Përshatti në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Claudio Vieira de Oliveira ka lindur me një deformim të rëndë në kokë, e cila është e varur mbrapa. Mjekët i thanë nënës së Claudios, kur ai lindi, që të heqë dorë prej tij dhe ta lërë të vdesë. Braziliani ka lindur me “arthrogryposis”, një sëmundje e rrallë që bashkon nyjat, duke e lënë me kokën poshtë dhe fytyrën në anën e kundërt.
Pavarësisht kufizimeve të tij fizike dhe dyshimeve të mjekëve, Claudio jo vetëm që ka arritur të mbijetojë, por ka shkruar edhe një libër për jetën e tij.
Libri titullohet “Bota është në rrugën e gabuar”, të cilin Claudio e ka shkruar të gjithin duke e mbajtur stilolapsin në gojë.
Pavarësisht kufizimeve fizike, Claudio shumë gjëra i bën vetë, pa ndihmën e të tjerëve.
“Kamë mësuar të ndez televizorin, radion, të marrë telefonin, të përdor internetin, kompjuterin – i bëj të gjitha këto gjëra vetë”, tregon Claudio.
Pavarësia e ka ndihmuar që të përparojë në shkollë dhe të kualifikohet si financier nga Universiteti Feira de Santana.
Nëna e tij tregon se nuk janë përpjekur asnjëherë të gjejnë një mënyrë shërimi për të dhe gjithmonë donin që ai të dukej normal nga të tjerët.
“Prandaj ka kaq shumë besim në vetvete. Ai nuk ka turp të ecë në rrugë, të këndojë dhe kërcejë”, tregon nëna e tij.
“Përgjatë gjithë jetës jam përpjekur të përshtatem me trupin tim. Tani nuk e shoh veten të ndryshëm nga të tjerët. Jam një njeri normal”, përfundon Claudio.
Arthrogryposis, sëmundja që bashkon nyjet
Arthrogryposis është një sëmundje e rrallë që shkakton lakim të nyejve në pjesë të ndryshme të trupit. Ajo shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, si mungesa e hapësirës në mitër, anomali të muskujve, nervave, probleme me qarkullimin e gjakut dhe sëmundje gjatë shtatzënisë. Kjo sëmundje prek 1 në 3000 foshnje, dhe zakonisht zbulohet para lindjes. Disa opsione për trajtim janë fizioterapi, ndarje dhe operacion.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


