Përshëndetje! Vuaj nga veshkat dhe prej tetë muajsh jam në dializë. Ka disa ditë që po urinoj me gjak. A mund të më thoni se si duhet të veproj?
Përgjigjet për gazetën “Shëndet+” dhe Shëndeti Online mjeku nefrolog, Alketa Koroshi
Një i sëmurë që është në dializë si rregull, pas disa muajve, pakësohet vetvetiu sasia e urinës, meqë punën e veshkave e zëvendëson aparati i dializës. Veshkat vetë kanë arritur deri në atë stad të avancuar të sëmundjes, sa gradualisht nuk funksionojnë më pothuajse fare dhe nuk urinojnë. Por, nëse i sëmuri ka një sasi të vogël të urinës dhe urina del gjak, kjo tregon se ka një problem në rrugët urinare. Duhet të bëjë ekzaminimet që kanë të bëjnë me analizën e urinës dhe me ekzaminime të tjera që kanë të bëjnë me imazhin e veshkave, të tipit: skaner, rezonancë magnetike.


