Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al“: Blertina Koka
Një pilulë insuline, që do t’u japë fund vuajtjeve të miliona njerëzve me diabet, është një hap larg të bërit realitet.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gati 420 milionë njerëz në të gjithë botën vuajnë nga diabeti dhe mbi 3.7 milionë njerëz vdesin çdo vit nga kjo sëmundje.
Ka dy tipa të kësaj sëmundjeje, të cilat shkaktohen nga nivele të larta të qarkullimit të sheqerit në gjak, duke shkaktuar kështu dëmtime të organeve.
Diabeti tip 1 është një çrregullim autoimun që zakonisht diagnostikohet që në fëmijëri, ndërsa diabeti tip 2 diagnostikohet në moshë më të vjetër dhe lidhet me të qenit mbipeshë dhe pasivë.
Të gjithë personat që vuajnë nga diabeti tip 1 duhet të injektojnë insulinë çdo ditë. Ndërsa tek ata me diabet tip 2, ndryshimet e mënyrës së jetesës dhe ilaçet mund të ulin fillimisht nivelet e sheqerit në gjak, por, nëse sëmundja përparon, pacientëve iu duhet të injektojnë insulinë.
Injektimet e përditshme mund të jenë invazive, prandaj shkencëtarët besojnë se kanë gjetur një mënyrë më pak të dhimbshme për mbajtjen nën kontroll të këtij hormoni.
Shkencëtarët po përpiqen të zhvillojnë një mënyrë të re për marrjen e këtij ilaçi me gojë, duke përdorur qeska të vogla që e dërgojnë insulinën kur nevojitet, pa pasur nevojë për injektime.
Këto qeska janë të prodhuara me molekula lipide, të cilat formojnë mbrojtës me yndyra.
Autorja kryesore e studimit, prof. Mary McCourt, nga Universiteti Niagara, në Nju Jork, tregon: “Kemi zhvilluar një teknologji të re të quajtur ‘Cholestosome’, një copëz neutrale të prodhuar me lipide.
Sipas saj, vështirësia më e madhe e marrjes së insulinës nga goja është që të mos bie në kontakt me stomakun, duke qenë se mjediset me aciditet të lartë, si stomaku, nuk janë të përshtatshëm për insulinën. Niveli i insulinës fillon të pakësohet para se të arrijë në zorrë dhe rrugët e gjakut, ku edhe duhet të ulë nivelet e glukozës në gjak. Për të shmangur këtë problem, shkencëtarët synojnë ta paketojnë insulinën brenda një shtrese mbrojtëse, kështu ajo nuk do të pakësohet nga acidet e stomakut.
Duke përdorur teknologjinë e patentuar “Cholestosomes”, të zhvilluar në laborator, hulumtuesit shkencorë kanë arritur të mbulojnë insulinën me një shtresë të bërë me yndyrë, që e mbron atë, kështu mund të kalojë përmes sistemit digjestiv dhe rrugëve të gjakut.
Projektimet kompjuterike kanë treguar se kur lipidet mblidhen tek kapsula, ato formojnë grimca neutrale rezistente ndaj acideve në stomak.
Ilaçet mund të futen brenda këtyre qeskave të vogla, të cilat mund të kalojnë në stomak pa u pakësuar. Në momentin që ata arrijnë në zorrë, trupi fillon t’i zbërthejë.
Qeskat kalojnë përmes zorrëve, në rrugët e gjakut dhe më pas copëzohen nga qelizat dhe lëshojnë insulinën.
Kjo pilulë është testuar aktualisht tek kafshët, dhe shkencëtarët shpresojnë që shumë shpejt ta testojnë edhe tek njerëzit.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


