Orizi duhet gatuar me pajisje si ajo për kafen filtër, që lejon rrjedhjen e ujit ndërsa zien, pasi ai përmban sasi të larta arseniku. Në nivelet që mbetet, helmi nuk është i rrezikshëm. Studimi është kryer nga Universiteti “Queens” i Belfastit, Britani.
Orizi në përgjithësi ka 10 herë më shumë arsenik inorganik se çdo ushqim tjetër. Kjo do të thotë se njerëzit që hanë oriz rregullisht, kanë tendencë të lartë për të pasur sasi të larta arseniku në trup.
Si rrjedhojë, metoda e zakonshme e gatimit të orizit duke zier ujin dhe pastaj duke i shtuar orizin në fakt e mban gjithë arsenikun brenda. Teknologjia e rekomanduar e kalon ujin nëpër oriz dhe pastaj lejon mbulimin e orizit derisa zihet. Ky proces e largon arsenikun e pranishëm në oriz dhe ka një sukses që varion nga 57-85%.
Nivelet e larta të arsenikut mund të çojnë në sëmundje të zemrës, diabet, kancer të mushkërisë dhe fshikëzës së urinës, dëmtim të sistemit nervor dhe të indeve të rritjes.
Kufizimet e reja pritet të hyjnë në fuqi në verën e vitit 2016 nga Komisioni Evropian, që do të ndikojë shumë në shitjet e orizit, meqë në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se gjysma ka nivele më të larta arseniku krahasuar me standardet e vendosura. Orizi kaf ka përmbajtje më të lartë arseniku se orizi i bardhë. Gjithashtu qumështi i orizit ka nivele shumë të larta arseniku, duke çuar në rekomandimin që fëmijët të mos e përdorin këtë qumësht.
Përgatiti për “Shëndet+”: Elena Beta/ Burimi: Telegraph.co.uk


