Kanceri i stomakut është i trajtueshëm nëse kapet herët. Fatkeqësisht rrallë simptomat fillojnë të jenë të dukshme që në stadet e para të shfaqjes. Kur shfaqen simptomat, shpesh janë jo specifike, ku lehtësisht mund të gabohet për një problem më pak serioz si një virus ose një refluks acid. Ju duhet të këshilloheni me mjekun specialist veçanërisht në rastet kur ju shoqërojnë ndjesi të tilla të parehatisë në regjionin e sipërm ose të mesëm të barkut, sidomos kur ka lidhje me humbje peshe ose me një dobësi të përgjithshme.
Shenja e përbashkët dhe më e hershme e tumoreve të stomakut është hemorragjia e brendshme mikroskopike, e cila zbulohet vetëm nga testi i feçeve. Në qoftë se hemorragjia vazhdon me humbje të qelizave të kuqe të gjakut, kjo çon në anemi dhe në shfaqjen e lodhjes. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar të 12 faktorët nga të cilët duhet të bëni kujdes për t’i mbajtur larg ose dhe për t’i trajtuar sa më herët rastet e shfaqura të kësaj sëmundje.
- Të kesh infeksion me HP na ekspozon 2-6 herë më shumë ndaj tumoreve në stomak në krahasim me ata që nuk e kanë këtë infeksion. HP është një bakter që jeton thellë në palat mukoze të stomakut. Mendohet se ky bakter përhapet nga personi në person, nëpërmjet rrugës fekal-orale ose nëpërmjet ujit të kontaminuar. Infeksioni nga HP shpesh shfaqet në fëmijëri dhe mund të zgjasë gjatë gjithë jetës në qoftë se nuk trajtohet. Por në shumë njerëz me infeksion nga HP nuk është gjetur kancer stomaku dhe kërkimet tregojnë se faktorët gjenetikë luajnë një rol të rëndësishëm. Ndaj të kesh HP së bashku me një formë geni që shkakton aciditet të ulët në stomak rrit riskun për kancer të stomakut.
- Gjinia është një tjetër faktor që çon në shfaqjen e kësaj sëmundje. Sipas autoriteteve shëndetësore, seksi mashkull është i riskuar 2 herë më shumë se seksi femër. Ndërkohë që sa i takon moshës së përhapjes së këtyre tumoreve, mosha ku evidentohet më shpesh kanceri i stomakut është nga 50-60 vjeç. Por mund të haset edhe nën moshën 40 vjeç. Kjo pasi në të shumtën e rasteve shenjat zbulohen shumë kohë më pas nga momenti fillestar i shfaqjes së sëmundjes.
- Dieta ka një rol të rëndësishëm. Konsumimi i ushqimeve të konservuara, të tymosura, të regjura, i ushqimeve me përmbajtje të nitriteve dhe nitrateve, sidomos në mishrat e përpunuar, përbën një faktor risku që nuk duhet neglizhuar. Nga ana tjetër përdorimi i frutave, zarzavateve, sidomos ato me ngjyrë të kuqe ose të verdhë, si: domatja, karrota, patatja e ëmbël, ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit nga tumori i stomakut. (Materialin e plotë mund ta lexoni në numrin 1 mars 2014 të gazetës “Shëndet+”)


