Si të parandaloni infeksionin e syrit

Bisedoi: Denisa Canameti

Sy të skuqur, të rëndë, të ndjeshëm ndaj dritës: janë këto disa nga simptomat e konjunktivitit (infeksionit të syrit). Por nga se shkaktohen dhe si mund të trajtohen këto probleme? Ja se çfarë thotë në një intervistë për gazetën Shëndet+ dhe Shëndeti Online, mjekja Suzana Zhuka, okuliste pranë Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve nr.3, Tiranë.

Mjekja Suzana Zhuka

Mjekja Suzana Zhuka

Doktoreshë, çfarë është konjunktiviti apo siç njihet infeksioni i syrit?

Konjuktivitet janë infeksione të cipës së bardhë që mbështjellë kokërdhokun e syrit, që quhet konjuktiv.

Cilët janë faktorët shpërthyes?

Shkaqet janë të shumtë dhe për këtë arsye dhe konjuktivitet janë disa llojesh: viralë, bakterial, të përzier, alergjikë, sezonalë, shkaktohen nga lentet e kontaktit, pishinat, agjentët fizik dhe ata kimikë, etj.

Sa e përhapur është kjo sëmundje?

Bëhet fjalë për një patologji të shpeshtë, sepse konjuktiva e syrit është shumë e ndjeshme ndaj agjentëve të jashtëm.

Cilat konjunktivite janë më problematike në këtë periudhë?

Në këtë periudhë më të shpeshtë dhe më problematikë janë ata me natyrë alergjike, kjo për shkak të pranisë së poleneve të luleve në ajër. Këto janë kronike dhe në këtë periudhë kanë fazën e riakutizimit të tyre. Shqetësimet nisin në fund të marsit dhe vazhdojnë deri në qershor. Natyrisht janë të pranishëm dhe konjunktivitet e tjera, por alergjikët janë më të shpeshtë.

Si shfaqet konjunktiviti me natyrë alergjike?

Konjunktiviti me natyrë alergjike shfaqet zakonisht në të dy sytë dhe shenjat karakteristike të tij janë e kruara e syve dhe shtimi i sklepave.

Po konjunktiviti me natyrë bakteriale si shfaqet?

Konjunktiviti me origjinë bakteriale zakonisht shfaqet me sekrecione, sklepa me ngjyrë të verdhë, me enjtje të lehtë dhe skuqje të kokërdhokut të syrit. Pacienti ankon për praninë e një trupi të huaj në sy, të shoqërura me të kruara, skuqje, lotim, djegie, mos durim drite.

Po konjuktivitet me natyrë virale?

Kjo është forma më e vështirë për t’u trajtuar dhe që nëse nuk trajtohet në kohë, mund të përhapet dhe në korne. Forma virale kërkon më shumë kohë trajtimi.Simptomat janë skuqje, bezdi ndaj dritës, lotim, shtim të sekrecione.

Doktoreshë, a është e vërtetë që përdorimi i produkteve kozmetike të pakontrolluara, shkaktojnë infeksion të syrit?

Po, kjo është shumë e vërtetë. Kohët e fundit vihet re një rritje e numrit të rasteve të konjunktiviteve, sidomos te adoleshentet, të shkaktuar nga përdorimi i produkteve kozmetike të pakontrolluara, që nuk i janë nënshtruar testit të kontrollit, sidomos rimelëve dhe lapsave të syve. Por infeksioni mund të shfaqet dhe nga përdorimi i lapsave apo rimelëve të dikujt tjetër që mund të jetë prekur nga konjuktiviti.

Çfarë rreziqesh shfaqin konjuktivitet?

Së pari dua të sqaroj se konjunktiviti është një sëmundje që nuk dëmton shikimin dhe nëse trajtohet në kohë, në fazën fillestare, kalon shumë lehtë. Por kjo është një sëmundje ngjitëse dhe si e tillë duhet diagnostikuar dhe trajtuar menjëherë, në mënyrë që të shmanget kronicizimi i saj, apo kalimi i infeksionit në korne (xhamin e syrit), që do të kërkonte një trajtim më të gjatë.

sy kafMund të flasim për prirje?

Jo, nga studimet që janë bërë është vërejtur se konjuktivitet prek të gjitha moshat dhe të dyja sekset në të njëjtën mënyrë. Kështu që mund të them se gjithsecili nga ne është i prirur të preket nga konjunktivitet.

Ç’mund të bëhet për të parandaluar komplikacionet?

Së pari rekomandohet ndjekja në mënyrë skrupuloze e higjenës personale, dhe më pas për çdo shqetësim sado të vogël duhet konsultuar mjeku specialsit.

Si bëhet trajtimi i konjunktiviteve?

Duke qenë se kanë origjinë të ndryshme dhe mjekimi i konjunktiviteve është i ndryshëm dhe i shumtë. Kështu në rastin e infeksioneve me origjinë bakteriale këshillohet përdorimi i një koliri antibiotikë me spektër të gjerë, me një trajtim prej 7 ditësh. Në rastin e konjunktiviteve alergjikë mund të përdoren kolire antialergjikë dhe rekomandohet konsulta me mjekun alergolog, në mënyrë që të zbulohet origjina e alergjisë dhe mjekimi për të nëse është e nevojshme. Nëse konjuktiviti shkaktohet nga një substancë irrituese, mjafton të eliminohet shkaku shpërthyes dhe më pas të bëhet trajtimi për qetësimin e syrit. Gjithsesi, mjekimi bëhet në varësi të shkakut dhe stadit të sëmundjes, gjë të cilën e përcakton vetëm mjeku specialist.

Shenjat: Si ta kuptosh se je prekur nga konjuktiviti

Infeksioni shfaqet me djegie dhe ndjesi të trupit të huaj në sy, si psh rërë mes syrit dhe qepallës. Pacienti ka sy të skuqur, që lotojnë dhe shpesh ka mjaft sekrecione (sklepa). Në disa raste ndjejnë bezdi dhe dhimbje kur bien në kontakt me dritën. Nuk është e domosdoshme që simptomat të shfaqen njëherësh, mund të ndodhë që të shfaqet dhe vetëm njëra prej tyre.

REKOMANDIME: Kur duhet t’i drejtoheni mjekut?

  • Nëse simptomat zgjasin më shumë se 3 ditë
  • Nëse dhimbja shtohet
  • Nëse syri nis të skuqet
  • Nëse ndjeni turbullime shikimi

Këshilla

  • evitoni të prekni sytë me duar të palara
  • pastroni sekrecionet e syrit me shumë kujdes
  • mbani higjienë maksimale personale dhe familjare
  • fëmijët në çerdhe apo kopsht duhet të përdorin peshqir personal
  • mbani syze dielli për t’i mbrojtur sytë nga irritimi
  • me shfaqjen e shenjave të para shkoni menjëherë te mjeku specialist

Postime të ngjashme

Kur stresi i provimeve bëhet i rrezikshëm për fëmijën tuaj – si ta dalloni dhe si ta ndihmoni
Ja pse rreziku i infeksioneve ushqimore tek fëmijët rritet në verë!
Ja si të mënjanojmë pickimin nga insektet në verë
Psikologu, ende jo miqësor për shqiptarët
Jeni me antibiotikë? Ja çfarë duhet të hani për të mos prishur ekuilibrin mikrobik të zorrëve
Nga diell në shi, si po ndikon ndryshimi i temperaturës në shëndetin tuaj!
Çfarë i bën dashuria trupit
sinusit
Gjërat që duhet të dini për Inflamacionin e sinusitit