Përshtati në shqip: Blertina Koka / Shëndeti Online dhe gazeta ‘Shëndet+’
Jeta e Kendall Jenner është e mbushur me poza dhe foto për revistën prestigjioze Vogue, shfaqjet në tapetin e kuq dhe udhëtimet në vendet tropikale, por, jashtë shfaqjes ekstravagante dhe mahnitëse në kamera, modeles i është dashur të përballet me ankthin, një problem i shëndetit mendor që prek me miliona njerëz në të gjithë botën.
“Ankthi ka qenë një pengesë e madhe për mua vitin e kaluar, por fatmirësisht kam mësuar si ta përballoj” tregon modelja 21-vjeçare. Teknika që ajo përdor për të luftuar ankthin quhet ndryshe teknika e frymëmarrjes 4-7-8.
Kjo teknikë, e realizuar nga dr. Andrew Weil, profesor tek Universiteti i Harvardit, është provuar shkencërisht se mund të lehtësojë ankthin.
Dr. Weill pohon se frymëmarrja 4-7-8 mund të ndihmojë njerëzit të bien në gjumë për vetëm 60 sekonda, duke vepruar si një “qetësues natyral për sistemin nervor”, që redukton stresin dhe tensionin në trup.
Si ta praktikoni këtë teknikë?
- Para se të filloni, vendosni majën e gjuhës tek qiellza e gojës, mbi dhëmbët, dhe vazhdoni ta mbani ashtu gjatë gjithë kohës.
- Nxirrni frymë të zëshme me gojë.
- Mbyllni gojën dhe merrni frymë ngadalë dhe qetë përmes hundës duke numëruar me mendje deri në katër.
- Mbani frymën dhe numëroni deri në shtatë.
- Më pas, nxirreni frymën zëshëm përmes gojës për tetë sekonda në një frymënxjerrje të vetme.
- Tani sërish merrni frymë dhe përsëriteni këtë teknikë tri herë për katër frymëmarrje-frymënxjerrje.
Mbani mend: të gjitha frymëmarrjet duhet të jenë të qeta dhe përmes hundës, ndërsa frymënxjerrjet duhet të jenë të zëshme dhe përmes gojës.
Si ju ndihmon?
- Kjo teknikë e frymëmarrjes ju ndihmon të merrni më shumë oksigjen, relakson sistemin nervor parasimpatik dhe nxit një gjendje qetësie.
- Ndihmon në ribalancimin e sistemit nervor, i cili mund të mbistimulohet gjatë periudhës së stresit.
- Ju ndihmon të shkëputeni nga mendimet e përditshme që mund t’ju prishin gjumin.
Burimi: Self / https://shendeti.com.al/


