Shqipëria në planin e OBSH-së për shkëmbimin e të dhënave shëndetësore me vendet e rajonit

Shqipëria është pjesë e një plani të ri rajonal që synon lidhjen e sistemeve të informacionit shëndetësor dhe shkëmbimin e sigurt të të dhënave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nisma është përfshirë në udhërrëfyesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për shëndetin dhe mirëqenien në rajon, për periudhën 2026–2030.

Sipas dokumentit, një nga prioritetet është përmirësimi i ndërveprueshmërisë së sistemeve dixhitale, me qëllim lehtësimin e vazhdimësisë së kujdesit shëndetësor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve.

Plani përfshin Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke synuar zhvillimin e zgjidhjeve të përbashkëta teknologjike dhe përdorimin më efikas të informacionit shëndetësor.

OBSH e konsideron dixhitalizimin një instrument për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e eficiencës së sistemeve shëndetësore. Krahas shkëmbimit të të dhënave, dokumenti parashikon nxitjen e përdorimit të inteligjencës artificiale, telemjekësisë dhe teknologjive të tjera inovative, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Bashkëpunimi rajonal synon gjithashtu të përmirësojë përdorimin e të dhënave për planifikimin e shërbimeve, monitorimin e performancës dhe vendimmarrjen në shëndetësi.

Një tjetër drejtim i parashikuar në dokument është krijimi i platformave të përbashkëta dixhitale për shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shëndetësore.

OBSH propozon gjithashtu harmonizimin e udhëzimeve dhe protokolleve klinike me standardet europiane dhe ndërkombëtare, si dhe forcimin e bashkëpunimit mes instituteve të shëndetit publik dhe institucioneve akademike. Këto masa synojnë të shmangin fragmentimin e sistemeve dhe të mbështesin reforma më të koordinuara në rajon.

Megjithatë, dokumenti nuk përcakton ende afate konkrete për ndërlidhjen e sistemeve shqiptare me ato të vendeve fqinje dhe as kostot financiare të këtij procesi. Masat e propozuara do të konkretizohen përmes iniciativave dhe planeve teknike të zbatimit në kuadër të bashkëpunimit rajonal./monitor

Postime të ngjashme

Shenjat që mund të tregojnë mungesën e vitaminës D3
Prezantohet Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor
EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale