Ekskluzive/ Shkencëtarja Iris Papa: Sfidat e një pune kërkimore dhe lidhjet e mia me mjekësinë shqiptare

Bisedoi Denisa Canameti / “Shëndet+”

Iris Papa

Pavarësisht se jeton e punon prej vitesh në Francë, Iris Papa flet dhe shkruan shkëlqyeshëm shqip. Vetëm pak ditë më parë, emri i Irisit u lakua nga mediat më prestigjioze si pjesë e ekipit ndërkombëtar që arritën të zbulojnë një panoramë thuajse perfekte të zhvillimeve gjenetike që shkaktojnë kancerin e gjirit.

Iris Papa ka mbaruar studimet e larta në Tiranë, dega biologji, me mesatare të shkëlqyer. Studimet e mëtejshme do t’i zhvillonte në Francë. Menjëherë pas mbrojtjes së doktoratës, do të fillonte punë në kërkimet shkencore për trajtimet kundër kancerit.

Sot, emri i Irisit qëndron krahas shumë shkencëtarëve të tjerë, të cilët po japin një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e mjekësisë.

Në një intervistë ekskluzive për “Shëndet+”, Iris tregon për punën e saj në Francë, marrëdhënien me mjekësinë shqiptare, sfidat e të punuarit në një ekip kërkimor, si dhe impaktin e këtij zbulimi në shëndetin e popullatës/ afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë.

Iris, ju keni studiuar në Tiranë dhe aktualisht jeni pjesë e një grupi studiuesish në Francë. Si jeni gjendur atje dhe prej sa kohësh punoni në Francë?

Pasi mbarova studimet e larta në 1992, në degën biologji 5 vjeçare, u emërova në katedrën e gjenetikës të FSHN, që drejtohej atëherë nga profesor Zyri Bajrami. Tema ime për mbrojtjen e diplomës ishte rreth gjenetikës, e drejtuar nga profesor Ilia Mikerezi. Në të njëjtën kohë fitova një bursë të programit evropian TEMPUS dhe u regjistrova në Universitetin e Montepellier, Francë për Master2.

Rezultatet e mira bënë që fitova një bursë të shtetit francez dhe vazhdova doktoratën për biologji molekulare. Pas doktoratës, fillova punë në kërkimet shkencore për trajtimet kundër kancerit, në vitin 1997.

Cila është marrëdhënia me mjekësinë shqiptare?

Lidhjet e mia me mjekësinë shqiptare janë në radhë të parë familjare, motra ime mbaroi mjekësinë në Tiranë dhe filloi internatin tek pediatria. Kam dhe kushërinj që janë profesorë në Fakultetin e Mjekësisë ose që vazhduan karrierën nëpër Evropë.

Lidhjet e tjera janë miqësore, nëpërmjet profesor Arben Ivanajn, që e kam njohur që në kohën e studimeve dhe më pas gjatë specializimit të tij në Francë. Për disa vjet, organizuam konferenca shkencore midis shërbimeve të onkologjikut, me profesor Agim Sallakun dhe atij të hematologjisë, me pjesëmarrjen e profesor Xavier Pivot, që është lideri i trajtimit të kancerit të gjirit në Francë dhe i njohur në nivel botëror.

Si e vlerëson mjekësinë në vendin tonë dhe sa të përgatitur e shikon mjekësinë shqiptare për të pritur zhvillimet e reja të shkencës së mjekësisë?

Mjekësia moderne kërkon pajisje dhe metoda që kërkojnë investime financiare të mëdha, nuk e njoh mirë gjendjen e vërtetë të mjekësisë shqiptare që të jap një mendim të saktë.

Prej sa kohësh jeni pjesë e këtij grupi pune? Cilat janë sfidat kur punon në një ekip pune kërkimore?

Kjo është pyetje shumë interesante. Programi shkencor rezultatet e të cilit u botuan javën e kaluar, është frut i një angazhimi 8 vjeçar midis grupeve të ndryshme ndërkombëtare. Ky është programi më i rëndësishëm në fushat e biologjisë në këto 10 vitet e fundit.

Sfida e parë e këtij programi ishte pikërisht ky bashkëpunim, midis ekipesh që janë në garë, ku secili do t’ia arrije i pari qëllimit. Por pikërisht, fakti që nuk ia del dot vetëm për këtë punë, bëri që shkencëtarët të uleshin bashkë në tavolinën e punës dhe të ndanin pjesën që i binte secilit.

Sfidat e tjera janë teknike: sasia e paimagjinueshme e të dhënave (me qindra ordinatore), cilësia e materialit gjenetik, koha për të cilën ka nevoje dhe bën që ekipet ndërrojnë. Fatkeqësisht, bile dhe shkencëtarë vetë të programit ndërruan jetë në rrugë e sipër duke shkaktuar një humbje të njohurive të pazëvendësueshme.

A keni pasur bashkëpunim me institucionet universitare brenda dhe jashtë Francës? Nëse po ku ka konsistuar ky bashkëpunim?

Institucionet shkencore më me emër u angazhuan në këtë program, për shembull Instituti Curie në Paris, Bordet në Bruksel, Dana Farber në Boston, Sanger në Kambridge etj. Kemi kaluar ditë e ditë duke zgjedhur mënyrën më të përshtatshme, duke shikuar çdo material biologjik, duke mbledhur të dhëna për çdo pacient. Ishte shumë interesante të shihje se si këta “kokë” punonin bashkë. Mbledhjet ishin çdo herë në një vend ose kontinent tjetër (Toronto, Verona, Kane, Bombai etj).

Çfarë u arrit me zbulimin dhe si do jetë impakti në shëndetin e popullatës/ afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë?

Rezultatet janë sidomos shkencore : njihet tashmë lista e gjithë gjeneve që shkaktojnë kancerin e gjirit. Në të ardhmen e hershme, krijohet mundësia që ilaçe që përdoreshin për lloje të tjera kanceri, të përdoren për atë të gjirit. Në të ardhmen më të largët, këto zbulime i japin firmave farmaceutike mundësinë të gjejnë ilaçe të tjera.

A mund të parandalohet kanceri i gjirit?

Përgjigja e kësaj pyetjeje është e vështire, pasi kanceri i gjirit nuk varet direkt nga faktorë të jashtëm (alkooli, cigarja) por nga faktorë të brendshëm të organizmit (hormonet femërore). Aktiviteti fizik (ecja, noti), dieta, e ulin rrezikun për të bërë një kancer të tillë. Mënyra më e mirë për ta zbuluar herët, është prekja e gjirit për shembull gjatë dushit, kontrolli që çdo grua mund të bëjë vetë. Një vizitë vjetore tek mjeku gjinekolog është gjithashtu mirë.

Sa efektiv ka qenë trajtimi i kancerit të gjirit?

Trajtimi i kancerit të gjirit është ai që ka bërë më shumë progres në këto 20 vitet e fundit dhe është efektiv. Në vendet e Evropës tani, 80% e grave të prekura nga ky kancer shërohen.

Si do të prezantohet ky zbulim në nivele akademike e shkencore? Pas këtij zbulimi, mendoni se bota po ndjek politikat e duhura për të luftuar kancerit të gjirit?

Paraqitja e këtij studimi u bë në revistën më të njohur shkencore; është një nder i jashtëzakonshëm të jesh bashkë autore në këtë artikull, por dhe në të tjerë që do vijojnë. Ai do paraqitet gjithashtu në kongreset më të mëdha shkencore në mjekësi në muajt që vijnë.

Politika e luftës kundër këtij kanceri është diskutuar shumë këto kohët e fundit, me një fokus në interesin e mamografive si mjet kontrolli. Me gjithë polemikën mbi këtë çështje, kjo metodë vazhdon të jetë numri një i politikave të shëndetit publik në luftën kundër këtij kanceri./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin