Pak fjalë në vend të një mjeku të korruptuar

Arlinda Gjypi, kryeredaktore e “Shëndet+”

Mjekët tanë janë të korruptuar, të paskrupullt, të pandjeshëm, të paditur. Mjekët tanë dinë vetëm të marrin para, të japin diagnoza të gabuara, të shohin se ku mund t’i zhvasin njerëzit. Mjekët tanë janë të pangopur, arrogantë. Mjekët tanë janë…

Për të dalë përtej gjithë mllefit që kemi për mjekët tanë, më duhet të them se këto kohë më shumë sesa ai përshkrimi më lart, që është në gjuhët e gjithë njerëzve, do të shprehesha: mjekët tanë janë të përdorur, mjekët tanë kanë frikë, mjekët tanë janë të pambrojtur, mjekët tanë nëpërkëmben, mjekët tanë shkelen, përfliten, fyhen.

korrupsionMjekët tanë duhet të kenë mik të futen në punë. Ose duhet të paguajnë para. Mjekët me të cilët kontaktojmë na thonë se një vend pune, nëse nuk ke mik, kushton të paktën 30 mijë euro. Po, saktë! 30 mijë euro. Përkthyer në muaj pune të një mjeku që zakonisht merr diku 400 euro rrogë mujore në dorë, do të thotë që vetëm për të shlyer paratë e dhëna për të filluar punë, një mjek duhet të punojë mbi 6 vjet. Ose më saktë, 75 muaj. Dhe vetëm pas 75 muaj, pra pas 6 vjetësh, mjeku do të fillojë të marrë rrogën dhe ta çojë në shtëpinë e tij.

Por sigurisht, këto 6 vjet nuk mund të rrijë pa ngrënë. Atëherë, ç’bëhet? Mjeku punon në spital paradite, në klinika apo spitale private pasdite. Ose zgjedh të bëjë “tafmaqarin” dhe të marrë paratë e atyre që viziton dhe që me sistem referimi, nuk duhet t’i vizitonte fare, sepse tashmë të gjithë duhet të kalojnë nga mjeku i familjes.

Mjekët tanë që futen në punë me mik, duhet ta mbajnë mirë me mikun dhe me pushtetin. Në kohën kur vijnë zgjedhjet, duhet të propagandojnë për secilën parti të mikut që i ka futur në punë. Duhet të mbledhin mbështetës në mënyrë që t’i kenë krahët e ngrohta për një kohë të gjatë. Të paktën, derisa të hapin një klinikë të tyre dhe të mos kenë nevojë për spitalin. Por edhe atëherë nuk do të ishte keq t’i kishin miqtë, pasi spitali u siguron shumë pacientë. Për më tepër, spitalet tona nuk sigurojnë një masë të madhe analizash dhe ekzaminimesh, kështu që mjekët i çojnë pacientët te privati.

Por ka dhe mjekë që duan të ecin në karrierë. Dhe karriera sigurisht ka kostot e veta. Nuk mund të jesh shef departamenti dhe të jesh kundër pushtetit. Për më tepër, lidhja jote me pushtetin nënkupton edhe përparësinë që i jepet departamentit që ti drejton dhe si rrjedhojë edhe shërbimit që u jep njerëzve.  Duke qenë se në shëndetësinë tonë, investimet nuk shkojnë aty ku ka nevojë, por aty ku lidhjet janë më të forta, atëherë një lidhje e fortë është një investim i mirë për mjekun vetë dhe ata që ai ka nën vete. Kështu njerëzit janë më të kënaqur sepse marrin trajtimin që u duhet.

Mjekët tanë, nga ana tjetër, duhet të edukohen në vazhdimësi. Sigurisht, termi “mbarova studimet” është absurd për çdo lloj profesioni, por për mjekësinë edhe më shumë. Kjo për faktin e thjeshtë se studimet vazhdojnë gjatë gjithë jetës (dhe këtë e dimë mirë të gjithë). Mjekësia, nga ana tjetër, është një shkencë që vazhdon dhe çdo ditë dalin studime të reja lidhur me sëmundje të ndryshme. Mjekët janë të detyruar t’i dinë ato, janë të detyruar të ndajnë përvojën e tyre me të tjerë, janë të detyruar të mësojnë gjithçka që u duhet për të bërë më mirë punën e tyre dhe për të mjekuar më mirë pacientët që kanë dhe që u lënë jetën në dorë. Mjekët duhet të edukohen në vazhdimësi. Një edukim i tillë kërkon para. Para që mjekët tanë të dinë më shumë se çfarë po ndodh në fushën e tyre. Të marrin pjesë në konferenca ndërkombëtare shkencore e të “ndriçohen”. Sepse në vendin tonë puna kërkimore shkencore nuk ekziston. Ne nuk kemi fonde për këtë pjesë të mjekësisë. Shteti ynë nuk ka vënë asnjë para për këtë pjesë tepër të rëndësishme. Gjithsesi, mjekët duhet të mësojnë. Duhet të dinë çdo ditë e më shumë.

Në fund, mjekët tanë, ata të korruptuarit, që marrin para, që na sillen ashpër, që na vjedhin (dhe të jemi realistë, ka shumë prej tyre), janë po ata mjekë që nuk paguhen, që paguajnë, që kanë frikë të flasin, që kërkojnë miq lart e poshtë për të ecur para dhe për të ruajtur vendin e punës. Mjekët tanë janë po aq të frustruar sa pjesa tjetër e këtij populli, po aq të korruptuar.

Populli ynë thotë: “Peshku qelbet nga koka”. Ndaj përgjegjësia bie mbi drejtuesit, mbi autoritetet.

Sot, këtu duhet të ishte intervista e një mjeku tepër të nderuar nga të gjithë, një mjek që çdo ditë bën shumë operacione për të shpëtuar jetë njerëzish. Por nuk është sepse, siç tha ai vetë: “Nëse flas për problemet këtu, më thërrasin direkt në ministri dhe unë e kam provuar në kurriz sesa e vështirë është të futesh në punë në Shqipëri nëse nuk ke mik”.

Mjekët tanë janë të korruptuar. Po, ka shumë që janë të korruptuar. Por mjekët tanë, ashtu si edhe ne, janë të shkelur nga një elitë drejtuese që vazhdon të emërojë vende pune me miqësi, dhe jo me aftësi. Deri atëherë mjekët tanë, si dhe ne, do të jenë të pandjeshëm, të paditur, të përbuzur, të përshkelur! 

Botuar në numrin e datës 03 gusht 2015 të gazetës “Shëndet+”

Postime të ngjashme

Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure