Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al“: Fize Smailaj
Kolagjeni është proteina me sasinë më të madhe në trupin tonë. Ajo gjendet në kocka, muskuj dhe lëkurë, ku formon një mburojë për të ruajtur forcën dhe strukturën e tyre. Ky është edhe funksioni kryesor i kolagjenit, mbajtja e trupit në një formë sa më kompakte.
Nëse ende nuk jeni të bindur për rëndësinë e kolagjenit, hidhuni një sy përfitimeve që ka trupi ynë nga ai.
Lëkura dhe flokët
Me kalimin e viteve prodhimi i kolagjenit ulet. Kjo gjë vihet re edhe nga ana fizike: lëkura varet, ka më shumë rrudha dhe më pak elasticitet. Rritja e sasisë së kolagjenit e ndihmon lëkurën të duket më e tërhequr, rrit butësinë e saj dhe ndihmon qelizat të rigjenerohen normalisht.
Kyçet
A ndjeni ndonjëherë pengesë në kyçe, sikur i lëvizni me vështirësi? Ajo është një nga shenjat e mungesës së kolagjenit. Kjo ndodh sepse me uljen e sasisë së kolagjenit në organizëm, ligamentet dhe kyçet lëvizin me më pak lehtësi, duke çuar në ngurtësim dhe ënjtje të kyçeve. Krahasojeni marrjen e kolagjenit me grasatimin e një dere të vjetër; do të ndihmojë kyçet të lëvizin më me lehtësi, do të ulë dhembjet dhe do të ulë edhe rrezikun e konsumimit të kockave. Një studim i kohëve të fundit ka zbuluar se rritja e sasisë së kolagjenit është edhe një trajtim efikas për osteoartritin dhe për çrregullime të tjera të kyçeve.
Futja e lëndëve të dëmshme në trup
Nëse vuani nga sindroma e futjes së lëndëve të dëmshme në trup, një sëmundje ku toksinat e dëmshme përhapen në organizëm me anë të aparatit të tretjes, kolagjeni mund të jetë shumë i dobishëm. Ai do të ndihmojë në përmirësimin e mureve të dëmtuara qelizore, duke i mbushur ato me aminoacide . Gjithashtu do të pengojë lëvizjen e lirë të lëndëve në sistemin tretës, duke përthithur ujin
Forcon metabolizmin dhe rrit energjinë
Glicina (aminoacid), që gjendet në kolagjen, përçon sheqer në indet e trupit për të rritur nivelet e energjisë. Ajo gjithashtu ndihmon në zhvillimin e muskujve. Për ta kthyer kolagjenin në një proteinë të dobishme, sigurohuni që ta kombinoni marrjen e tij edhe me marrjen e vitaminës C.
Forcon thonjtë dhe dhëmbët
Mungesa e kolagjenit mund të shkaktojë këputje të thonjve dhe rrjepje të lëkurës rreth tyre. Proteina e kolagjenit shërben edhe për ndërtimin e thonjve dhe të dhëmbëve, dhe shimi i tij në dietën tuaj të përditshme do të përmirësonte ndjeshëm gjendjen e tyre.
Nxjerr toksinat jashtë trupit
Kolagjeni është shumë efektiv edhe për nxjerrjen e toksinave jashtë trupit. Kjo sepse glicina ul rrezikun e dëmtimit të mëlçisë nga substancat e huaja që kalojnë në të. Një nga mënyrat më të mira të pastrimit të mëlçisë është konsumimi i supës me kocka të ziera. Kjo supë këshillohet të konsumohet për 3 ditë me radhë, për të pasur një rezultat të shpejtë.
Redukton celulitin
Kur lëkura humb elasticitetin si pasojë e mungesës së kolagjenit, vihet re edhe një efekt tjetër anësor: celulit më i dukshëm. Për shkak se lëkura është më e dobët, celuliti bëhet më i dukshëm. Rritja e elasticitetit të lëkurës nëpërmjet kolagjenit do të reduktojë edhe shfaqjen e gropëzave të vogla në lëkurë si pasojë e celulitit. / https://shendeti.com.al/


