Engjëll Bejtaj: Një diagnostikim i suksesshëm kërkon një teknologji të mirë

Bisedoi: Elona Tereziu

Kur bëhet fjalë për mjekësinë, teknologjia nuk mund të jetë një objekt zbukurimi, por duhet të vihet në funksion. Kështu shprehet për gazetën “Shëndet+” drejtori spitalor i Spitalit Continental, njëkohësisht shef i departamentit të kirurgjisë, dr. Engjëll Bejtaj.

Teksa sjell edhe një herë në vëmendje suksesin e investimit më të fundit në shëndetësi, ai thekson rëndësinë e të paturit një teknologji të mirë, për diagnostikime dhe kurime të suksesshëm.

“Pa dyshim që sot mjekësia është shumë e varur nga teknologjia, mirëpo teknologjinë nuk mjafton vetëm ta njohësh, duhet dhe të dish ta shfrytëzosh në mënyrë efiçente”.

Teksa flet për teknologjinë, ai detajon dhe shërbimet që mund të gjeni në këtë spital, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek ato kirurgjikale.

Shpejtësa në shërbim, çmimet 15-20% më të ulëta, transparenca në shërbim dhe vizitat mjekësore me mjekë të huaj në të ashtuquajturat “fundjava të gjata” janë vetëm disa nga lehtësirat e shumta që ofron ky spital.

Doktor, ç’mund të na thoni për spitalin Continental?

Spitali Continental është një strukturë relativisht e re, e licencuar në maj të vitit 2016, ndërkohë që aktiviteti intensiv daton që nga shtatori.

Përsa i përket orientimit, ky është spital i ndarë në dy departamente të mëdha: në atë ambulator i cili fillon me një repart të urgjencës, pra të pranimit dhe të terapisë ditore, ndërkohë që pas kemi të gjithë zinxhirin e ekzaminimeve biokimike e imazherike.

Një pacient që i drejtohet spitalit tonë, ka mundësinë për të realizuar gastroskopi, kolonoskopi, ekzaminime ekografike, mamografi, radiografi. Kemi skanerin pa dhe me kontrast. Në sistemin ambulator është edhe litrotipsia, ose reparti i thyerjes së gurëve në veshka.

Pa dyshim janë dhe disa kabinete, si: kabineti i kardiologjisë, pneumologjisë, endokrinologjisë, pediatrisë, nefrologjisë e tj, ku kryhen të gjitha konsultat dhe vizitat ditore.

I gjithë zinxhiri i ekzaminimeve laboratorike është në funksion të  pjesës spitalore, e cila është e vendosur në katin e dytë të spitalit ku janë 22 shtretër të vendosura në 10 dhoma dhe një bllok operator në të cilin përfshihen 4 salla operacioni të pajisura me teknologjinë më bashkëkohore ku realizohen si intervente në versionin e kirurgjisë miniinvazive me traumë minimale, ashtu dhe të kirurgjisë së hapur/standarde.

Gjithashtu, kemi edhe bllokun e reanimacionit. Në planet tona të zhvillimit ne jemi të fokusuar drejt kirurgjisë mininvazive me traumë minimale dhe pak kohë qëndrimi në spital (disa orë deri në një ditë qëndrimi).

Çfarë ndërhyrjesh kirurgjikale mund të kryhen pranë Spitalit Continental?

Në Spitalin Continental mund të kryhen të gjitha kategoritë e ndërhyrjeve kirurgjikale digjestive, ose siç quhet rëndom, kirurgjia e përgjithshme.

Kemi kirurgjinë rikonstruktive/estetike, e cila merr përsipër të korrigjojë defektin, por njëkohësisht të përmirësojë anën estetike të saj.

Kemi kirurgjinë ortopedike ku bëjmë vendosje protezash të gjurit ose koksofemorale.

Pa dyshim që mund të bëhet dhe një kategori e cakuar interventesh në neurokirurgji, jo në versionin e kirurgjisë cerebrale, por mund të realizojmë neurokirurgjinë e kolonës. Nuk realizohen intervente të kardiokirurgjisë apo dhe trajtimi hemodinamik. Duke përjashtuar këto të dyja, çdo ndërhyrje tjetër kirurgjikale në Spitalin Continental është e mundur.

