Një avion i linjës ajrore “American Airlines”, i cili po udhëtonte nga Londra për në Los Anxhelos, është detyruar të kthehet sërish në Londër vetëm disa orë pas nisjes, pasi disa anëtarë të ekuipazhit dhe pasagjerë janë ndjerë keq.
Disa udhëtarë kanë pasur marrje mendsh dhe njërit prej tyre i kishte rënë të fikët. Shkaku i sëmundjes nuk është bërë i ditur akoma.
Pasagjerët që kanë qenë në bord tregojnë për mediat amerikane tmerrin që kanë përjetuar ndërsa shikonin njerëzit duke u rënë të fikët.
“Një nga stjuardesat ishte duke ecur në pjesën mes ndjenjësve kur filluan t’i merreshin mendtë. Pastaj gjashtë anëtarë të tjerë të ekuipazhit thanë se kishin marrje mendsh dhe se po u binte të fikët,” tregon një pasagjer për të përditshmen “The Mirror”.
Avioni u kthye sërish në Londër pas 5 orëve fluturim. Pasagjerët nuk ishin lejuar të zbrisnin nga avioni, deri në momentin që u kryen disa testime për substanca të mundshme në bord. Një zëdhënës i “American Airlines” konfirmoi për mediat se avioni ishte kthyer për shkak të emergjencës mjekësore dhe jo për arsye sigurie.
Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka / Burimi: Mashable


