e tyre kaq të dobët, 53% ngelës?
Jo infermierët, kanë ngelur studentët e infermierisë.
Studentë që shumë shpejt do të jenë inferemierë…
Këtu duhet të fillojë politika dhe ndryshimi. Duhet të ulemi me këmbë në tokë. Para se ta shajmë atë infermieren e dobët atje, para se ta dhunojmë, duhet të japim llogari sesi e përgatitëm infermieren që e çuam. Të gjithë e dimë. Vetëm Fakultete Infermierie u hapën 23, dera u la hapur. Po kush e la hapur këtë derë? Po nuk hoqi dorë politika dhe të hyjë profesionalizmi në shëndetësi, shëndetësia nuk rregullohet. Ai testi është test për institucionet formuese.
Po të isha unë, do të thoja: Ministria e Arsimit të vlerësojë, Ministria e Shëndetësisë të vlerësojë çfarë pune po bën për përgatitjen e brezave të ardhshëm. Infermierët që po përgatiten që nesër të jenë nëpër spitale nuk i qas njeri nëpër auditore, i gjen në korridore. “Nuk ka ardhur pedagogu”, thonë. Nuk i qas njeri në laboratore që të mësojnë dhe të bëjnë praktikë. Nëse nuk e qasin atje të bëjë praktikë, ashtu do të dalë ai, i papërgatitur, por ai do të gjejë rrugë të tjera, do të rregullojë letrat për të kapërcyer deri atje. Dhe atë do të kemi nesër laborant, atë do të kemi nesër infermierë. Atë që nuk e mësuam, atë që nuk ia bëmë praktikën, atë që nuk ia bëmë leksionin. Problemet duhet t’i luftojmë në rrënjë, ndryshe nuk i luftojmë dot.
Jeni i ndërgjegjshëm që ka infermierë të paaftë?
Si çdokund.
Si mund të “diferencohen” këta infermierë?
I përjashton koha, tregu i punës. Ne kemi 25 vite që nuk është marrë njeri me edukimin. U bë 5 vite që u fut edukimi i vazhdueshëm profesional. U kërkua me ngulm në ministri dhe në të gjitha grupet e punës që organizohen që edhe infermierët t’i nënshtrohen këtij edukimi të vazhdueshëm profesional. Jo, jeni shumë ju, nuk ju përballojmë dot. Jemi shumë, por jemi të nevojshëm, se jemi 70% e sistemit. Atëherë çfarë ke investuar që të më testosh arritjet? Unë kur jap mësim, testoj në fund për të kuptuar nëse u mor mesazhi i asaj që thashë. Ti nuk më ke dhënë gjë për 25 vjet, më ke lënë në nivelin e shkollës. Çfarë shpenzoi ministria për edukimin tim?
Ne futim metoda të reja dhe nuk punësojmë njerëz që t’i vënë në funksion këto. Pra, para se të testosh dhe të kërkosh, duhet të japësh.
Ne hajt të bëjmë testin, çfarë na mungon. Unë e kam bërë testin se çfarë mungojnë.
Cilat janë përparësitë e sistemit tonë shëndetësor, sipas jush? Çfarë i mungon këtij sistemi?
Mungojnë sjelljet, etike profesionale, mënyra e komunikimit ka një vlerë të madhe. 70% e punës së mjekut është komunikim, e folur me pacientin, me familjarin. Pjesa tjetër është teknike. Ne po punojmë për përmirësimin e komunikimit, kemi bërë 84 aktivitete në të gjitha spitalet e Shqipërisë si Urdhër Infermieri dhe kemi thënë që të ndryshojë paraqitja, sepse komunikim është edhe pamja e jashtme. Komunikim me gjuhën e trupit dhe lëvizjet e duarve, me shikimin, me sytë, me tejkalimin, me bizhuteritë, me lyerjet. Se e shikon pacienti dhe thotë “Ku e ka mendjen kjo? Kjo e ka mendjen të lyhet, të zhgërryhet, shiko si i ka vëthët”. Këtë luftojmë ne. Uniformën e punës që nuk po na sigurohet, është detyrim ligjor. Punëdhënësi që do cilësi në treg, t’u plotësojë të gjitha kushtet dhe atëherë të kërkojë llogari. Siç vajta unë në një spital dhe kapa infermieret dhe pyeta: Sa veta dinë ta bëjnë EKG-në e zemrës? 2 veta. Pse dy? Po sikur të na i shtypë makina këto të dyja? Pse nuk e dini të gjitha? Kështu bëhet edukimi, t’i trajnojmë, t’i mësojmë, pastaj t’i testojmë. Këto i lë vetë koha mbrapa. Shko në turn të dytë e të tretë, ka kryeinfermier? Jo. Ka përgjegjës turni? S’ka! Ka mbikëqyrës? S’ka! Ka drejtor? S’ka! Ka njerëz të tjerë? S’ka. Në turnin e parë e ke të blinduar, por shko natën. Pse i kanë hequr përgjegjësit e turnit, pse nuk ka një supervizor të mbikëqyrë shërbimet.
Sistemi ndryshon me sigurimin e të gjitha kushteve të punës, me rritjen e burimeve njerëzore, duke investuar për edukimin dhe pastaj duke i testuar për të mbledhur ajkën.
Një pavion kardiologjie në turn të tretë ka dy infermierë, por atje mund të ndodhin njëkohësisht 2-3 urgjenca. Kush do të merret me të sëmurët? Kush do të vejë te grafia? Kush te eko? Kush te analizat? Tirana mbulohet nga një spital siç mbulohej kur ishin 200 000 banorë.
Ku do të na çojë kjo sjellje kundrejt mjekëve dhe infermierëve në të ardhmen, nëse vazhdojmë të mos i stimulojmë dhe vlerësojmë, nëse vazhdojmë t’i denigrojmë?
Do të vijë një ditë që do të kërkojmë infermierë e mjekë dhe nuk do të gjejmë. Ministria tha se i mungojnë 300 specialistë, ndërkohë që Instituti i Punës doli dhe tha që 100 mjekë janë regjistruar për të ikur në Gjermani.



