Përgjigjet për gazetën “Shëndet+”, psikologia Milena Turtulli
Sigurisht. Jo vetëm që stresi dëmton kujtesën, por ndodh dhe një fenomen tjetër që është dhe më interesant. Një stres shumë i madh shoqërohet dhe me fiksim në disa nga problematikat më të mëdha që
shoqërojnë personin. Kjo do të thotë që njeriu harron disa gjëra, disa situata, disa episode dhe fiksohet ngushtësisht në disa të tjera, ato që i japin stres.
Streset e mëdha mund të shkaktojnë humbje të kujtesës, pasi tjetërsojnë funksionet elektrike të neuroneve, duke bllokuar konsolidimin e kujtimeve. Streset kronike mund të kenë një efekt shumë më të madh. Kur organizmi është nën një stres afatgjatë, hipofiza prodhon hormone që stimulojnë gjendrat mbiveshkore të prodhojnë kortizolin. Kjo substancë pengon qelizat të prodhojnë elementet e nevojshme për rritjen e tyre, jetike për mbijetesën e tyre. Kjo do të çonte në vetëshkatërrimin e qelizave.
Kujtesa është selektive dhe prioritare, që do të thotë: U jep prioritet gjërave më të rëndësishme. Rëndësia që ne u vendosim t’u japim gjërave, kushtëzon edhe sasinë e kujtesës që do të zënë këto epsidode. Sa më shumë rëndësi t’i japësh një episodi stresues, një episodi që të ngarkon me emocione negative, aq më shumë vend do të zërë në kujtesën e personit dhe aq më shumë pengues do të jetë në cilësinë e jetës.