Le të flasim pak për teknologjinë. Çfarë ju diferencon nga të tjerët?

Teknologjia e Spitalit Continental është një teknologji bashkëkohore, ndërkohë që një pjesë e mirë e aparaturave i përkasin vitit 2016. Ndahet në teknologji diagnostike dhe teknologji kurative. Teknologjia diagnostike është shumë e rëndësishme për vendosjen e një diagnose të hershme, të shpejtë, pa shumë kosto dhe mbi të gjitha të saktë.

Ndërkohë që është një zinxhir i tërë diagnostik që fillon nga më e thjeshta, ekzaminimi senografik pra me ultratinguj ku futet ekografia dy dhe tri dimensionale.

Kemi ekzaminimet që realizohen me fibra optike, siç është gastroskopia dhe kolonoskopia, ndërkohë që janë dhe i tërë zinxhiri i ekzaminimeve që realizohen me rreze X, siç është mamografia, radiografitë standarde dhe njëkohësisht kompjuterografia ose, siç njihet rëndom, skaneri.

Pa dyshim, kabinetet janë të pajisura me teknologjinë më të mirë, siç është kabineti i pneumologjisë i cili ka gjithë teknologjinë për diagnozë dhe trajtim nëpërmjet bronkoskopit rigit apo fleksibël për trajtimin e patologjive të rrugëve respiratore që nga diagnoza nëpërmjet marrjes së materialit deri tek trajtimi i patologjive endobronkiale apo trakiale, të cilat pa dyshim kanë një shkallë të lartë vështirësie dhe nuk realizohen në çdo strukturë.

Ndërkohë që kolonat për kirurgjinë mininvazive apo laparoskopike i kemi prodhim të vitit 2016, me një rezolucion shumë të lartë, gjë që të krijon mundësinë të shohësh edhe defekte milimetrike, dhe pa dyshim në duart e ekspertëve kjo është një mundësi që nuk mund ta gjesh kudo.

Ne jemi të vëmendshëm që çdo zhvillim të ri në aspektin e teknologjisë ta bëjmë tonën sa më shpejt të jetë e mundur.

Sa e rëndësishme është të paturit një teknologji të mirë për një diagnostikim të suksesshëm?

Pa dyshim sot mjekësia është shumë e varur nga teknologjia dhe kjo si në fazën diagnostike, ashtu dhe në atë kurative. Sigurisht kjo prodhon një kosto më të lartë, por e rëndësishme është zgjidhja. Pra, pacienti të gjejë një zgjidhje të shpejtë dhe të saktë me qëllim rifitimin e aftësive të humbura dhe rikthimit të aktivitetit sa më shpejt, me të njëjtin rendiment dhe standard që ka pasur më parë.

Teknologjia duket sikur po “vrapon”! Ajo që sot konsiderohet moderne, mbas dy apo tri vitesh nuk është më e tillë. Megjithatë, e rëndësishme është që teknologjinë jo vetëm ta njohësh, por dhe ta shfrytëzosh në mënyrë efiçente. Pra, me pak fjalë, teknologjia nuk mund të jetë një objekt zbukurimi, por duhet të vihet në funksion.

Shkëmbim praktikash dhe eksperiencash me mjekë të huaj. Sa efektive janë “fundjavat e gjata” në Spitalin Continental?

Alternimi dhe shkëmbimi i përvojave në një shoqëri të hapur është një avantazh. Ne në asnjë rast nuk jemi të prirur të fetishizojmë dhe të ekzagjerojmë vlerat e kolegëve tanë të huaj, por duke qenë të vëmendshëm dhe objektivë, dimë t’u japim vendin e merituar dhe njëkohësisht të përfitojmë nga çdo lloj përvoje e cila vlen.

Në këtë kuptim ne kemi realizuar marrëveshje bashkëpunimi me grupe mjekësh të huaj si në fushën e kirurgjisë ortopedike, ku ekipi me të cilin bashkëpunojmë janë një grup ekspertësh gjermanë dhe grekë, të cilët e ushtrojnë aktivitetin në Greqi. Ata vijnë këtu çdo tre katër herë në muaj në të ashtuquajturat “fundjava të gjata” të cilat fillojnë ditën e premte dhe mbarojnë ditën e hënë. Fillohet me fazën diagnostike, me realizimin e konsultave dhe vazhdohet me procedimin në nivele të ndërhyrjeve për rastet e diagnostikuara. Bëhet ndjekja e pacientëve derisa ata largohen nga spitali, që zakonisht ndodh 24 orë pas ndërhyrjes, por më parë përcaktohet dhe ardhja e radhës.

Gjatë kësaj kohë kontakti me pacientin nuk ndërpritet, pasi kolegët tanë të huaj këtu kanë asistentët e tyre shqiptarë me të cilët komunikojnë dhe konsultohen vazhdimisht për gjendjen e pacientëve.

Ky është një model i ri i cili favorizon si për nga distanca relativisht e afërt midis Shqipërisë dhe Greqisë apo Italisë dhe Shqipërisë, pasi në vazhdimësi ne kemi bashkëpunim edhe me kolegët tanë italianë.

Dua ta theksoj edhe një herë se ne i vlerësojmë kolegët tanë vetëm objektivisht. Përdorim të njëjtin standard vlerësimi si për kolegët tanë shqiptarë, ashtu edhe për të huajt.

Një i huaj nuk është absolutisht i avantazhuar ndaj një kolegu shqiptar, përveçse nëse do të ketë vlera të cilat ia japin këtë të drejtë. Pra, duke vepruar në këtë mënyrë ne respektojmë edhe individin edhe historinë që ata përfaqësojnë/eksperiencat.

Në Spitalin Continental regjistrohet çdo ndërhyrje kirurgjikale që kryhet. Pse bëhet kjo?

Regjistrimi i ndërhyrjes kirurgjikale bëhet për dy arsye. E para, është për efekt të të qenit transparent në raport me pacientin. Njihen raste, ndonjëherë me të drejtë, ndonjëherë pa të drejtë, ku është pretenduar se është bërë një ndërhyrje, por që në fakt nuk është realizuar. Që të evidentohet kjo, ne e pajisim pacientin me të gjithë dokumentin e nevojshëm ( një CD e thjeshtë) të cilin pacienti është i lirë ta konsultojë kudo që ai dëshiron për cilësinë e saj, për saktësinë për të cilën ai dhe ka paguar.

Cilat janë avantazhet e Spitalit Continental. Pse një pacient duhet t’ju zgjedhë ju?

Nëse do flisnim për avantazhet e Spitalit Continental në raport me strukturat e tjera, unë do të doja të theksoja vetëm dy gjëra.

E para, është shpejtësia në shërbim. Pacienti ka më pak barriera e stacione për të arritur në shërbimin final. Të qenit një strukturë modeste për nga dimensioni, është shumë e lehtë dhe për t’u menaxhuar. Pacienti e merr kontaktin me mjekun shumë shpejt, e bën ekzaminimin shumë më shpejt, dhe ne e kemi të institucionalizuar realizimin e konsultës midis specialistëve dhe daljen në përfundime të drejta dhe të sakta shumë më herët sesa në struktura të tjera, të cilat duke qenë të stërmëdha për nga dimensioni, lëvizin më ngadalë. Tamam tamam është paralelizmi mes manovrimit të një veture të vogël me një kamion.

E dyta, duhet ta pranojmë se çmimet me të cilat ne operojmë në treg, janë realitivisht dukshëm më të ulëta se sa në struktura të tjera të ngjashme me ne. Me bindje e them se këtu janë 15-20% më të ulëta. Shërbimet e marra në një strukturë private ende nuk rimbursohen nga Fondi i Sigurimeve të shtetit shqiptar, ndaj një 20% më lirë nuk është pak. Megjithëse biznes në thelb, ne jemi të hapur dhe për të arsyetuar në raste të veçanta. Prirja jonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë që këtij spitali t’i japim një fytyrë sa më sociale.

 

Postime të ngjashme

5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm