Blertina Koka / Shëndet+
“Të mposhtim diabetin!”, është thirrja që bën OBSH për Ditën Botërore të Shëndetit 2016. Edhe ministri i shëndetësisë në Shqipëri, Ilir Beqaj, ka zgjedhur pikërisht këtë ditë për t’iu bërë thirrje të gjithë personave që vuajnë nga diabeti që mos të neglizhojnë vizitat tek mjeku i familjes. Gjatë një takimi me mjekët në spitalin rajonal të Fierit, Ministri Beqaj ftoi qytetarët të kryejnë kontrolle periodike, ndërsa bluzat e bardha të pajisen me një çantë mjekësore me medikamente dhe materialet bazë.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, së bashku me znj. Debora Kern, Shefja e Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën e Zvicrës, Shefen e Zyrës Vendore të OBSH-së në Shqipëri Ledia Lazëri, dhe Menaxherin e Projektit “Shëndet për të Gjithë” Dr. João Costa, bënë thirrje për më shumë aktivitete të ndërgjegjësimit shëndetësor dhe parandalimit.
Gjatë aktivitetit të organizuar në Fier u prezantuan çanta me pajisje të reja të ofruara nga projekti me financim zviceran “Shëndet për të Gjithë” (HAP). Mjekët e familjes demonstruan pajisjet dhe procedurat që mund të pikasin dhe diagnostikojnë shpejt dhe lehtë sëmundjet jo -të transmetueshme të tilla si diabeti.
Gjatë muajit mars 2016, Projekti “Shëndet për të Gjithë” siguroi 100 çanta mjekësore për mjekët e familjes në qarqet Dibër dhe Fier, me vlerë prej 50,000 euro. Çantat përfshijnë instrumente të tilla si: glukometër, stetoskop për fëmijë dhe të rritur, puls oksimetër, çekiç neurologjik, kalendar shtatzënie, stetoskop fetal – shumë të rëndësishme për mjekët për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore. Sipas MSH-ës, edhe 130 çanta të tjera mjekësore do të shpërndahen së shpejti për mjekët e familjes në këto dy rajone.
“Unë e mbështes plotësisht këtë nismë për mposhtjen e diabetit. Qytetarë të vetëdijshëm mund të përkthehet në qytetarë të shëndetshëm”, u shpreh znj. Debora Kern, Shefja e Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën e Zvicrës. “Nëse ne sigurojmë informacionin e duhur, në kohën e duhur, dhe marrim masa parandaluese, shumë njerëz nuk do të preken nga kjo sëmundje. Kjo do të thotë më pak kosto për individin dhe për shoqërinë, më pak vuajtje dhe jetë më të lumtur”, shtoi znj. Kern.
Shefja e Zyrës Vendore të OBSH-së në Shqipëri foli për Ditën Botërore të Shëndetit 2016, të përqendruar në luftimin e diabetit, një sëmundje të cilën OBSH-ja e parashikon se do të jetë shkaktari i shtatë i vdekjeve deri në vitin 2030. Me anë të publikimit të Raport të ri Global mbi Diabetin, OBSH përshkruan barrën dhe pasojat e diabetit dhe bën thirrje për sisteme të forta shëndetësore që të garantojnë përmirësimin e monitorimit, përmirësimin e parandalimit dhe menaxhimin më efektiv të sëmundjes.


