Përshëndetje! Jam 32 vjeç. Gjithmonë kam patur trup të rregullt, por tani kam filluar të shëndoshem çdo ditë e më shumë, sado që përpiqem të mbaj djetë. Ndërsa duart dhe këmbët më rrinë gjithmonë të ftohta. Mos vuaj gjë nga tiroidet? Theksoj se jam dhe anemike.
Përgjigjet për gazetën “Shëndet+” mjekja endokrinologe, Luftime Bruka
Gjendra tiroide është gjendra endokrine më e madhe në qafë. Funksioni i tyre është prodhimi i hormonit të tiroides, funksion të cilin e marrin që në embrion me zhvillimin e sistemit nervor. Funksion tjetër luajnë në rregullimin e metabolizmit. Me metabolizëm shprehet shpejtësia ose frenimi i djegieve të substancave ushqimore në inde për t’u kthyer më pas në energji.
Mosfunksionimi i tiroides shoqërohet me një sërë komplikacionesh, ndërkohë që dy çrregullimet kryesore lidhen me hipertiroidizmin (tepricë jodi) dhe hipotiroidizmi (mungesë jodi). Dy simptomat e përshkruara nga pacientja (shtimi i pakontrolluar në peshë dhe ndjesia e të ftohtit) janë karakteristikë e kësaj të fundit. Ndaj nuk përjashtohet mundësia që pacientja të jetë duke vuajtur një çrregullim i gjendrës tiroide. Por një përcaktim përfundimtar mund ta japë vetëm konsulta me mjekun endokrinolog, e shoqëruar kjo edhe me ekografinë e testet hormonale. Pa vajtur tek mjeku, pacientja nuk duhet të bëjë asnjë veprim tjetër.


