Gratë në botën e re të punës

Denisa Canameti

Ne duhet ta fillojmë ndryshimin në shtëpi dhe që në bankat e  shkollës, në mënyrë që të mos lejojmë të ekzistojë asnjë mjedis ku fëmijët të mësojnë se vajzat duhet të jenë më pak, të kenë më pak dhe të ëndërrojnë më pak se djemtë.

Bota e punës po ndryshon duke sjellë ndërlikime të rëndësishme edhe në jetën e grave  dhe vajzave. Nga njëra anë është globalizimi, revolucioni teknologjik dhe digjital dhe mundësitë që ata sjellin dhe nga ana tjetër rritja e informalitetit të punës, të ardhurat e paqëndrueshme, politikat e reja fiskale dhe tregtare dhe ndikimet mjedisore të cilat duhet të adresohen në kontekstin e fuqizimit ekonomik të grave.

Studime të fushës tregojnë që dallimet në përzgjedhjen e profesioneve vazhdojnë:  Në të gjithë botën, shumica e mësuesve janë gra dhe vajza. Kjo është më e theksuar në arsimin parashkollor dhe fillor, ku përafërsisht 8 nga 10 mësues janë femra. Në arsimin e mesëm, 68% e mësuesve në vendet e ulëta janë gra, ndërsa në vende si Estonia dhe Republika Sllovake, kjo shifër shkon në  80%. Megjithëse, mësimdhënia është një profesion kryesisht femëror, drejtuesit e shkollave ka ende më shumë të ngjarë të jenë burra në shumë vende të botës.  Në Finlandë dhe Portugali, 7 nga 10 mësues janë gra, por vetëm rreth 4 nga 10 drejtorët shkollash janë gra. Studimet për dallimet gjinore në moshën fëmijërore tregojnë se djemtë për shembull vazhdojnë të jenë më pak të mirë në lexim, ndërsa vajzat kanë më pak gjasa të imagjinojnë një karrierë në shkencë dhe teknologji, madje edhe kur  kanë arritje të larta në këto lëndë.

Megjithatë, shoqëria ka ecur para dhe gratë dhe vajzat sot janë të detyruara të jenë më konkuruese në tregun e punës. Progresi mund të shihet lehtësisht në sektorin e shëndetësisë, Vetëm një brez më parë, në shumicën e vendeve, gratë mjeke përbënin vetëm një pakicë në mesin e burrave mjekë. Sot, në shumë spitale, shumica e mjekëve të rinj janë gra. Kjo tendencë ka të ngjarë të vazhdojë. Por jo në  të gjithë profesionet shkencore gratë kanë patur të njëjtin progres. Shumë pak gra kanë pozita të larta akademike në fizikë, për shembull, dhe hera e fundit  që një çmim Nobel në fizikë iu dha një gruaje ishte në 1963. Ndërkohë, profesionet e reja në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit janë shpesh dhe me shumicë dërrmuese, të dominuar nga burrat.

Shoqata “Together for Life” mbështetur nga UNDP dhe UN Women në Shqipëri, po zbaton projektin: “Promovimi i barazisë gjinore në marrëdhëniet e punës dhe formimin profesional”  pikërisht me qëllim nxitjen e kulturës së trajtimit të barabartë të grave dhe vajzave në punë dhe zbehjen e stereotipive në përzgjedhjen e karrierës, me qëllim frymëzimin e vajzave dhe grave për të aspiruar rolet e rezervuara në shoqëri vetëm për burrat dhe duke rritur  kështu mundësitë për zhvillim të barabartë.

Një botë e ndryshme pune për gratë

Fjala e zëvendëssekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Drejtores Ekzekutive të UN Women, Znj. Phumzile Mlambo-Ngcuka, me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Mesazhi që një grua i dërgon botës më 8 Mars 2017: Të krijojmë  një botë të re pune për gratë!

Përreth botës, pjesa dërrmuese e grave dhe vajzave  shpenzojnë shumë kohë me përgjegjësitë shtëpiake- pothuajse më shumë se dyfishi i kohës që shpenzojnë burrat dhe djemtë. Ato kujdesen për vëllezër e motra më të vogla, për të sëmurët e familjes, pazaret, gatimin dhe menaxhimin e shtëpisë.  Në shumë raste, kjo ndarje e pabarabartë e punëve bie në kurriz të arsimimit të vajzave dhe grave, punës së paguar që ato kryejnë, kohës së tyre të lirë, si dhe angazhimit në role drejtuese. Kjo kulturë formëson normat e pengimeve dhe mundësive lidhur me pozicionimin e grave dhe burrave në ekonomi, të asaj që ata janë të aftë për të bërë dhe ku ata do të punojnë në të ardhmen.

Kjo është bota e pandryshueshme e punës së pashpërblyer, një skenë globalisht e njohur e të ardhmes së flashkët, ku vajzat dhe nënat e tyre mbështesin familjen me punë të lirë, në jetë  me trajektore shumë të ndryshme nga banorët burra dhe djem të shtëpisë.

Ne duam të ndërtojmë një botë të ndryshme pune për gratë. Ndërkohë që vajzat rriten, ato duhet të ekspozohen ndaj larmishmërisë së profesioneve dhe të nxiten të bëjnë zgjedhje jashtë profesioneve tradicionale të bazuara në shërbime dhe kujdes drejt punëve në sektorin e industrisë, artit, shërbimit publik, agrikulturës moderne dhe shkencës.

Ne duhet ta fillojmë ndryshimin në shtëpi dhe në ditët e para të shkollës, në mënyrë që të mos lejojmë të ekzistojë asnjë mjedis ku fëmijët të mësojnë se vajzat duhet të jenë më pak, të kenë më pak dhe të ëndërrojnë më pak se djemtë.

Kjo do të kërkojë rishikime të mënyrave tona të prindërimit, kurrikulave shkollore, politikave arsimore dhe kanaleve të komunikimit që mëkojnë stereotipitë historike, si televizori, rrjetet sociale apo reklamat. Do të kërkohen hapa të vendosur në mbrojtjen e vajzave të reja nga praktika kulturore të dëshme si martesa e hershme ose çdo formë tjetër dhune.

Gratë dhe vajzat duhet të jenë gati të jenë pjesë e revolucionit digjital. Aktualisht, vetëm 18 për qind e diplomave bachelor të shkencave kompjuterike mbahen nga gra. Ne do  të shihnim një ndryshim të rëndësishëm në vajzat e gjithë botës nëse gratë do të konkurronin me sukses për punë me paga të larta, ato që njihen tani si “jakat e reja”. Aktualisht vetëm 25 për qind e fuqisë punëtore e industrive digjitale janë gra.

Të arrish barazinë në vendin e punës do të kërkojë një zgjerim të punës së denjë dhe mundësive të punësimit, duke përfshirë përpjekjet e qeverive për të promovuar pjesëmarrjen e grave në jetën ekonomike, mbështetjen e organizmave kolektivë si sindikatat dhe zërit të grave për të propozuar  zgjidhje për të tejkaluar sfidat e sotshme të cilat i pengojnë gratë të marrin pjesë aktivisht në jetën ekonomike.

Të arrish barazinë në vendin e punës kërkon një fokus të fortë për heqjen e diskriminimit me të cilin gratë përballen në mënyra dhe aspekte të ndryshme, gjithmonë e më përtej gjinisë së tyre:  në orientimin e tyre seksual, aftësitë ndryshe, moshën dhe racën. Pabarazia në pagë vazhdon të mbetet njësoj: Mesatarja e hendekut gjinor botëror të pagës arrin në 23 për qind, por kjo shifër rritet në 40 për qind për gratë afro-amerikane në SHBA. Në Bashkimin Evropian, gratë e moshuara kanë 37 për qind më shumë gjasa të jetojnë në varfëri se sa meshkujt e moshuar.

Në ato punë ku gratë janë tashmë shumë të përfaqësuara, por  të paguara keq, me pak ose asfare mbrojtje sociale, duhet të punohet fort që këto industri të bëhen më të mira me gratë: t’u përgjigjen nevojave të grave dhe të sigurojnë të  ardhura të mira në punë; kushte të barabarta për punë të barabartë dhe mbështetje për gratë sipërmarrëse, duke përfshirë qasjen e tyre në financa dhe tregje. Gratë në sektorin joformal gjithashtu duhen ndihmuar që kontributi i tyre të pranohet dhe të jenë të mbrojtura. Kjo kërkon mundësim të  politikave makroekonomike që kontribuojnë në rritjen gjithëpërfshirëse në mënyrë që të përshpejtohet progresi i 770 milionë njerëzve që jetojnë në varfëri të tejskajshme.

Duke adresuar padrejtësitë do të fitojmë angazhimin dhe fleksibilitetin nga të dy punëdhënësit e sektorit publik dhe privat. Të dy këta sektorë duhet të nxiten që të rekrutojnë dhe mbajnë në punë punëtore femra; si përfitimin e lejes së zgjeruar të prindërimit  dhe rikthimin e tyre të sigurt në punë pas periudhës së lindjes, miratimin nga kompanitë të parimeve të fuqizimit të grave dhe përfaqësimin e drejtpërdrejtë në nivelet e vendimmarrjes. Janë gjithashtu të nevojshme të mundësohen ndryshime të rëndësishme në përfitimin e lejes prindërore për etërit e rinj  së bashku me ndërrime kulturore që e bëjnë marrjen e atësisë dhe pushimit prindëror një zgjedhje praktike, dhe kështu një përfitim të vërtetë të përbashkët për familjen.

Ndryshimet e mëdha që duhen bërë janë në thelb të thjeshta: për burrat të shndërrohen në etër, gratë të marrin pjesë më shumë në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore dhe vajzat të jenë të lira të rriten të barabarta me djemtë. Rregullimet duhet të ndodhin  në të gjitha dimensionet në qoftë se ne po përpiqemi  të rrisim numrin e njerëzve të aftë për t’u angazhuar në punë të denjë, ta mbajmë këtë alternativë përfshirëse për të kuptuar përfitimet që do të kenë  të gjithë njerëzit nga një botë e barabartë siç është parashikuar në Agjendën tonë të vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës