Përveç medikamenteve, shumë njerëz kërkojnë terapi plotësuese për të parandaluar dhimbjet e mëdha që vijnë nga migrena. Jo të gjitha trajtimet që do të përmendim vlejnë për të gjithë njerëzit. Më parë duhet të konsultoheni me mjekun se cila mënyrë është më e dobishme për ju.
- Dieta:
Për fat të keq nuk ekziston asnjë dietë standarde që të eliminojë dhimbjet nga migrena. Por ajo çfarë duhet të hani, janë ushqimet e freskëta dhe të papërpunuara, në mënyrë që mos të fusni kimikate që mund t’ju rëndojnë në trup. Kur është fjala për parandalimin e migrenës, mënyra si hani dhe kur hani është po aq e rëndësishme sa ajo çfarë hani. Mundohuni të mos i mënjanoni vaktet kryesore. Hani 5-6 vakte të vogla në ditë dhe kjo do t’ju ndihmojë që t’i përballoni më lehtë dhimbjet që mund t’ju shfaqen edhe nga uria. - Vitaminat, mineralet dhe suplementet bimore: Disa vitamina, minerale dhe shtojca bimore mund të ndihmojnë në parandalimin e sulmeve të migrenës. Vitamina B, magnezi, MIG-99, Co-Q10 (është substancë e ngjashme me vitaminat që veprojnë si antioksidues në trup).
- Mënjanimi i stresit dhe ankthit mund të jenë një mënyrë e mirë për të shmangur dhimbjet që shkaktohen nga migrena.
- Lëvizja e rregullt (ose aktiviteti fizik) mund të ndihmojë uljen e frekuencës dhe intensitetit të dhimbjeve. Bëni ushtrime të moderuara si not, vrap, ecje.
- Flini mjaftueshëm dhe qetë.
- Kini kujdes! Mos bëni ushtrime fizike me intensitet të lartë, sepse ju shkakton dehidratim dhe tronditje të mëdha që çojnë në dhimbje më të forta të kokës.
Përshtati në shqip për “Shëndet+”: Daniela Bardhi


