Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Jetojmë në një botë ku ka më shumë njerëz obezë sesa nën peshë, tregon një studim i ri i publikuar nga revista prestigjioze mjekësore Lancet. Studimi krahason indeksin e masës trupore IMT të pothuajse 20 milionë burrave dhe grave nga viti 1975 deri në 2014-n.
Të dhënat janë marrë nga 186 vende të ndryshme. Sipas tyre, numri i njerëzve obezë në të gjithë botën është rritur nga 105 milionë që ishte në vitin 1975 deri në 641 milionë në vitin 2014. Gjatë kësaj periudhe, përqindja e meshkujve obezë është trefishuar, nga 3.2% e popullsisë në të gjithë botën, në 10.8%. Ndërsa për femrat numri është dyfishuar nga 6.4% në afërsisht 15%.
Ndërkohë, numri i njerëzve nën peshë ka rënë me 1/3 si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat. Autorët e studimit thonë se nëse ky trend vazhdon, atëherë gjysma e të rriturve në të gjithë botën do të jenë obezë nga viti 2025.
“Gjatë 40 viteve të fundit, ne kemi ndryshuar nga një botë ku numri i njerëzve nën peshë ishte gati sa dyfishi i atyre obezë, në një botë ku ka më shumë njerëz obezë sesa nën peshë,” deklaroi autori kryesor i studimit, profesori Majid Ezzat. “Nëse ky trend vazhdon, më shumë se gjysma e të rriturve do të jenë obezë deri në vitin 2025”, shtoi ai.
Për të parandaluar këtë epidemi, ai thotë që duhet të merren masa për edukimin e njerëzve që të ushqehen shëndetshëm dhe të kujdesen për shëndetin.
Burimi: CBS News/ https://shendeti.com.al/


