Realizohet për herë të parë implantimi i një pajisjeje në trurin e pacientit e cila ndihmon në reduktimin e shenjave klinike të sëmundjes.
Të sëmurët me parkinson, që janë në stad të avancuar të sëmundjes dhe medikamentet nuk japin më efekt, kanë një mundësi të re për përmirësimin e cilësisë së jetës.
Ekipi i mjekëve të Shërbimit të Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Univesitare ka mundur të realizojë për herë të parë implantimin e një pajisjeje në tru, e cila ndihmon në reduktimin e shenjave klinike të sëmundjes.
Një javë pas implantimit të këtij pacemaker-i, pacienti thotë se ndihet më mirë. Trajtimi kirurgjikal për të sëmurët me parkinson është një pjesë e zgjidhjes së problemit. Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Profesor Petrela, tregon se ky projekt i vënë në jetë një javë më parë, ka kërkuar 15 vite punë dhe përgatitje nga ana e stafit të tij.
Shqipëria ka prevalencë të lartë të sëmundjes së Parkinsonit, ndaj dhe realizimi i këtij implantimi është shumë i rëndësishëm. Aktualisht në rajon kjo ndërhyrje realizohet vetëm në Shqipëri, Greqi dhe Kroaci./ QSUT

