Ndotja e ajrit: Zbulohet lidhja me sëmundjet e zemrës

Përshtati në shqip: Blertina Koka

Grimcat jashtëzakonisht të vogla të ndotjes së ajrit kanë potencialin të shmangin sistemin filtrues mbrojtës të mushkërive dhe të përfundojnë thellë në trup.

Këto grimca pastaj bashkohen në enët e gjakut dhe rrisin rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.

Ky studim, sipas shkencëtarëve, mund të shërbejë si hap i parë për të zgjidhur “misterin” e lidhjes së ndotjes së ajrit me sëmundjet e zemrës dhe goditjes në tru.

Ndotja e ajrit thuhet se ka ndikuar në shkurtimin e jetës të mijëra njerëzve në të gjithë botën. Studime të ndryshme sugjerojnë se kjo ndodh në shumicën e rasteve për shkak të përkeqësimit ose nxitjes së problemeve me zemrën ose mushkërinë.

Por, pavarësisht teorive të shumta, nuk dihet ekzaktësisht se si ajri i ndotur mund të ndikojë në zemër.

Disa shkencëtarë dyshojnë se kjo ndodh pjesërisht për shkak të grimcave në atmosferë, të cilat nuk mund të largohen nga sistemi filtrues në hundë dhe mushkëri për shkak të madhësisë së tyre jashtëzakonisht të vogël.

Për të hetuar mbi këtë çështje, hulumtuesit shkencorë nga Universiteti i  Edinburgut dhe universitetet në Holandë studiuan grimcat jashtëzakonisht të vogla të një inerti ngjyrë ari – ka të njëjtën madhësi me grimcat e lëshuara nga rafineria e naftës.

Shkencëtarët u kërkuan 14 personave të shëndetshëm të thithnin ajrin që përmbante copëzat e këtij inerti, ndërkohë që u stërvitën për 2 orë.

Një ditë më vonë, hulumtuesit shkencorë zbuluan se nanogrimcat përfunduan në enët e gjakut të shumë pjesëmarrësve.

Dhe tek shumë njerëz, grimcat ngelën në trup për muaj – ato u zbuluan në urinën e tyre tre muaj më vonë.

Gjatë një tjetër eksperimenti të ngjashëm, hulumtuesit shkencorë u kërkuan 3 pacientëve që vuanin nga bllokimi i arterieve të thithnin ajrin që përmbante këto nanogrimca të vogla ari.

Një ditë më vonë, kur pacientët iu nënshtruan një operacioni për enët e gjakut, u gjetën gjurmë të këtij inerti ngjyrë ari tek pjesët e dëmtuara të arterieve.

Hulumtuesit shkencorë mendojnë se duke u akumuluar tek pjesë të ndjeshme të trupit, grimcat e ndotjes së ajrit mund të përkeqësojnë edhe më shumë sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru.

Burimi: BBC / Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Përfitimet e lëngut të Aloe Verës për shëndetin: Çfarë thotë shkenca
Shenjat e fshehta të problemeve me zemrën që nuk duhet t’i injoroni
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Shumica prej nesh e bëjmë këtë gabim pa e ditur – dhe po rrezikojmë shëndetin
Treguesi delikat në syrin tuaj që mund të nënkuptojë se do të keni demencë në moshën 45-vjeçare
Kombinimi i barnave mund të parandalojë mijëra sulme në zemër
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike