Pyetje e ardhur në adresën info@shendeti.com.al
Përshëndetje. Jam 25 vjeç dhe kam sasi të vogël të spermës. Çfarë më këshilloni?
Përgjigjet për gazetën “Shëndet+” mjeku androlog Evin Dani, poliklinika e specialiteteve nr.3, Tiranë
Për t’ju sqaruar ju dhe persona të tjerë si ju, duhet të shpjegoj një gjë për të cilën kuptoj që shumë meshkuj nuk kanë dijeni. Flas për gjendrat që prodhojnë lëngun spermatik. Lëngu spermatik prodhohet nga dy gjendra: gjendra e prostatës dhe qeliza e prodhimit të spermës (vezikula seminale). Gjendra e prostatës prodhon 1/3 e volumit spermatik, 2/3 i prodhon gjendra e vezikulës seminale. Këto dy gjendra prodhojnë lëngun spermatik që kanë veti fizike-kimike të ndryshme nga njëri-tjetri.
Gjendra e prostatës ndodhet direkt në vezikën urinare dhe nëpërmjet saj kalon uretrën (kanalin e urinës). Vezikulat seminale ndodhen mbrapa qeskës së urinës dhe kanë një kanal që quhet duktus ejakulator, i cili derdhet në uretrën (kanalin e urinës) prostatike. Në momentin e eksitimit seksual spermatozoidët fillojnë të kalojnë nga epidedimusi (pjesë e testeve) nëpërmjet një kanali që quhet duktus referent (shqip: farë përcjellëse), i cili përfundon në vezikulat seminale.
Në këtë moment prostata dhe vezikula seminale, duke u shtrydhur nga 2 muskuj, arrin që të shtrydhin veten e tyre duke rritur ejakulacionin dhe orgazmën.
Ejakulacioni arrihet duke pasur 6-8 porcione. Sasia e lëngut spermatik lëviz nga 1.5-6 ml, ky quhet volum normal. Volumi më pak se 1.5 apo më shumë se 6, konsiderohen volume që bëhen shkak për uljen e aftësisë riprodhuese.
Kur kemi ulje të sasisë së lëngut spermatik, mjeku duhet të analozijë shkaqet e kësaj uljeje. Kemi pengesë të kanaleve që çlirojnë lëngun spermatik, kemi dëmtim të vezikulare seminare që ka të bëjë me moszhvillimin e tyre që në lindje apo kur lëngu permatik në vend që të kalojë dhe të dalë jashtë uretrës, kthehet lart në vezikulën urinare. Në bazë të shkakut vendosim për mjekimin në mënyrë që të arrihet normaliteti. Në rastin konkret nuk e dimë sa është volumi.
Shumë meshkuj e lidhin aftësinë seksuale me volumin e lëngut spermatik. Një nga këto raste mund të jeni edhe ju. Mund të keni volum normal, por mund t’ju duket sikur keni volum më të pakët. Sidoqoftë, do t’ju rekomandoja një vizitë te mjeku androlog.


