Në Qendrën Spitalore Universitare, numri i punonjësve arrin në 2980 ndërkohë që në total, punonjësit e qendrave shëndetësore janë përkatësisht 12.369. Numrin më të vogël duket se e ka Malësia e madhe me 17 punonjës. Kjo shifër është publikuar dje në Fletoren Zyrtare, bashkëngjitur me buxhetin spitalor. Gazeta publikon sot tabelën me numrin e plotë të spitaleve sipas rretheve, numrin e punonjësve, pagat shtesë dhe fondin e akorduar për mallra e shërbime në qendra shëndetësore.
Në total buxheti që shkon për këta punonjës, duke përfshirë edhe paketat e shërbimeve si dhe trajtimet me VKM kap vlerën e 16 milionë e 750 mijë lekë. Një ndryshim në ligjin për shërbimet shëndetësore është zyrtarizuar për mjekët specialistë, pasi Ministria e Shëndetësisë ka akorduar përveç pagës edhe bonus që shkon deri në 100 mijë lekë në muaj. Duket se mungesa e mjekëve specialistë në spitalet rajonale dhe mosdëshira e tyre për të shërbyer në to, do të marrë një tjetër kthesë tashmë si rezultat i vendimit që ka marrë qeveria për t’i shpërblyer ata me një pagë që e kalon edhe dyfishin.
Por buxheti i MSH-së është llogaritur për një numër të kufizuar mjekësh. Kështu, në vendim përcaktohet se “për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin për një periudhë të caktuar të mjekëve specialistë, por jo më shumë se 200 mjekë në vit. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 lekë në muaj”.
Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas vendimit “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, e cila shprehimisht thotë se “vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit, të cilat jepen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe nuk janë pjesë e pagës nuk përfshihen në pagën bruto. Më herët, ministri i shëndetësisë raportoi një lajm të tillë duke shkruar në faqen e tij në Facebook: “100 mijë lekë shtesë çdo muaj për mjekët që do të ushtrojnë profesionin larg zonës së tyre të banimit”.
Vendimi
Buxheti i miratuar për shëndetësinë për këtë vit parashikon se një fond jo më i madh se 20 për qind për qind e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për t’ua rishpërndarë spitaleve gjatë vitit për një sërë shërbimesh e paketash të tilla si; pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore publike e private, brenda e jashtë vendit; nevoja të spitaleve gjatë vitit dhe pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara.
Më tej vendimi përcakton se “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore, të ofruara prej tyre”. Në kontratën dypalëshe, ndër të tjera, përcaktohen shërbimet e parashikuara për çdo spital, mënyrat e mbajtjes të të dhënave dhe të raportimit, mënyrat e pagesës së spitalit, treguesit e cilësisë dhe të performancës, mënyrat e ushtrimit të kontrollit nga Fondi, sistemi i referimit dhe mënyra e identifikimit të të siguruar dhe mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Ndërkohë është Ministria e Shëndetësisë ajo që mbulon shpenzimet kapitale për investimet.
Financimi i spitaleve
Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet totalisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, sipas udhëzimit të miratuar nga Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit.
Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përcaktohet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë auditon spitalin nëpërmjet strukturës së saj audituese, për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj, si dhe për mënyrën e përdorimit të buxhetit total të spitalit. Spitalet janë të detyruara të llogaritin shpenzimet faktike të çdo shërbimi, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë./ Gazeta “Shekulli”


