VIDEO/ Pse nuk mjafton vetëm dieta për të humbur peshë?

Dr. Megi Lekbello, mjeke endokrinologe, ka shpjeguar pse humbja e peshës nuk duhet parë si qëllimi i vetëm në trajtimin e obezitetit, në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”.

Sipas saj, sfida më e madhe nuk është vetëm humbja e kilogramëve, por ruajtja e peshës së arritur në afatgjatë.

“Personat të cilët mundohen të humbin peshë vetëm, gati 5% e tyre kanë sukses që ta mbajnë peshën që kanë humbur. Suksesi i vërtetë nuk është humbja në peshë, por është mbajtja e peshës”, u shpreh Lekbello.

Mjekja thekson se pikërisht për këtë arsye, trajtimet bashkëkohore të obezitetit synojnë jo vetëm rënien në peshë, por edhe parandalimin e rikthimit të saj, duke e konsideruar këtë të fundit thelbësore për shëndetin.

Pse është kaq e vështirë të ruhet pesha?

Sipas Lekbellos, ruajtja e peshës së humbur mund të jetë edhe më sfiduese se vetë dobësimi, pasi organizmi ka mekanizma biologjikë që synojnë ruajtjen e energjisë.

“Rënia në peshë nuk është diçka fiziologjike. Trupi ynë ka një sërë mekanizmash që na ndihmojnë për të depozituar energji”, shpjegoi ajo.

Mjekja nënvizoi se uria dhe depozitimi i energjisë në formën e dhjamit kanë qenë mekanizma të rëndësishëm për mbijetesën e njeriut. Por në kushtet e sotme, ku ushqimi është i disponueshëm në çdo moment dhe ekspozimi ndaj tij është i vazhdueshëm, këta mekanizma mund ta bëjnë më të vështirë kontrollin e peshës.

Kur një person redukton marrjen e ushqimit dhe humbet peshë, organizmi e percepton këtë si një situatë alarmi. Si përgjigje, truri mund të rrisë sinjalet e urisë dhe të shtojë përqendrimin te ushqimi.

“Do bëjë që ne të jemi më të uritur dhe të na rrijë mendja më shumë tek ushqimi. Prandaj është shumë e vështirë rënia në peshë”, tha Lekbello.

Sipas saj, kjo është një nga arsyet pse trajtim i obezitetit nuk duhet të kufizohet vetëm te dieta, por duhet të ketë një qasje më të gjerë dhe afatgjatë.

Postime të ngjashme

Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
Perimet jeshile që "zgjojnë" metabolizmin dhe ndihmojnë në humbjen e peshës
Çfarë është hormoni GLP-1 dhe sa i rëndësishëm është për organizmin?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Si mund të humbasë peshë në mënyrë të shëndetshmë një person obez?
Raporti i TFL: Probleme me kostifikimin e shërbimeve dhe raportimin e efektivitetit të shpenzimeve