22-vjeçari me zemër të zmadhuar, prindërit apel për ndihmë

Arbjon Demir Rrapaj

Është në kulmin e jetës, kur duhet të kujdeset për veten dhe familjen, t’u sigurojë atyre të ardhurat, por fati deshi që ta kaplonte sëmundja e të dergjej në shtrat. Kjo është historia e trishtë e 22-vjeçarit nga fshati Kashisht, Arbjon Demir Rrapaj, i cili ka prej tre muajsh që po lëngon nga sëmundja që i ka përfshirë zemrën.

I riu nga Fieri ka punuar në Greqi si refugjat për të nxjerrë “bukën e gojës” për familjen, e cila përbëhet nga 6 anëtarë. Atij i është dashur që të udhëtojë në këtë shtet të huaj çdo tre muaj për të punuar, duke qenë se nuk është i pajisur me dokumente. Tremujorin kur ai duhej të ishte duke punuar, e ka kaluar në shtrat duke luftuar me vdekjen.

Arbjoni filloi të shfaqë simptomat e para të sëmundjes pasi u kthye nga Greqia. Ai i është nënshtruar një testi analizash në spitalet shqiptare, ku u diagnostifikua me dobësi të theksuar zemre në QSUT.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shekulli”, familjarët tregojnë se zemra e djalit është e goditur nga një virus që shkakton çrregullimin e saj dhe punimin në rreth 15% të kapacitetit.  Ata e kanë dërguar djalin për terapi mjekësore në spitalet private, ku kanë paguar mijëra euro, por sëmundja nuk është neutralizuar akoma.

Familja e Demir Rrapajt nga Kashisht i Fierit janë dorëzuar përballë sëmundjes së rëndë që ka kapur të birin. Ata i kanë shpenzuar të gjitha kursimet nëpër spitalet private në Shqipëri, dhe të pashpresë kërkojnë ndihmë për shërimin e djalit jashtë shtetit.

E pikëlluar nga gjendja e djalit, nëna e tij kërkon ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë, Qeveria dhe shqiptarët ku ndodhen.

“Kërkoj ndihmë, flas si nënë, si motër, si qytetare e këtij vendi. Dua të kem sërish afër meje djalin tim. Nuk më besohet që ai është sëmurë rëndë. Se shikoj dot këtë krevat bosh. S`mundem jo. Dikush duhet të dëgjojë. Të më jap një shpresë dhe të më bëj të ndihem si gjithë të tjerët.

Kam harxhuar gjithçka kam. Jam me borxhe. Nuk kam më se çfarë të jap për tim bir. Vini dorën në zemër si qeveri, si ministri! Ai është i ri dhe kërkon të jetojë”, apelon ajo me lot në sy.

Xhaxhai i tij, Xhemil Rrapaj, pohon se gjatë shtrimit në spitalet private kanë paguar nga 300- 400 euro nata: “Nuk kemi më se çfarë të japim. Kërkojmë ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë. Të ndërhyjë për ta mjekuar nipin. Lekët që kishim ato që na dhanë borxh i harxhuam. Në Itali kërkojnë shuma të mëdha. E dërguam atje privatisht. Por s`kemi më mundësi. Thjesht shteti e ka në dorë jetën e nipit tim”, pohon ai mes dhimbjes.

Edhe kryetari i fshatit Ramadan Kapaj tregon se organizoi një fushatë sensibilizuese në zonë. “U përgjigjën disa bashkëfshatarë-thotë ai. Por nuk plotësojmë dot shumën që duhet për trajtimin e tij mjekësor. E kam bërë prezent këtë problem te Bashkia Fier, por nuk ka të ardhura për ndihmë. Lutja në këtë drejtim është ndaj Qeverisë. Të vërë dorën në zemër brenda ligjit të arrijmë të shpëtojmë jetën e këtij të riu”-deklaron ai.

Burimi: Gazeta Shekulli 

 

Postime të ngjashme

Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës