Shtohet numri i insulino-vartësve, çdo muaj trajtohen 70 mijë diabetikë

Rreth 70 mijë pacientë diabetikë në të gjithë vendin do vijojnë të jenë pjesë e skemës së rimbursimit të barnave. Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Astrit Beci ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se vetëm në një vit shpenzimet për diabetikët kapërcejnë shifrën e 1.3 miliard lekëve (të reja) për barnat. Kjo pasi në skemë është shtuar ndjeshëm numri i insulinovartësve.

diabetNë mbledhjen e posaçme të Komisionit të Shëndetësisë, Beci ka theksuar pacientët diabetikë do trajtohen gjerësisht nga Fondi sa i takon rimbursimit të barnave ashtu edhe parandalimit, përmes vendosjes së indikatorëve të cilësisë pranë mjekut të familjes, për kapjen në kohë të sëmundjes dhe zgjatjen e kohës së fillimit të komplikacioneve. “Skema e sigurimeve është e ndjeshme, veçanërisht për kategoritë e të sëmurëve që vuajnë nga diagnozat kronike, sikundër është dhe sëmundja e diabetit, duke i trajtuar në mënyrë të përmuajshme me recetë të rimbursuar. Diabeti si nozologji kronike zë vendin e dytë për nga shpenzimet e rimbursimit të barnave ose zë 17 për qind të shpenzimeve totale të rimbursimit në vit. Për këtë vit, janë 1.3 miliard lek (të reja) që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore parashikon vetëm për rimbursimin me barna të pacientëve me diabet”, ka theksuar Beci.

Sipas tij, kujdesi duhet të jetë maksimal pasi sëmundja po shndërrohet në një “pandemi” në kuptimin e shtrirjes së sëmundshmërisë në popullatë, çka reflektohet qartësisht dhe në ritmet e rritjes së pacientëve që kanë nevojë për insulina. “Si Fond trajtojmë 70 mijë pacientë çdo muaj me insulina, ndërsa shpenzimet për barnat që shkojnë për diabetikët janë rritur me rreth 500 milion lek të reja vetëm gjatë 3 viteve të fundit. Po vihet re dhe shtimi i rasteve me diabet edhe tek fëmijët. Më konkretisht, janë 180 fëmijë deri 14 vjeç që vuajnë nga diabeti tip 1 dhe mjekohen me insuline, ndërsa nga mosha 14–18 vjeç janë 130 pacientë”, shton Beci. Lidhur me përmirësimin e ndjekjes së fëmijëve me diabet, në bashkëpunim me Shoqatën e Diabetit do të mundësohet edhe shpërndarja e strishave për kryerjen e testit të glicemisë. Ndërkohë që për një menaxhim më të mirë të sëmundjes në vijimsi kërkohet edhe kryerja e testit të hemoglobinës së glukozuar (HbA1c).

Rimbursimi  

Aktualisht në listën e barnave të rimbursueshme janë dy lloje Insulinash: humane dhe analoge (me veprim të shkurtër dhe me veprim të zgjatur), si dhe antidiabetikët oralë. Por, përveç barnave që ne rimbursojmë për diabetikët, ka mjaft sëmundje që shkaktohen si komplikacion nga diabeti, për të cilat Fondi garanton gjithashtu mbulimin me barna, si problemet e veshkave, ato kardiologjike, verbëria që shkaktohet nga diabeti, etj. Për diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin në kohë të diabetit, kontrollimi i popullatës për diabetin tip 2, është pjesë e kontrollit mjekësor bazë për grupmoshën 40-65 vjeç, i cili do të nisë të zbatohet brenda vitit.

Sipas Becit, kjo do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së jetës, zgjatjen e kohës së fillimit të komplikacioneve të diabetit dhe pakësimin e hospitalizimeve, që janë kosto, jo vetëm për individin, por edhe për shoqërinë dhe shërbimin shëndetësor.

Postime të ngjashme

I nxehti ekstrem, kush janë kategoritë më të rrezikuara
Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Projekti i shëndetësisë, Banka Botërore bën bilancin: Nga “rrëzimi” i reformës së financimit te digjitalizimi
Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras
Ndikimi i dezinformimit në vaksinimin e fëmijëve
Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar