Për gazetën “Shëndet+”, infeksionistja Imelda Zeqo
Kur jemi me grip duhet të shmangim ambientet e mbyllura, qëndrimin gjatë nëpër lokale, sepse virusi në këto ambiente qarkullon më shumë. Është ngjitës, duke ditur dhe rrugën e marrjes që është kryesisht nëpërmjet spërklave.
Në rastet kur kemi temperaturë, 3-4 ditët e para të mbahet dhe të menaxhohet temperatura. Nëse pas 3-4 ditësh shihet se kjo temperaturë vazhdon dhe persiston, duhet parë, sepse mund të kemi një komplikacion. Mund të ndodhë një mbivendosje bakteriale mbi virusin e gripit që mund të jetë një bajame e infektuar, mund të jetë një infeksion urinar, mund të sjellë komplikacione të traktit respirator, komplikacione janë shumë. Në momentin që kemi këto komplikacione, atëherë rekomandohet që të niset edhe mjekimi specifik me këshillën e mjekut specialist.
Si duhet të jetë ambienti ku qëndron një i sëmurë me grip?
Kur një person i familjes është i sëmurë, nuk duhen mbyllur dyer e dritare që të mbajmë ambient të ngrohtë. Duhet një ambient i ajrosur me temperaturë normale, siç e mbajmë kur s’jemi sëmurë.
Roli i dietës ushqimore
Është e rëndësishme në çdo rast dieta ushqimore. Pasja e një trupi të shëndetshëm është e rëndësishme jo vetëm në rastet kur jemi me grip. Megjithatë, kur jemi në gjendje të tilla, rekomandojmë sa më shumë supëra të ngrohta dhe të ushqyeshme. Sa më shumë fruta.


