Xhejms Harrison, një dhurues gjaku australian, ka shpëtuar jetën e mbi dy milionë fëmijëve falë një veçantie të gjakut të tij, duke merituar kështu pseudonimin “njeriu me krah të artë”. Historia u bë e ditur nga CNN pak ditë para 14 qershorit, Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut. Harrison, që tashmë është 78 vjeç, ka filluar të japë gjak shumë kur ishte shumë i ri, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që i shpëtoi jetën dhe për të cilën iu desh të merrte 13 litra gjak.
Duke studiuar trupin e tij, kërkuesit australianë në vitin 1967 zbuluan se gjaku i tij përmbante një antitrup shumë të rrallë të aftë për të parandaluar të ashtuquajturën sëmundje të rezusit, për shkak të së cilës nëse një grua me rezus negativ ka në bark fëmijë me rezus pozitiv, sistemi imunitar i nënës sulmon qelizat e fetusit, duke çuar në abort.
Që nga zbulimi, Harrison ka bërë më shumë se 1000 dhurime gjaku dhe ka punuar me mjekët australianë për të zhvilluar kurën që ka bazë pikërisht anitrupin që përdoret tani për të parandaluar sëmundjen në gjithë botën.
Pavarësisht numrit të lartë të dhurimeve, Harrison tha për CNN se ai ende ka frikë nga aget. “Nuk e kam parë asnjëherë agen të futet në krahun tim, – thotë ai. – Shikoj tavanin ose infermieren, por nuk arrij të shoh gjakun”.
Sipas OBSH-së, në botë çdo vit bëhen 108 miliionë dhurime gjaku, por gjysma e tyre mblidhen në vendet e zhvilluara, që në fakt kanë nevojë vetëm për 18% të kësaj sasie. Objektivi për vitin 2020 është që të gjithë vendet të arrijnë të plotësojnë nevojat me dhurimet e veta./ Arlinda Gjypi


