53% e vdekjeve nga zemra, u shtuan ato nga dëmtimet dhe endokrinet në 2025

Numri i vdekjeve në Shqipëri vijoi të bjerë edhe gjatë vitit 2025, por jo të gjitha shkaqet e vdekshmërisë ndoqën të njëjtën prirje.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se, ndërsa vdekjet totale u ulën me 3.2% krahasuar me vitin 2024, disa grupe sëmundjesh dhe shkaqesh shënuan rritje të ndjeshme.

Në total, gjatë vitit 2025 u regjistruan 21,394 vdekje, ose 708 më pak se një vit më parë.

Edhe pse sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në vend, ato ranë me 3.2%, në 11,321 raste. Në rënie ishin gjithashtu vdekjet nga tumoret (-2.7%), simptomat dhe sëmundjet e papërcaktuara mirë (-6.1%), si edhe sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, të cilat u pakësuan me 13.3%.

Megjithatë, disa kategori regjistruan rritje. Rritja më e madhe në numër u vu re tek vdekjet nga dëmtimet traumatike dhe helmimet, të cilat u shtuan me 46 raste, duke arritur në 711 vdekje, ose 6.9% më shumë se në vitin 2024.

Po ashtu, u rritën me 45 raste, ose 13.8%, vdekjet nga sëmundjet e sistemit nervor qendror dhe të organeve të shqisave, ndërsa ato të lidhura me sëmundjet endokrine dhe të të ushqyerit u rritën me 15.3%, duke shkuar në 241 raste.

Në rritje ishin edhe vdekjet nga sëmundjet e organeve urogjenitale (+6.6%), sëmundjet mendore (+7.1%) dhe sëmundjet infektive e parazitare (+29.4%), ndonëse këto kategori përfaqësojnë një numër relativisht të vogël rastesh.

Përqindjen më të lartë të rritjes e shënuan ndërlikimet në barrë, gjatë lindjes dhe periudhës së paslindjes, të cilat u rritën nga 2 në 10 raste, ose me 400%. Megjithatë, ekspertët zakonisht e interpretojnë këtë si efekt të bazës shumë të ulët krahasuese dhe jo si një ndryshim të gjerë të prirjes.

Nga ana tjetër, rënia më e fortë u regjistrua tek vdekjet nga sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes (-30.3%), ndërsa anomalitë e bashkëlindura u ulën me 54.5%. Vdekjet nga sëmundjet e lëkurës dhe të indit qelizor në lëkurë zbritën në zero raste në vitin 2025.

Në tërësi, të dhënat tregojnë se profili i vdekshmërisë në Shqipëri vijon të dominohet nga sëmundjet kronike, veçanërisht ato kardiovaskulare dhe tumoret. Megjithatë, rritja e vdekjeve nga dëmtimet traumatike, sëmundjet neurologjike dhe ato endokrine sinjalizon një ndryshim të pjesshëm në strukturën e shkaqeve të vdekshmërisë, pavarësisht prirjes së përgjithshme në rënie të numrit total të vdekjeve./monitor

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
4 shenja që tregojnë se keni mungesë magnezi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së