Denisa Canameti
Patologjitë më të shpeshta që paraqiten tek neurologu i poliklinikës, janë cefaletë (dhimbjet e kokës), dhimbjet e mesit e të shpinës, dhimbjet periferike, episode me humbje ose alterim të vetëdijes e çrregullime të lëvizjes (tremor, sëmundja e Parkinsonit etj).
Jonida Bala, mjeke neurologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve, nr.3 në Tiranë, flet për lexuesin e gazetë “Shëndet+”, teksa thekson se këto patologji janë me shpeshtësi të ndryshme, por në përgjithësi në përputhje me prevalencën e incidencën e tyre edhe në vende të tjera të botës.
“Një arsye tjetër përse këto patologji që u përmendën më lart janë më të shpeshta, është se në vetvete janë edhe simptoma të sëmundjeve të ndryshme (për shembull, dhimbja e kokës nga sinusiti ose infeksione apo sëmundje të tjera të veshit, syrit apo dhëmbëve etj.)
Dërgimi në spital bëhet për disa arsye të ndryshme. E para dhe më e shpeshta është plotësimi me ekzaminime që kryhen vetëm në spital (CT, MRI, ENG etj).
Arsyeja e dytë është konsulta për mendim më të hollësishëm e të specializuar mbi diagnostikimin ose mjekimin në rast të sëmundjeve më të rënda e të ndërlikuara. Raste të tjera ku nevojitet drejtimi në spital, janë rastet e urgjencave (AVC, Traumë etj) ose rastet për vlerësim për pension invaliditeti ose ndihmë ekonomike.
Mjeku i familjes duhet të jetë i vëmendshëm në konsultimin e pacientit te specialisti neurolog nëse kemi raste të dhimbjeve të menjëhershme të kokës ose ndryshimi i karakterit të dhimbjes, paraliza të nervave të kokës ose gjymtyrëve, rëndim i sëmundjes ekzistuese (për shembull shtim i krizave epileptike, rëndimi menjëhershëm i Parkinsonit etj).
Është me shumë rëndësi që mjeku i familjes të hetojë në mënyrë të hollësishme nëpërmjet anamnezës për shenjat e reja ose ankesat e fundit në mënyrë që të shmangen orientimet në specialistin e gabuar, ai duhet të bëjë një paraqitje si të gjendjes së përgjithshme të pacientit, edhe përshkrim të ankesave ose simptomave të reja.
Problemet që mund të menaxhohen nga mjeku i familjes, janë dhimbjet e mesit e shpinës, dhimbjet e kokës, dhimbje të tjera kronike, gjithmonë nëse këtyre simptomave i është qartësuar etiologjia më parë nga specialisti.
Numri i pacientëve është i variueshëm, 15 – 50 pacientë në ditë, ndër të cilët mbi 50% janë pacientë të rinj (që nuk janë paraqitur më parë tek neurologu).


