Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit

Rënia në peshë nuk varet vetëm nga vullneti dhe zgjedhjet personale. Faktorë të tillë si predispozita gjenetike, çrregullimet hormonale, rezistenca ndaj insulinës dhe përdorimi i disa medikamenteve mund ta bëjnë më të vështirë humbjen e kilogramëve, edhe kur një person përpiqet të ndjekë një mënyrë jetese të shëndetshme.

Këtë e theksoi endokrinologia Dr. Sara Zavalani, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, ku shpjegoi se jo gjithmonë përpjekjet e pacientëve për të rënë nga pesha japin rezultatet e pritshme.

Sipas mjekes, ndryshimet në stilin e jetesës mbeten një pjesë e rëndësishme e menaxhimit të obezitetit. Gjumi i shëndetshëm, aktiviteti fizik, hidratimi dhe një ushqyerje e ekuilibruar, me më pak sheqerna dhe burime të përshtatshme proteinash e yndyrnash të shëndetshme, mund të ndihmojnë në procesin e rënies në peshë.

Megjithatë, rezultatet mund të ndikohen edhe nga faktorë që nuk varen drejtpërdrejt nga zgjedhjet e individit.

“Predispozita gjenetike luan një rol të rëndësishëm. Përveç saj, ndikim mund të ketë edhe përdorimi i disa medikamenteve, si kortizoni, që mund të shkaktojë shtim në peshë, apo sëmundje shoqëruese si hipotiroidizmi, pra ulja e funksionit të gjëndrës tiroide, e cila mund të ndikojë në metabolizëm”, shpjegoi Dr. Zavalani.

Ajo përmendi gjithashtu rezistencën ndaj insulinës, e cila mund të shoqërohet me sindromën e vezoreve policistike, si një tjetër faktor që mund ta vështirësojë menaxhimin e peshës.

Mjekja theksoi se, megjithëse ndryshimet në stilin e jetesës janë thelbësore, ato nuk e shpjegojnë të vetme çdo rast të obezitetit. Ka pacientë që bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të humbur peshë, por përballen me pengesa të lidhura me faktorë gjenetikë, hormonalë apo mjekësorë.

“Nuk është vetëm zgjedhje personale e pacientit dhe, disa herë, nuk është vërtet faji i pacientit”, nënvizoi Dr. Zavalani, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit individual dhe të trajtimit të përshtatur për çdo person që jeton me obezitet.

Postime të ngjashme

Si të zgjidhni pastën e duhur të dhëmbëve?
Çfarë do të thotë të jesh i pashëndetshëm? Mjekja shpjegon faktorët që ndikojnë në shëndet
hipertensioni
Nga hipertensioni te diabeti, sëmundjet që mund të shkaktojë obeziteti
Rama për protestuesit: Kanë nevojë për psikolog dhe trajtim
"Vijnë me plagë që kërkojnë qepje"- Klinikat private në ndihmë të protestuesve të lënduar, mjeku: Kemi ambulancë në terren
Kirurgu: Plumbat e gomës mund të invalidizojnë, policia të ndërpresë përdorimin e tyre
Udhëzimet e reja mjekësore: Terapia hormonale rekomandohet për lehtësimin e simptomave të menopauzës
Protestat/ Thirrje: Mos dëmtoni ambulancat, lejoini të ofrojnë ndihmë për të lënduarit