Një jetë në maratonë drejt transplantimit të veshkës

Vullnet Kajo, kryetar i Shoqatës së Invalidëve me Veshkë Artificiale dhe të Transplantuar

transplanti 2

Takimet me Vullnetin janë të shpeshta, ndoshta për rastësi, herë të tjera për shkak të punës, ndeshemi mjediseve të spitalit “Nënë Tereza”. Një mesoburrë, paksa i kërrusur, për shkak të problemeve shëndetësore, por i qeshur. Përtej rrudhave që kanë kapluar fytyrën, edhe pse jeta nuk i ka buzëqeshur, nuk është i sertë, madje një të qeshur nuk ngurron të ta dhurojë herë pas here, ndonëse thonë se buzëqeshja është maskimi i një gjendjeje të sforcuar, një maskë për të mos depërtuar në gjendjen shpirtërore. Por Vullnet Kajo, kryetar i Shoqatës së Invalidëve me Veshkë Artificiale dhe të Transplantuar, e gjen shpesh në QSUT për të zgjidhur problemet shëndetësore, ato personale dhe të shoqatës.

Sëmundja

Problemet e para në veshkat e tij i janë shfaqur që në moshën 4-vjeçare. Sëmundja e rëndë që kishte prekur njërën veshkë, infeksioni i rëndë që kishte prekur veshkën e tij, e çon drejt një operacioni ku arrihet t’i shpëtohet vetëm njëra. Deri në mbarim të shkollës tetëvjeçare, shëndeti i tij mbetet njësoj. Por situata nuk vazhdoi për shumë kështu. Pas vetëm dy vitesh Vullnetit i rikthehen problemet shëndetësore. Ishte në vitin e parë të shkollës së mesme. Gjatë kohës së qëndrimit në konvikt gjendja shëndetësore përkeqësohet, duke e rikthyer sërish Vullnetin dyerve të spitalit. Mes shumë sakrificave edhe pse në gjendje shëndetësore jo të mirë, ai arrin të përfundojë shkollën, diplomohet si ekonomist. Për më shumë se 23 vite, ai endet dyerve dhe dhomave të spitalit, aq sa në vitin 2003 mjekët i japin një lajm tepër të hidhur. Atë vit edhe veshka tjetër e tij del jashtë funksioni. Lajmi i dhënë e trondit, megjithëse ai thellë kishte kohë e parandiente një gjë të tillë, gjithmonë ka shpresuar të kryejë transplantimin e veshkave. Dhe kështu vepron. Kryerja e transplantimit u kthye në misionin e tij të jetës, për veten, gruan dhe dy fëmijët e tij. “Këtu nis kërkesa për transplantim, pas bërjes së analizave të përputhshmërisë me nënën, rezulton pozitive. Nëna ime 63-vjeçare doli personi që plotësonte të gjitha kushtet për dhurimin e veshkës”, – tregon Vullneti, i cili thotë se që prej vitit 2003 ndodhet në listën e pritjes për kryerjen e transplantimit të veshkës. Peripecitë e tij nuk kanë fund, përpjekja e parë për t’u transplantuar në Turqi dështon. Spitalet e këtij vendi nuk e marrin përsipër kryerjen e ndërhyrjes. Në këtë mënyrë 45-vjeçari nga Elbasani i rikthehet shtratit të dializës, për ta vazhduar deri para dy vjetësh. Aktualisht, Vullneti e ka të pamundur të bëjë edhe dializën, për shkak të dëmtimit të venave të gjakut. Ai i është nënshtruar një operacioni për bërjen e mundur të dializës, duke kryer tetë ndërhyrje dhe të gjitha kanë rezultuar pa sukses, duke lënë kështu të vetmen alternative për jetë, kryerjen sa më të shpejtë të transplantimit të veshkës. Shëndetësia shqiptare është e njohur me problemin shëndetësor dhe gjendjen emergjente në të cilën ndodhet Vullnet Kajo, 45-vjeçari nga Elbasani. Madje, vitin e kaluar atij i kishin premtuar se do të kryhej transplantimi, por nga problemi me sallat dhe mungesa e mjekëve italianë, nuk u arrit të realizohej. Në pritje të realizimit të transplantimit, ai vazhdon të kryejë dializën, me kateter, një dializë e sforcuar.

Familja

Por, jeta e Vullnetit nga Elbasani nuk është e lidhur vetëm me dhomat dhe mjediset e spitalit. Në qytetin e Elbasanit ai jeton bashkë me familjen, gruan dhe dy fëmijët, një vajzë 15-vjeçare dhe djalin 20-vjeçar. Shfaqja e hershme e problemeve shëndetësore e ka penguar në kryerjen e punës, siç tregon 45-vjeçari nga Elbasani, ka punuar vetëm 5 vite si ekonomist. Ndërsa tani jeton vetëm me një pension invaliditeti, pasi edhe gruaja e tij është e papunë, duke bërë ndonjë punë të vogël vetëm gjatë sezonit veror. “Jetesa është shumë e vështirë aq më tepër për mua që si person i sëmurë dhe invalid me duhet të bëjë shpenzime të shumta për ilaçe shëndetësore. Çdo muaj detyrohem të blej 100 mijë lekë të vjetra ilaçe, pa përfshirë këtu analizat dhe ekzaminime të tjera”. Si baba dhe kryefamiljar, përballimi i sëmundjes ka qenë shumë e vështirë për familjen Kajo. Edhe pse fëmijëve të tij, Vullneti tregon se nuk u ka munguar asgjë, pasi të afërmit e kanë ndihmuar gjithmonë, ai ndien peng që nuk mund të punojë më shumë. “Në vitin 2003 familja ime u trondit akoma më shumë. Atë kohë djali im vetëm 9 vjeç i thotë bashkëshortes: ‘Mami, të lutem, t’ia jap unë veshkën babit?” Teksa e tregon, sytë e tij shkëlqejnë dhe gjithë shpresë që ëndrra e tij për t’i qëndruar pranë familjes të mos jetë peng e moskryerjes së transplantimit të veshkës.

Postime të ngjashme

Mjekja hedh foton e mushkërive të një pacienti, shpërthen: Nuk e doni jetën, vjen vetë shoku Covid, ju përqafon e kafshon...
E drejta për trajtim jashtë vendit, pacientët të painformuar. MshMs asnjë informacion publik
Skandal/ MSH jep këshilla për të nxehtin, pacientët e QSUT-së freskohen me copa kartonësh
Bluzat e bardha shkelin kodin e etikës, rrezikojnë gjobë nga 2 000 deri 20 0000 lekë
Drejtoresha e spitalit firmos për dypunësimin e vetes, cakton dhe rrogën
Talasemikët: Mes nesh fëmijë me hepatit dhe HIV
Hemofilikët, pesë muaj pa ‘faktorin e jetës’
Urgjenca e QSUT-së nën presionin e radhëve të gjata, pacientët marrin serumin nëpër korridore