Mjekja endokrinologe Dr. Sara Zavalani, në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, shpjegon nëse është e mundur që një person me obezitet të mos ketë komplikacione shëndetësore.
Sipas saj, jo të gjithë personat me obezitet shfaqin sëmundje shoqëruese, por kjo nuk do të thotë se rreziku për shëndetin mungon.
“Patjetër. Jo të gjithë personat me obezitet i kanë të shfaqura komplikacionet shëndetësore, por të gjithë kanë një rrezik shumë më të lartë sesa personat me peshë normale për të zhvilluar probleme shëndetësore. Disa kanë sëmundje shoqëruese, disa nuk kanë. Ama, në literaturë thuhet që kanë rrezik shumë më të lartë sesa personat që nuk janë obezë. Pra, dhjami nuk është i mirë për askënd”, shprehet Dr. Zavalani.
Obeziteti lidhet me rrezik të shtuar për zhvillimin e problemeve të ndryshme shëndetësore. Për këtë arsye, edhe në mungesë të simptomave apo sëmundjeve të diagnostikuara, vlerësimi dhe ndjekja mjekësore mbeten të rëndësishme.


