Mashtrimi me ilaçet, nën hetim 4 punonjës të “Omega Pharma”

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për skemën mashtruese me ilaçet, të njohur si “Farmacitë 2”, për të cilën janë marrë të pandehur administratori i “Omega Pharma”, Nadir Çausholli, si edhe tre punonjës të kësaj kompanie, pasi akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme më shumë se 2 milion euro, nëpërmjet faturave fiktive. Gjithashtu, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur edhe vetë subjektin “Omega Pharma”.ilace1

Në bazë të veprimeve procedurale, Prokuroria e Tiranës ka krijuar bindjen e bazuar në prova se Nadir Çausholli, në cilësinë e administratorit të kompanisë farmaceutike, si edhe punonjëset e kësaj shoqërie, Arjola Piperaj, Laureta Kushova dhe Blerina Qatja, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrimit”.

Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimeve, ka urdhëruar edhe ekspertizën e specializuar, nga e cila është arritur në përfundimin se, nga kjo skemë mashtruese, vlera e dëmit ekonomik ndaj shtetit për periudhën Janar 2013- Tetor 2015 arrin në vlerën e rreth 2.2 milionë euro. Kjo shifër është për skemën e dyshuar mashtruese vetëm për dy lloje ilaçesh (insulinë dhe ketosteril), pasi në hetim është edhe përfshirja në rimbursim në mënyrë të paligjshme e disa llojeve të tjera barnash.

Sipas hetimit të Prokurorisë Tiranë, “Omega Pharma” ka shpërndarë receta të falsifikuara tek farmaci të ndryshme dhe këto të fundit i kanë paraqitur recetat për rimbursim tek Fondi Rajonal i Kujdesit Shëndetësor Tiranë, duke tërhequr në total shumën e sipërcituar për dy llojet e ilaçeve.

Skema mashtruese me rimbursimin e ilaçeve, e njohur ndryshe edhe si “Omega”, është pjesa e dytë e një hetimit të gjerë, të nisur nga Prokuroria e Tiranës lidhur me faturat fiktive të barnave. Pak ditë më parë, prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin për 7 persona, disa prej të cilëve zyrtarë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, përfshirë edhe ish-drejtorin Pjerin Xhuvani, si edhe disa drejtues teknik farmacish, të cilët akuzohen të gjithë së bashku për një skemë mashtruese, “Farmacia 1”, me një dëm ekonomik ndaj shtetit në vlerën e 56 milionë lekëve të reja.

Për këtë skemë, pra për “Farmacia 1”, në fundjavë janë dërguar për gjykim edhe 3 persona të tjerë, dy prej të cilëve zyrtarë të Fondit Rajonal të Tiranës dhe një tjetër drejtues farmacie. Të pandehurit e radhës së skemës mashtruese “Farmacia 1” janë Ferdinand Hoxha, Tasim Toçi dhe Violeta Bejko./ https://shendeti.com.al/

 

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore