Bisedoi: Denisa Canameti
Genta Ahmeti është e para vajzë e përfshirë në ndërtimin e varkave në Shqipëri. Dashuria për drurin, e injektuar që në vogëli prej të atit, dhe shpirti sfidues bënë që ajo të ndërmerrte një hap me shumë risk. Në një moment të studiuar mirë prej saj, vendosi që biznesin familjar që merrej me prodhimin e mobiljeve ta kthente në një punishte për ndërtimin e varkave.
Dashuria për drurin nuk është fort tipike për vajzat. Por për Gentën, po. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, Genta tregon se është rritur duke e dashur drurin e duke luajtur me të.
Ka studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë Pyjore, dega Përpunim Druri, në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Nuk ishte një zgjedhje as e rastësishme, as e detyruar. Përkundrazi, Genta e kishte projektuar qartësisht në mendjen e saj gjithçka do të realizonte në të ardhmen. Sot është një ekip që është përqendruar në realizimin e varkave të drurit, e drejtuar prej Gentës. Sa i takon përfshirjes së vajzave të tjera, ajo thotë se fatkeqësisht nuk ka munddur të kontaktojë të tjera vajza me të njëjtin pasion. Punishtja e saj e drurit quhet “Artisanal”. Përtej ndërtimit të varkave, projekti i saj përfshin më shumë se kaq. E para është ndërtimi i varkave prej druri sportive dhe për peshkim. Faza e dytë është një sipërmarrje që përfshin jo vetëm artizanatin, por edhe kulturën. Bëhet fjalë për një muze të detarisë. Modelet e anijeve që kanë lundruar në Adriatik dhe në botë. Do të ketë një gamë të gjerë të modeleve të prodhuara në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit, harta, pjesë të anijeve dhe varkave të vjetra si dhe informacion historik. Mbi idenë e muzeut ajo është konsultuar me një grup arkeologësh të huaj, të cilët po e detajojnë në mënyrë profesionale këtë pjesë të projektit.
Genta, si lindi kjo dëshirë për të studiuar dhe punuar me drurin?
Babi më ka nxitur shumë. Vetë inxhinier e ka filluar karrierën në kantierin detar të Durrësit, pastaj ka kaluar me kinematografinë, me teatrin. Dhuratat e para për mua kanë qenë vegla pune, çekiç, sharra, këto më tërhiqnin më shumë sesa kukullat. Babi më merrte gjithmonë me vete. Ishte një gjë super e bukur. Edhe natyra ime e shkathët, më tërhiqnin këto gjëra. Qeshnin njerëzit kur me pyesnin se çfarë do të bëhesh? Si babi, thoja.
Pastaj vjen një moshë kur mendon të bësh juridik, ekonomik. Por, si përfundim, në zgjedhjet universitare thashë të zgjidhja si babi. Dhe zgjodha inxhieri përpunim druri.
Në shkollë një pjesë e mirë e pedagogëve ishin ish-shokë të babit. Por nuk e kanë ditur këtë gjë deri kur mbarova studimet. Kisha krijuar marrëdhënie miqësore vetë, isha studente e rregullt. Gjërat po i bëja vetë me shumë dëshirë. Pasi mbarova 3-vjeçarin, kërkesa ime ishte e qartë: për prodhimin e varkave.
Derisa babin e kishe specialist të drurit, pse duhet të bëje një shkollë? Shumë njerëz e vlerësojnë punën me drurin si zanat që më shumë e merr në punishte sesa në teori?
Unë jam marrë me drurin që 6 vjeç. Për kënaqësi ndiqja babin. Po të ishte për disa detaje të zanatit, kisha filluar t’i merrja. Shkolla është diçka plus. Thonë që shkolla të jep vetëm pjesën teorike. Vërtet të jep pjesën teorike, por kombinohen me njëra-tjetrën. Po nuk bëre teorinë, nuk është se ajo praktika të vlen shumë. Nëse unë kam përpara një projekt, nëse nuk di ta lexoj, nuk ka kuptim. Nëse ke shkollën, je në gjendje ta lexosh saktësisht dhe ta zbatosh korrekt projektin.
Pati shumë si ti që zgjodhën drurin?
Ka humbur vlera. Fakulteti i drurit kryesisht është zgjedhja që mbetet kur nuk del një fakultet tjetër. Por që realisht ka shumë vlerë si shkollë. Merr shumë njohuri. Pjesa më e madhe janë djem që s’kanë pasur mundësi tjetër zgjedhjeje. Për mua nuk ishte alternativë e mbetur. Isha e vendosur që do të shkoja atje dhe pikë.
A nuk ke menduar ndonjëherë që është një punë konsumuese, që nuk bën për një vajzë?
Unë e kam zgjedhur me dëshirë. Nuk është gjë e çuditshme, as e pamundur për një vajzë. Inxhinieria ka më tepër projektimin sesa zbatimin. Të jesh në gjendje dhe i/e aftë t’ia shpjegosh punonjësit sesi ta realizojë. Po nuk ishe ti i zoti/e zonja për ta lexuar, për ta realizuar, çfarë kuptimi ka?! Gruaja/vajza ka delikatesë në realizimin ose kujdes në realizimin e disa projekteve, detajeve. Ka disa gjëra që shpesh mund të mos shikohen. Është ajo pjesa kritike. Detajet bëjnë diferencën. Të jesh inxhinier, nuk do të thotë të jesh punëtor. Inxhinierët ndahen në 3 kategori: ai që projekton, ai që zbaton, që e detajon dhe ai që bën kontrollin e projektit. Pjesa e projektimit mund të jetë shumë mirë nga një vajzë.
Aktualisht ke një punishte tënden?
Është një punishte. Kemi afruar ish-shokë shkolle që kam pasur që të punonin dhe kanë punuar në pjesën e mobilerisë. Në momentin që unë iu dedikova varkave dhe vetëm varkave, normalisht që njerëzit frikësohen. Është shumë më ndryshe sesa të bësh një mobilje. Do shumë më shumë kujdes dhe shumë më shumë vëmendje.
Po ty nuk të frikësoi kjo zgjedhje?
Përkundrazi, ishte kënaqësi. Jam natyrë që më pëlqejnë sfidat. E vështirë për mua ka qenë pas universitetit. Vërtet del me një diplomë dhe thua di të bëj varka, por nuk të vlerësojnë realisht se çfarë di të bësh. Të shikojnë vetëm fizikisht. Për 5 vjet jam marrë me turizmin dhe fusha e turizmit më ndihmoi të njihja kulturën. Kisha një pozicion menaxherial dhe kjo më ndihmoi që të përvetësoj disa aftësi menaxhuese. Më vonë kam bërë dhe një specializim për menaxhimin e biznesit, gjë që realizoi 100% atë që doja, pra, të ngrija një biznes të suksesshëm me varka.
Kur ngre një biznes, vlerëson tregun. E ke vlerësuar tregun?
Është bërë një vlerësim i madh për tregun shqiptar. Sot edhe bota e vlerëson shumë pjesën ekologjike. Çfarë po bën tregu sot? Motoskaf apo motorë uji të përbëra nga plastika, që lëshojnë gazra dhe ndotje në det. Bregdeti shqiptar vlerësohet si më i keqi. Në kuptimin që kemi qenë të pasur nga fauna dhe flora, dëmtimet që i kemi sjellë natyrës, peshkimi jo i rregull, apo dëmtimet që sjellin gjithë këto që qarkullojnë, relativisht e kanë shkatërruar.
Idea është: pse mos ta mbrojmë. Çfarë ofrojmë? Shkojmë në plazh me familjen. Më mirë merr një varkë druri me lopata apo një motoskaf? Ka dhe persona që e duan relaksin. Nëse njerëzit shkojnë me pushime jashtë, e kanë kënaqësi kur hipin në ato varkat gjatë perëndimit të diellit. Pse mos ta bëjmë këtë gjë edhe në Shqipëri? Është vlerësuar dhe ka persona të interesuar. Kam 7 projekte të blera. 3 janë në fazën përfundimtare. Në sezonin veror varkat do të jenë të gatshme. Njerëzit do të mund ta shikojnë se si janë realizuar.
Ke menduar që t’u paraprish këtyre projekteve me ndonjë ekspozitë apo formë tjetër prezantimi?
Në përfundimin e tre modeleve dhe në hapjen e sezonit do organizohet një mbrëmje gala, një festë ku njerëzit do të mund të jenë buzë detit me këto varka afër. Madje, të bëjnë një xhiro. Në mbrëmje është këndshëm. Kështu do të kenë mundësi të shohin një realizim totalisht shqiptar.
Varkat e drurit kanë qenë të përdorshme më parë në Shqipëri…
Në fakt, projekti nuk ka në fokus vetëm ndërtimin e varkave, por edhe njohjen me historinë. Shqipëria ka goxha histori dhe ne nuk e studiojmë. Hyn në ato vende që ka bërë histori, para liburnëve. Është ndërtuar flota e parë detare në kohën e mbretit Zog, ka vazhduar në kohën e komunizimit. Koha e komunizmit ka qenë goxha e realizuar për Shqipërinë në fushën e detarisë. Ka pasur kantierin e madh të Durrësit, ku janë realizuar disa lloje anijesh. Sidomos anijet që përdoreshin për transport apo anijet e peshkimit. Disa prej tyre janë ende funksionale. Nja dy prej tyre i kanë blerë grekët dhe i përdorin. Varkat e peshkimit prej druri kanë qenë kudo edhe në liqenin e Shkodrës. Gjejmë foto ku duken varkat tradicionale të peshkimit. Në vendin tonë është idea të ecim përpara me teknologjinë, me hapin e kohës. Por nuk e kuptojmë që duhet të ecim me hapin e kohës duke ruajtur edhe traditën. Nuk flas vetëm për detarinë. Shikon sot në veri apo në jug të Shqipërisë të moshuarit që e kanë ruajtur traditën, por nuk e transmetojnë. Kjo është fatkeqësi!
Sa kohë duhet për ta bërë një varkë?
Varkat ndahen në disa procese pune. Normalisht është krijimi dhe zbërthimi i projektit. Ajo merr kohën më të gjatë, sepse është pjesa ku çdo gjë është shumë specifike. Pastaj është realizimi i maketit, ku do të bëhet një realizim i saktë në të gjtha përmasat, këndet që janë. Dhe në bazë të këtij maketi të ndërtuar, prihen shabllonet, prihen format që mund të jenë në kompesatë apo në karton. Në bazë të shabllonit, fillojnë të priten copat e drurit. Me shabllonin bëhen edhe korrigjimet, nëse ka defekte.
A ka shumë detaje një varkë?
Ka detaje. Realizimi i një varke edhe nëse nuk ka shumë detaje, sepse varet nga modeli, duhet të jesh i saktë në të dhjetat e milimetrit. Nëse tejkalon gabimin milimetrik, nuk ke arritur të kesh realizimin e duhur. Prandaj punohet me shumë kujdes te realizimi i shablloneve në mënyrë që në momentin që e realizojmë, çdo gabim të jetë vlerësuar më parë.
Dashuria për detin, sigurisht që nuk përjashton dashurinë për tokën. Çfarë lloj druri përdoret për ndërtimin e varkave (nuk abuzohet me pyjet)?
Druri ka rëndësi. Çdo dru ka specifikat e veta në përdorim. Druri më i mirë në përdorim është druri afrikan. Ka edhe prodhim vendas. Është lisi. Ajo që ekziston në botë sot është: nëse pret një pemë, do të mbjellësh 3 të tjera. Në Shqipëri priten pa fund dru, dru që mund të përdoren mjaft mirë, që rriten në afërsi të lumenjve apo liqeneve. Por nuk lejohet të priten dru për përdorim, ama mund t’i presësh për dru zjarri. Kështu që ka edhe pak probleme me këtë pjesë. Për momentin jemi duke përdorur atë që ofron tregu shqiptar. Në momentin që do të kem kërkesë për më shumë, do të kërkoj prodhimin e jashtëm.
Sa entuziaste je për vazhdimësinë e projektit?
Eci me këmbë në tokë dhe jam shumë e frikësuar për atë që dua të realizoj. Por nuk heq dorë kollaj. Jam natyrë që në profesion dhe në jetë jam rrëzuar 1 000 herë, por jam ngritur 1001 herë të tjera. Edhe kësaj radhe nuk heq dorë. Dhe e kam të fiksuar që çfarëdo të ndodhë, nuk do të heq dorë. Sado të më përplasin dallgët pas shkëmbinjve, nuk do të lëkundem.
Ke menduar ndonjë bashkëpunim me institucionet shtetërore?
Projekti është i përbërë nga dy pjesë, është edhe futja e historisë. Ajo që është dëshirë imja, është krijimi i një muzeu të detarisë në Shqipëri. Aktualisht janë arkeologët e huaj që tërhiqen. Kam një mbështetje mjaft të mirë. Kam mbledhur goxha material, informacion. Pjesa e mbështetjes nga shteti është sa e nevojshme, aq edhe e frikshme për biznesin. Për arsye se jo gjithmonë pjesa e komunikimit me shtetin ecën në hapin që do të donte një biznes. Kështu që është diçka që mund të realizohet në të ardhmen, por për momentin është zgjedhje ime të eci përpara me mundësitë e mia.
Gjatë kësaj kohe ke menduar ndonjëherë “po mua ç’mu desh”?
Jam ndjerë keq kur kam mbaruar shkollën dhe kërkoja për punë. Është ajo kohë që përplas kokën pas murit dhe thua: mora një diplomë, kam një projekt të veçantë, kërkoj punë dhe askush nuk të ofron punë. Vajza inxhiniere nuk merret parasysh.
Si e krijove ekipin tënd?
U bashkuam një grup njerëzish me interesa të njëjta. I pari ishte babai im, miq të babait, ish-kolegë të kantierit. Gjatë bisedave u afruan personat. Ishte dëshira e tyre, përvoja e tyre që m’u afrua që në momentin që po realizoja diplomën. Pjesa tjetër e ekipit u mblodh rastësisht. Gjatë bisedash me miq. Dhe lindi idea entuziaste për të bërë biznes./ Shendeti.com.al



