Skleroza e shumëfishtë, rreziku shëndetësor i moshave të reja

Mira RakacolliFaktorë të tillë si kushtet atmosferike, infeksionet bakteriale, viruset apo trashëgimia gjenetike janë ata faktorë që favorizojnë “lindjen” e kësaj sëmundjeje tek individët

Aishe Thartori

Skleroza e shpërndarë ose skleroza multiple është një sëmundje e cila prek sistemin tonë nervor. Sipas specialistëve, moshat më të riskuara prej multisklerozës janë pikërisht moshat produktive 20-40 vjeç. Faktorë të tillë si kushtet atmosferike, infeksionet bakteriale, viruset apo trashëgimia gjenetike janë ata faktorë që favorizojnë “lindjen” e kësaj sëmundjeje tek individët. Sipas mjekes neurologe në QSUT, prof. Mira Rakacolli, sëmundja e sklerozës së shumëfishtë është një sëmundje e cila nuk mund të shërohet plotësisht, por vetëm mund të mbahet nën “mbikëqyrje” për të parandaluar përkeqësimin e saj.

Doktoreshë, çfarë është skleroza multiple?

Skleroza multiple ose skleroza e shpërndarë është një sëmundje kronike e sistemit nervor qendror që dëmton një pjesë të caktuar përbërëse të këtij sistemi, pikërisht atë pjesë që quhet mielinë. Kjo e bën që të klasifikohet në atë grup sëmundjesh që në neurologji i quajmë sëmundje demielinizante.

Nga se shkaktohet skleroza multiple?

Shkaku akoma nuk dihet krejtësisht, por mendohet që veprimi i një ose disa faktorëve të jashtëm , akoma të diskutueshëm, në subjekte të predispozuara, shkakton një dëmtim të mielinës dhe e bën atë ” të huaj” për organizmin, duke shpërthyer një zinxhir reaksionesh të sistemit imunitar që çojnë në shkatërrim të mielinës në pjesë të ndryshme. Është pikërisht vendi ku ndodh dëmtimi që është përgjegjës për shenjat që ka i sëmuri.

Kush preket prej sklerozës multiple?

Skleroza multiple prek kryesisht moshat e reja, nga 20-40 vjeç, por nuk përjashtohen edhe rastet kur ajo prek fëmijët apo edhe moshat mbi 50 vjeç. Më të riskuara prej kësaj sëmundjeje janë femrat në raport 3 me 1.

Shqipëria në cilat vende bën pjesë, tek vendet me prevalencë të ulët apo të lartë?

Vendi ynë në fakt bën pjesë tek vendet me prevalencë të mesme përsa i takon sëmuendshmërisë  së sklerozës multiple.

Cilat janë dukuritë klinike të sklerozës multiple?

Dukuritë klinike të sklerozës multiple  janë të ndryshme duke filluar që nga shenja të lehta, si mpirje, turbullime të përkohshme të pamjes deri në shenja më të rënda, si: paraliza dhe çrregullime të rënda të ekuilibrit.

A janë të njëjta simptomat tek individët që preken prej kësaj sëmundjeje?

Jo, nuk janë të njëjta. Madje është karakteristike për këtë llloj sëmundje që të shfaqë shenja të ndryshme në individë të ndryshëm. Pra, secili pacient ka shenjat e veta klinike.

truri probCilat janë stadet nëpër të cilën kalon sëmundja?

Sëmundja shfaqet me periudha përmirësimi dhe përkeqësimi. Kjo është edhe forma më e shpeshtë me të cilën fillon sëmundja. Në këtë formë pacienti përjeton disa shenja neurologjike të cilat pasohen nga periudha përmirësimi që mund të jetë përmirësim i plotë ose i pjesshëm, për t’u pasuar përsëri nga një përkeqësim. Periudhat e përmirësimit mund të jenë të shkurtra ose të gjata dhe mund të zgjasin edhe për vite me radhë. Asnjëherë nuk mund të parashikohen pasi  janë të ndryshme në pacientë të ndryshëm, madje mund të variojnë edhe tek i njëjti individ.

Sëmundja kalon gjithashtu edhe në 3 forma që janë:

Forma primare progresive, një formë kjo ku nuk shfaqen periudhat e përmirësimit, por shenjat neurologjike  përkeqësohen në mënyre të ngadalshme.

Forma progresive sekondare, në këtë formë pas një periudhe përmirësimi, vazhdon vetëm përkeqësim.

Forma progresive rënduese,në këtë formë  sëmundja vijon rëndimin progresiv (gjatë këtij rëndimi ka periudha të qarta ataku rëndues).

Si diagnostikohen pacientët me sklerozë multiple?

Diagnoza e kësaj sëmundjeje vihet në radhë të parë duke u bazuar tek shenjat e sëmundjes, e sidomos në veçoritë klinike të saj , që ne neurologët e quajmë shpërndarje e shenjave në hapësirë e në kohë. Por natyrisht ka edhe ekzaminime plotësuese, ndër të cilat më e rëndësishme është “Rezonanca Magnetike”.  Megjithatë në 1% të rasteve ky ekzaminim mund të jetë normal dhe pacienti të jetë me sklerozë të shpërndarë. Ndër ekzaminimet e tjera mund të përmendim analizën e lëngut truno-shpinor e potencialet e evokuara.

Si realizohet mjekimi i pacientëve me sklerozë multiple?

Mjekimi kalon nëpër dy etapa kryesore. Etapa e parë është ajo e mjekimit të episodit kur shfaqet. Për këtë qëllim përdoren skema të caktuara të preparateve me bazë kortizoni.

Etapa e dytë është ajo që realizohet pasi qetësohet episodi akut me përmirësim të plotë apo jo. Në këtë periudhë përdoren preparate të cilat quhen imunomodulatorë, e duke ndryshuar reaksionet imunitare të sistemit nervor, çojnë në mosrëndim. Këto preparate janë relativisht të reja dhe me kosto të lartë, por fatmirësisht disa prej tyre janë të pranishme në Shqipëri krejtësisht të rimbursueshme nga shteti.

Postime të ngjashme

Koha më e mirë për të marrë suplemente magnezi, sipas ekspertëve
Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
6 shenja që tregojnë se nuk po pini ujë të mjaftueshëm
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Si ta lehtësoni menjëherë djegien nga dielli me aloe vera 
Cilat perime kanë përmbajtjen më të lartë të ujit dhe janë më hidratueset?
Paralajmërojnë ekspertët: Manaferrat dhe luleshtrydhet në krye të listës së produkteve me më shumë pesticide