Përgatiti për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta
Zakonisht jemi mësuar të kemi kujdes nga presioni i lartë i gjakut, pa marrë parasysh se edhe presioni i ulët ose hipotensioni mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin.
Ndërrimi i stinëve dhe për pasojë luhatja e temperaturave bëhen pothuajse gjithnjë favorizuese të problemeve shëndetësore, ndër të cilët është edhe tensioni i ulët. Ky shqetësim ndodh për shkaqe të ndryshme dhe prek kryesisht femrat dhe personat e moshuar, megjithatë nuk përjashtohen edhe të rinjtë
Edhe pse tensioni i lartë është pa dyshim më i rrezikshëm për shëndetin, është mirë që njerëzit të kenë kujdes edhe nga tensioni i ulët i cili ndodh kur zemra nuk ka fuqi mjaftueshëm të punojë për të hedhur në trup sasinë e domosdoshme të gjakut që i nevojitet atij. Përgjithësisht vlerat normale të presionit arterial konsiderohen 120 me 80 mm Hg (njësia matëse është mmHg, milimetra shtyllë zhive). Tensioni i ulët zakonisht i referohet leximit të presionit të gjakut, në një mesatare nën 100/60 mmHg. Megjithatë, këto norma variojnë edhe sipas personit, pasi çdo individ ka normat e tij të presionit arterial dhe shëndeti i tij vihet në rrezik kur presioni i gjakut ulet nën këto vlera apo kur këto vlera bien në mënyrë të papritur.
Simptomat që tregojnë tension të ulët mund të jenë të ndryshme: lodhje, marrje mendsh, të fikët, mungesë oreksi, shikim i turbullt etj.
- Rekomandohet konsumimi i kripës, sigurisht me masë.
- Rekomandohet të hani shpesh por në porcione të vogla gjatë gjithë ditës. Ndër ushqimet e rekomandueshme janë qumështi dhe mishrat me përmbajtje të ulët yndyre (mishi i pulës, peshku)
- Konsumoni sa më shumë fruta. Pini sa më shumë ujë dhe lëngje gjatë ditës.
- Nëse ju merren mendtë kur ndërroni pozicion, duhet të ktheheni menjëherë në pozicionin e mëparshëm.
- Mos qëndroni në diell.
- Mos konsumoni alkool.
- Në situata emergjente, si për shembull në rastin e rënies të menjëhershme të tensionit, duhet të pini një gotë me ujë dhe sheqer ose thjesht të vendosni një lugë me sheqer në gjuhë.
- Duhet të bëni shumë aktivitet fizik, por duhet të mos dilni gjatë orëve më të nxehta apo të kryeni sforcime të tepruara.
Burimi: helthyfoodhouse/https://shendeti.com.al


