Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Mjekët amerikanë kanë arritur të kryejnë transplantet e para të mëlçisë dhe veshkës nga një dhurues me HIV-pozitiv tek marrësit, të cilët po ashtu janë të prekur nga ky virus. Operacionet janë kryer në spitalin Johns Hopkins në Baltimore brenda dy javësh. Të dy pacientët janë në gjendje të mirë dhe organet e tyre të reja po funksionojnë si duhet. Ata kanë më shumë se 25 vjet që jetojnë me këtë virus.
Mjekët kanë kryer edhe më parë transplante të organeve tek persona me HIV-pozitiv, por dhuruesit kanë qenë me HIV-negativ. Ndërsa tani ata mund të kryejnë transplante edhe nga dhuruesit me HIV-pozitiv, duke rritur kështu mundësitë që njerëzit e prekur nga ky virus të gjejnë më shpejtë organe.
“Ka me mijëra pacientë me HIV të cilët kanë nevojë për transplant të veshkave, mëlçisë etj, të cilët po presin në listë. Në të njëjtën kohë, ne po i hedhim organet nga dhuruesit e infektuar me HIV vetëm sepse ata janë të prekur nga ky virus”, tha gjatë një konference për shtyp dr. Dorry Segev, drejtor i Grupit të Kërkimeve Epidemiologjike në Transplantin e Organeve.
Operacione të tilla nuk mund të kryheshin deri para viteve ’80, pasi ishte e ndaluar me ligj që mjekët të përdornin organet e pacientëve të infektuar me HIV. Tani ky ligj ka ndryshuar, dhe pacientët e infektuar me këtë virus mund të marrin organe nga të gjithë dhuruesit.
“Për ata që jetojnë me HIV ky është një lajm shumë emocionues”, shprehet dr. Segev. “Tani çdo dhurues me HIV-pozitiv ka mundësi të shpëtojë jetë njerëzish”, shpjegoi ai.
Burimi: The Mirror / https://shendeti.com.al/


